Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Ç’ndodhi në Forumin Liberal të Dardhës

$
0
0

rrethi liberalNë qoftë se në fillim një ide nuk duket absurde, atëherë nuk ka shpresë për të.

Kështu do të shprehej messhekullin e kaluar Albert Ajnshtajn në një diskutim në universitetin e Princetonit në SHBA.

Gjithkush që do të shkonte në fshatin Dardhë të Korçës, në takimin e Rrethit Liberal të mbajtur gjatë fundjavës, do të mendonte se sa absurde mund të jetë dukur kjo ide vjet, kur nisi për herë të parë.

Një grupim studiuesish, profesorësh të ekonomisë, filozofisë, gazetarë etj., që mblidhen dhe diskutojnë se si idetë liberale mund të kenë më shumë hapësirë në jetën publike, në ekonomi, arsim, kulturë dhe në gjithë jetën e vendit.

Në njëfarë kuptimi, njerëzit që nga kohët e vjetra janë mbledhur gjithnjë për të diskutuar për çështje konkrete por edhe për ide.

Janë të njohura forumet e epokës helenike, simpoziumet e asaj romake (nga kemi huazuar sot fjalën simpozium), takimet e paprera që zhvilloheshin nga studiuesit myslimanë përgjatë shekujve  kudo në Damask, Bagdad, Cordoba, Granada etj., etj.

Fshati Dardhë veç bukurisë natyrore ka edhe diçka mjaft të veçantë, që duket se i shkon për shtat asaj që duket se përkufizon Rrethin Liberal që u mblodh aty.

Fshati Dardhë nuk ka asnjë gjurmë komunizmi.

Është thuajse e pamundur të gjesh në këtë fshat ndonjë shenjë se përgjatë 50 viteve aty sundoi komunizmi.

Duhet të shkosh  deri në rrëzë të një përroi në anë të fshatit për të parë një karakatinë, që duket se ka qenë repart ushtarak i asaj kohe.

Gjithçka tjetër flet për një entitet që ka jetuar kohën e tij dhe jo komunizmin.

Kisha e vjetër ortodokse është aty. Ikonostasi është ruajtur për mrekulli. Banorët gjatë komunizmit kishin ndërtuar një mur për ta mbuluar atë.

Rrethi Liberal vetëm me komunizmin nuk ka asnjë lidhje, përkundrazi, idetë nga të cilat lindi komunizmi rrinë në anën më të kundërt të atyre që prodhuan mendimin liberal.

Fondacioni për Liri Ekonomike i Universitetit Europian të Tiranës është organizuesi i këtij takimi të dytë.

Në rrethin e Dardhës ka ardhur Gerald Frost, ish-pjesëtar i stafit të kryeministres Margaret Thatcher, sot një aktivist ndërkombëtar në mbrojtje të lirisë dhe ideve liberale.

Si të gjithë britanikët, Frost të krijon përshtypjen e një  njeriu që nuk kërkon të jetë i lumtur, por kërkon të jetë i drejtë.

Gjatë kohës që diskutohet, ai  rri i heshtur, duket gati  melankolik por kur diskuton, ai është shokues.

Nuk ka fjalë të tepërt, është i përkorë, fjalia duket e ngjeshur, diksion tipik britanik, i mezikapshëm për dëgjuesit.

Flet për fatkeqësitë që mund të vijnë nga qeveri të mëdha që iu rrëmbejnë pushtetin njerëzve dhe bëhen zotër të lirive të tyre.

Flet për mënyrën sesi kryeministrja Thatcher ndryshoi jo vetëm drejtimin në të cilin po ecte vendi i saj, por edhe mënyrën se si njerëzit mund të ndërtojnë shoqëri në të cilat ata mund të demonstrojnë haptas atributet që u ka dhënë Zoti.

Dritan Shano,  në përpjekje për të shpjeguar fuqinë e lirisë dhe arsyet pse në Shqipëri mungesa e saj është bjerraditëse  e pandalshme, hyri në rravgime kulturore.

