Kjo është një situatë absurde, që ka sjellë çoroditje dhe nuk e kuptojmë se për çfarë do të shërbejë…
Ndryshimet në Procedurat Tatimore që kanë hyrë tashmë në fuqi për biznesin përkthehen me një fjalë të vetme: “absurditet”. Të paktën kështu artikulohet nga përfaqësuesit e sektorit të fasonit. Për kryetarin e Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve Flamur Hoxha, ashpërsimi i ndëshkimeve nuk vjen si një veprim logjik i qeverisë. Sipas tij, për të formalizuar ekonominë, qeveria duhet të gjejë forma të tjera, që nuk përkojnë me ndëshkimin sepse në të kundërt kjo do të çojë në rritjen e abuzimeve nga ana e administratës tatimore.
“Në këto 25 vjet pluralizëm, ai që ka qenë në kufijtë e mbijetesës ka qenë gjithmonë biznesi i ndershëm, ai që paguan rregullisht taksat dhe detyrimet ndaj shtetit, por kjo nuk ndodh me ata që vjedhin”, thotë z. Hoxha.
Sipas tij, biznesi fason është në kushtet e falimentit, pasi i duhet të përballet edhe me një sërë problemesh të tjera siç janë edhe vonesat në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura nga palët kontraktuese, ato italiane. “Shpesh këto detyrime shkojnë në shuma që llogariten në rreth 300 mijë euro, ndërkohë që kompanitë mund të kenë nisur procesin e falimentit që, sipas ligjeve të atij vendi, mund të zvarriten nga 8 deri në 10 vjet. Pra, problemeve të jashtme iu mbivendosen edhe ato të brendshme”, thotë z. Hoxha. Për kreun e Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve shumë shpejt biznesi do të gjendet në një krizë të thellë dhe në kolaps të plotë.
“Biznesi do të gjejë forma të ndryshme për të mbijetuar. Mund të mendojë zhvendosjen e aktivitetit të tij ose mënyra të tjera. Kjo është një situatë absurde, që ka sjellë çoroditje dhe nuk e kuptojmë se për çfarë do të shërbejë”, thotë z. Hoxha.
Supergjobat, tregtarët e shumicës : Të ndëshkohen ata që prishin rregullat e ekonomisë
Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga hyrja në fuqi e “supergjobave”, biznesi ndan mendime të ndryshme në lidhje me nivelin e ndëshkimeve për shkelje të ndryshme.
Për kreun e shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe të Tregut, të Shqipërisë, Nikollaq Neranxi një pjesë e masve duhen rishikuar, pasi disiplinimi do të mund të arrihej edhe me vlerë më të ulët. Ja sesi i komenton ai disa nga supergjobat :
- Dhjetëfishimi i gjobës për mosdeklarim punonjësish për biznesin e vogël, në 500 mijë lekë:
Do të mjaftonte një gjobë prej vetëm 50 mijë lekë që çdo biznes i vogël ta mblidhte mendjen dhe të mos guxonte të merrte apo mbante punëtorë të pa deklaruar në punë.
- Gjobë 500 mijë lekë dhe kallzim penal për mosdeklarim të pagës reale :
Do të mjaftonte vetëm 50 mijë lekë.
- Gjobë 500 mijë lekë për mos deklarim adrese :
Jo gjobë, por fillimisht tërheqje vëmëndje.
- Ndalimi i shumicës për të shitur mallra tek individët:
Veprim i drejtë, nga të gjitha pikpamjet.
- Konfiskim deri në 50% të xhiros nëse ke detyrime:
Kjo duhet parë rast pas rasti dhe jo në mënyrë taksative.
- Gjobë 10 milion lekë për tregtuesit e shumicës që tregtojnë mallin pa dokumente tatimore :
Nuk jam dakord aspak. Vlera 10 milionë lekë është shumë e ulët.
Kush tregton pa faturë tatimore, me shume gjasa ka futur mallë kondrabandë dhe nuk ka paguar as në doganë dhe natyrisht qe nuk paguan as taksa. Këta janë informalët, të cilët prishin rregullat e ekonomisë së tregut dhe groposin sipërmarrësit e ndershem sepse dalin në treg më lirë. Në këtë mendoj se duhet të shkohet drejt konfiskimit të mallit dhe më pas burg për disa vjet që askush mos guxojë të dalë në treg informal.
- Moslëshimi i kuponit, gjoba për biznesin e vogël 10 fishohet nga 50 mijë lekë në 500 mijë lekë:
Gjobë e rëndë. Do të mjaftonte 2-3 fishim dhe pas monitorimit të merreshin masa të tjera.
Neranxi sjell në kujtesë edhe një shpjegim të ministrit të Financave Shkëlqim Cani në lidhje me ligjin “Për procedurat tatimore”: “Të gjithë tatimpaguesit që kanë gjendje mallrash pa faturë, të cilët e ribëjnë deklaratën deri në 31 dhjetor 2015, u hiqet penaliteti dhe u hiqet ndjekja penale”. Ndryshimet ligjore prekin dhe administratën tatimore. Sipas tij, “konsiderohet vepër e rëndë penale deformimi i pasqyrave financiare, bashkëpunimi për shkeljen e ligjit, për punonjësin e administratës tatimore dhe së dyti, punonjësi i administratës tatimore nuk lejohet që të ketë në pronësi firma kontabiliteti dhe konsulence, kurse inspektori i doganës, nuk mund të ketë agjenci doganore. Nëse vërtetohet se ka të tilla do të largohet nga puna”./Monitor