Dy ditë më parë fermerët e zonës së Korçës “bllokuan” hyrjen e parlamentit, si shenjë proteste për mungesën e ndihmës së qeverisë, për sigurimin e tregut të shitjes së produkteve të tyre. Si kundërpërgjigje, Zv.ministrja e Financave shqiptare nisi fjalimin gjatë konferencës së sotme, duke treguar reformën në bujqësi, e nisur nga qeveria në gusht të 2014.
“MF bëri ndryshim në ligjin për tvsh, duke i dhënë mundësi grumbulluesve për vetëfaturimin e produkteve të marra nga fermerët me NIPT. Kjo masë është subvencion total. Fermerëve u dha mundësi ta shisnin produktin me çmim të plotë.”
“Ishte formë që siguronte treg për fermerët”, argumentoi Beqiraj, duke sjellë edhe formalizimin. “Ky hap është ndër më të rëndësishmit dhe një reformë që më së shumti i erdhi në ndihmë fermerit shqiptar, duke siguruar tregjet.”- shtoi më tej ajo.
Beqiraj më tej, tregoi se grumbulluesit janë tregu i parë dhe formal për fermerët, si dhe pajisja me NIPT e fermerëve nuk i jep detyrime fiskale, por kundrejt grumbulluesve, në mënyrë që të verifikohet që është marrë nga fermerët.
Beqiraj gjithashtu bëri një përmbledhje të rezultateve të kësaj reforme, duke treguar si më poshtë:
– Nga viti 2014 ka rritje të deklarimit të prodhimit ushqimore, për 8 mujor të 2015 kemi të ardhura të rritura 43.5 mln usd
– Agrobiznesi ka parë rritje me rreth 185 mijë dollar
– Kemi ulje të importit të produkteve bujqësoreL 10 % më pak të fruta-perimeve, rreth 7 % të mishit dhe rreth 4 % të brumit për këtë 8 mujor
– 44.15 % është shifra e eksporteve të rritura
– Numri i fermerëve të regjistruar nga nëntori 2014 – ditët e sotme: 10525 kërkesa për pajisje me NIPT, para një javë mbi 9000 të plotësuara.
“Që nga dje, drejtoritë rajonale tatimore do të punojnë me orare të zgjatura dhe presim që deri të hënën të pajisen të gjithë me NIPT.”- pohoi Zv. ministrja.
“Produktet janë sezonale, presim zhvillime të mëtejshme për eksportet dhe rritje konsumi”- deklaroi në fund Beqiraj./Monitor