Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Plani i qeverisë vendos fatin e 35 kompanive të mëdha

$
0
0

rama dhe sejkoBanka e Shqipërisë në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave dhe asistencën e Bankës Botërore do të përcaktojë brenda muajit dhjetor se sa nga 35 kompanitë do të shkojnë për ekzekutim dhe sa do të ristrukturohen. 35 kompanitë kanë më shumë se 52 për qind të borxheve

Fati përfundimtar i 35 kompanive që kanë peshën më të madhe të kredive të këqija në Shqipëri do të vendoset brenda dhjetorit.

Top Channel thotë se ka në dorë planin e plotë zyrtar të masave që autoritetet do të vënë në jetë për të zgjidhur një nga ngërçet më të mëdha të ekonomisë, atë të kredive me probleme. Sipas TCH, plani i bashkëfirmosur nga autoritetet më të larta të vendit, përkatësisht kryeministri Edi Rama dhe guvernatori Gent Sejko, parashikon 12 masa, por ajo më e rëndësishmja është trajtimi i borxhlinjve më problematikë të vendit.

Sipas dokumentit, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave dhe asistencën e Bankës Botërore do të përcaktojë brenda muajit dhjetor se sa nga 35 kompanitë do të shkojnë për ekzekutim, sa do çohen në falimentim dhe cilat do të ristrukturohen.

Pas këtij përcaktimi, brenda dhjetorit të vitit të ardhshëm i gjithë plani duhet të jetë ekzekutuar. Të dhënat zyrtare tregojnë se 35 kompanitë në fjalë, emrat e së cilave nuk bëhen publike, kanë mbi 52 për qind të totalit të kredive me probleme.

E shprehur në vlerë, kjo do të thotë se këto kompani ose grupe tregtare kanë në total rreth 65 miliardë lekë ose 550 milionë dollarë kredi të këqija, duke u shndërruar në burimin kryesor të pasigurive në sistemin financiar dhe ekonominë kombëtare.

Revista “Monitor” shkruan se më shumë se gjysma e këtyre kompanive nuk mund të shpëtohen dhe pritet të kalojnë në faliment, ndërkohë që qeveria do të ndërhyjë për të shpëtuar pjesën tjetër.

Ndërkohë edhe pse është një nga pikat më të rëndësishme ajo e trajtimit të borxhlinjve më problematikë, nuk është e vetmja.

Veç kësaj, autoritetet parashikojnë edhe 11 masa të tjera të detajuara nga amendimet në Kodin e Procedurës Civile, deri në ndryshimin e procedurave të përmbarimit, për t’i bërë ato efikase.

Ndërkohë që brenda vitit pritet të miratohet edhe ligji i ri i falimentit, i cili e bën më të lehtë vendosjen në faliment të kompanive të vdekura financiarisht. Autoritetet thonë se është e rëndësishme që të zgjidhin ngërçin e krijuar nga borxhi i keq në ekonomi.

Dy muajt e ardhshëm pritet të jenë intensivë në këtë drejtim, pasi shumica dërrmuese e masave për uljen e kredive të këqija, qoftë ndryshimet ligjore apo ato procedurale, e kanë si afat përfundimtar fundin e vitit. Në fund të tremujorit të dytë, kreditë e këqija ishin rreth 20.3 për qind e totalit, ose mbi 110 miliardë lekë.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Trending Articles