Në mënyrë fine ai përqasi mendësinë e imponuar nga komunizmi, burgun e madh mental që ngriti një grup njerëzish injorantë dhe të marrë në emër të marksizmit dhe utopisë dhe pasojave të sotme.

Profesor Adrian Civici foli mbi liberalizmin si një mënyrë për të kundërshtuar çdo përpjekje për pengesë, për kontroll dhe për imponim sidomos nga shteti.

Profesor Civici risolli idetë e Ludvig von Mises, i cili konsiderohet si mendimtari më me ndikim në përkufizimin e ideve liberale në ekonomi.

Profesor Selami Xhepa kritikoi gjendjen e sotme ku shteti po rritet përditë duke ngushtuar liritë ekonomike.

Për Selami Xhepën, tradita e mendimit nuk nënkupton liri pa kushte, nuk nënkupton kapitalizëm koorporatist ku liritë jo vetëm që nuk mbrohen, por ato kufizohen përditë.

Xhepa tha se disa nga mendimtarët klasikë liberalë si Smith, Humbold etj., janë jo miqësorë me kompanitë e mëdha.

Në diskutime ishte edhe biznesmeni i njohur Behar Male, i cili me zhdërvjelltësinë e njeriut që punon prej vitesh në terren nënvizoi pengesat e mëdha që sjell informaliteti duke i zënë frymë konkurrencës së lirë.

Ylli Çabiri, ish-ministër Bashkëpunimit Ekonomik në Qeverinë e Stabilitetit të Ylli Bufit, foli për sfidat e papërballueshme të futjes së koncepteve të para të lirisë në ekonomi: vendosjes së taksave në një vend që mburrej se nuk kishte të tilla, marrjes së huave, nisjes së privatizimeve etj.

Forumi u përpoq të bëjë një lidhje mes filozofisë konservatore dhe asaj liberale, duke i parë në mjaft pika si të ngjashme në mos të njëjta.

Idetë liberale dhe konservatore, tradita e mendimit të Adam Smithit, Edmund Burkes, Ludvig von Mises, Fridrih Hajekut etj., të cilat kanë ushqyer prej dekadash të djathtën në Europë dhe SHBA, nuk ka pse të mos shërbejnë kësisoj edhe për Shqipërinë.

Ndërkohë që në Dardhë zhvillohej për të dytin vit rresht Forumi Liberal, gjithkush dukej i qartë se mendësia e antilirisë do të vazhdonte ta bënte më me zell punën e saj edhe duke kritikuar, pse jo edhe sharë, ata që ishin mbledhur në forum dhe atë që po diskutohej aty.

Pavarësisht kësaj, forume si ky  shërbejnë edhe për të treguar se parimi i parë i një shoqërie të lirë është rrjedha  pa pengesë  e fjalëve në një forum publik.

Në vitet e para të pasluftës së Dytë Botërore, në alpet zvicerane u mblodhën rreth 36 profesorë, intelektualë, filozofë dhe gazetarë, të cilët kërkonin të diskutonin mënyra dhe ide për të promovuar mbrojtjen e lirisë.

Ajo u quajt shoqëria Mount Pelerine. Shqipëria është një vend i vogël, me karakteristika të tjera, për më tepër që jetojmë në një kohë tjetër dhe nuk dukej se ndokush pretendonte  një mount pelerine shqiptar, por në mendjen e kujtdo ishte imazhi i asaj shoqërie.

Ka njerëz që mendojnë se realiteti i prodhon vetë idetë që e përkufizojnë atë dhe ka të tjerë që thonë se idetë janë në mendjet e njerëzve, të cilët me to përkufizojnë realitetin. Shumica e atyre që ishin në rrethin e Dardhës besojnë tek  idetë si përkufizuese të realitetit.

Gjithçka ka filluar me një ide.

Fondacioni për Liri Ekonomike, UET dhe administratori i tij, Henri Çili, po të shihje mënyrën se si për dy ditë u zhvillua ky forum, dëshmuan se janë të talentuar në njohjen e talentit të të tjerëve dhe në krijimin e mundësive që ata ta shprehin këtë gjë në forume publike. Sikur vetëm të ishte ngjarja, nuk është pak. f.z

 

Thanë në Forum

Ylli Çabiri: Një nga dramat më të mëdha që ka ndodhur me vendin tonë është çështja e pronës private. Qeveria e vitit 1991 mori një vendim të keq, të cilin Parlamenti e ktheu në ligj. Ajo e ndau tokën në bazë të numrit të banorëve, duke mos ua kthyer tokën pronarëve. Ka çerek shekulli që ende ai ligj është në fuqi, për be as edhe një gërmë nuk i është ndryshuar. Duhet të marrë fund kjo gjë. Ne u etiketuam si ‘qeveri  e poshtër’ se nuk mundëm të përballonin grevat, vështirësitë ekonomike, mbylljen e të gjitha ndërmarrjeve shtetërore etj., por në fakt ishte e pamundur. Nuk kishte asnjë lek në arke dhe klima politike ishte në kufijtë e luftës.

Selami Xhepa: Unë shoh se shteti po bëhet gjithnjë e më i madh. Ekonomia private, biznesi po vihet gjithnjë e më shumë nën presion dhje liritë po kufizohen vazhdimisht. Ato në të cilat ne besojmë janë vlerat  që burojnë nga Adam Smith, Fridrih Hajek, Ludvig von Mises. Ne besojmë se një qeveri duhet ta lërë biznesi dhe individin të ushtrojnë tërë fuqinë e tyre sipërmarrëse në një terren kompetitiv. Kur ky terren prishet, qeveria mund të ndërhyjë ta rregullojë, por sapo ai rikthehet në gjendjen e mëparshme, qeveria duhet të tërhiqet. Sot në Shqipëri qeveria ka miratuar një vendim, me anë të të cilit ajo mund t’u marrë pronën pronarëve në rast se një investitor privat kërkon të bëjë aty një investim strategjik. Dhe të mendosh që është vetë biznesi që e përcakton nëse është ai apo jo strategjik.

Adrian Civici: Qasja liberale më së shumti ka të bëjë me idenë e kundërshtimit të çdo forme pengese që i bëhet ekonomisë, biznesit dhe individit në ushtrimin e lirive të tij. Ka pasur gjithnjë përpjekje të qeverisë për të rritur pushtetin e saj. Në mjaft raste ajo ia ka dalë të ketë sukses. Sot në botë shteti e ka rritur praninë e vet në ekonomi me gati dy herë në 30 vitet e fundit. Është e rëndësishme që idetë liberale të promovohen, të artikulohen në mënyrën e duhur, pasi është e sigurt se njerëzit do t’i pranojnë ato si më të mirat e mundshme nëse ato shpjegohen qartë.

Dritan Shano: Vuajmë nga një mendësi e keqe, që vjen nga komunizmi  dhe që është produkt  gjithë historisë sonë që nga Perandoria Osmane. U bënë gati 25 vjet që endemi nga një mungesë lirie në tjetrën dhe kjo nuk është vetëm për shkak të politikës, por edhe për shkak të mënyrës se si shoqëria i kupton përgjegjësitë e saj. Sot kur qeveria po ekstremizon fuqinë e vet dhe po ndërhyn kudo në jetët e njerëzve, askush nuk po bën gjënë e duhur. Intelektualët së paku duhet të mos kenë frikë nga liria.

Grida Duma: Në kontekstin tonë kulturor ka disa specifika që e vështirësojnë jetësimin e lirisë. Megjithatë, ne e kemi të qartë se penguesit kryesorë janë një grup njerëzish që përdorin pushtetin e tyre për të kufizuar liritë. Ne jemi pjesë e një qytetërimi që ka zgjedhur të përdorë racionalizmin si një mënyrë për të gjetur zgjidhje dhe për të ndërtuar veprimin e tij. Është kjo mënyrë që prodhoi demokracinë dhe kapitalizmin dhe është kjo mënyrë, të cilën ne duhet ta shndërrojmë në normën tonë të përditshme.

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Trending Articles