Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

E vetmja rrugë: Ulja e taksave

$
0
0

caniA ka nevojë ekonomia shqiptare për ulje të taksave?! Në prag të miratimit të paketës së re fiskale dhe nismës së qeverisë për formalizimin e ekonomisë, hapet debati për nivelin e taksave. Në një analizë, Drejtori i Fondacionit për Liri Ekonomike (FLE) shpjegon arsyet e nismës së fondacionit për informimin e publikut mbi efektin e politikave fiskale në vend dhe domosdoshmërinë e uljes së taksave, duke bërë bashkë pjesëtarë të dhomave të tregtisë, sipërmarrës të njohur, media dhe akademikë si Adrian Civici, Selami Xhepa, Arben Malaj

Nga Besar Kadia

Sipas Shoqatës së Investitorëve të Huaj, informaliteti apo konkurrenca ilegale mbetet një problem shqetësues në vend. Fondacioni për Liri Ekonomike mbështet çdo iniciativë që do të vendoste lehtësim të biznesit nga çdo konkurrencë e padrejtë dhe në formalizim të ekonomisë. Por ky qëllim nuk justifikon mjetet e përdorura për të arritur atë. Që në vitin 2013, Fondacioni për Liri Ekonomike ka bërë publik qëndrimin e tij së bashku me Dhomën Amerikane të Tregtisë, Dhomën e Tregtisë së Tiranës dhe Dhomën Britanike për të mos lejuar rritjen e taksave në vend dhe kemi kërkuar për më shumë transparencë nga ana e qeverisë përsa i përket politikave fiskale. Ndryshimet e shpeshta të taksave, mungesa e komunikimit me grupet e interesit, rritja e penalitetit për kundravajtësit etj., nuk është shoqëruar me përmirësim të klimës së biznesit dhe me përmirësim të administratës së vjeljes së taksave. Kështu, sipërmarrësi shqiptar shpenzon 357 orë në vit për t’i paguar taksat shtetit, nga 175 orë që e kanë vendet e OECD-së dhe po ashtu i duhet të kryejë 34 pagesa në vit, nga 11.8 që e kanë vendet e OECD-së.

Nga ana tjetër, Shoqata e Investitorëve të Huaj gjen në një studim të saj se vetëm gjysma e inspektimeve fiskale ndodhin për arsye ligjore dhe pjesa tjetër vjen për arsye korruptive. Po aq shqetësuese është gjetja se më pak se 1/3 e anëtarëve të kësaj shoqate mendojnë se gjetjet e auditit të bërë nga inspektorët e tatimeve janë të sakta dhe në përputhje me ligjin. Në rast se ofrohet korrupsion dhe këto firma kanë marrëdhënie të mira politike, atëherë gjetjet e auditit ndryshojnë në mënyrë rrënjësore. Nga ana tjetër vihet re se, në rast se apelon vendimin e inspektorëve të tatimeve, ata përballen me më shumë vizita të tatimeve. Në kontaktet që Fondacioni për Liri Ekonomike ka pasur me përfaqësues biznesi, me dhomat e tregtisë dhe me sipërmarrës biznesesh të vogla, na është shprehur i njëjti shqetësim përsa i përket ndryshimit të shpeshtë të taksave, për rritjen e tyre nga viti në vit dhe për abuzime nga ana e tatimorëve. Po të shohim të dhënat zyrtare, në fakt raportohet se në periudhën janar-shtator 2015 janë bërë 7000 ankimime për gjobat nga bizneset ose 3 herë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2014.

Ne synojmë që publiku të informohet për politikat fiskale në mënyrë profesionale dhe sipërmarrësit të artikulojnë sa më qartë interesat e tyre dhe që më pas publiku të jetë i vetëdijshëm për pasojat që ka çdo ndryshim i politikave fiskale mbi të ardhurat e tyre dhe mundësinë për punësim në të ardhmen. Ne mendojmë që liria ekonomike mundëson rritje ekonomike të lartë dhe ulje të varfërisë në vend. Çdo rritje taksash apo rritje e borxhit publik në fakt çon në ulje të kësaj lirie. E paralajmëruar nga ne një vit më parë Hertiga Foundation konfirmon se masat e ndërmarra këto dy vjet kanë përkeqësuar lirinë e të bërit biznes në Shqipëri ku kemi zbritur nga vendi 30-të në botë në vend të 65-të. Po ashtu liria ekonomike e Shqipërisë është përkeqësuar gjatë vitit që po lëmë pas, ku ne renditemi të 63-ët në botë ose 9 vende më poshtë se vitin që shkoi.

Mos harrojmë që taksa progresive u vendos me argumentin se do të ulte varfërinë në vend dhe do të bënte rishpërndarje të pasurisë. Përveç rritjes së taksave faktikisht nuk është vënë re asnjë politikë e cila mundet të vi në ndihmë shtresave në nevojë. Ndaj ne mendojmë se ka ardhur koha të bëhet një analizë e plotë mbi efektet e taksës progresive në vend dhe të taksës së sheshtë dhe të shohim kush ka qenë më efikas për ekonominë.

Duhet theksuar se qeveria ka humbur objektivin e saj kryesor për të cuar në rritje ekonomike dhe ulje të varfërisë me tërë masat që po ndërmerr për formalizimin e ekonomisë. Ajo është duke u kujdesur vetëm për të ardhurat e saj në buxhet dhe anashkalon në debat me një lehtësi shqetësuese efektin e këtyre masave mbi bizneset dhe konsumatorët vendas. Mbushja e arkës së shtetit nuk është synimi parësor i një qeverie dhe nuk mundet të angazhojë policinë, administratën tatimore dhe pothuajse tërë qeverinë për të mbushur arkën e shtetit me cdo kusht nën kamuflimin se po formalizon ekonominë. Dhoma Amerikane është shprehur se masat e qeverisë nga nxitëse të formalizimit mund të shndërrohen vetëm në “shkop ndëshkues”. Institucione ndërkombëtare si  Banka Botërore kanë shprehur shqetësim se tërë këto masa nuk po adresojnë e nevojat e shtresave të varfra dhe po ashtu FMN pranon se rritja e taksave nuk solli rritje të të ardhurave dhe se nuk ka vend për ulje taksash në të ardhmen.

Qeveria është në panik. Ajo sot po vuan pasojat e politikave të gabuara të bëra në dy vitet e shkuara dhe evazioni fiskal nuk justifikon rënien e të ardhurave në buxhetin e shtetit me 180 milion euro.  Nuk mundet dhe nuk duhet të përdorim shtetin për t’u sjellë si Sherifi i Notinghamit për të taksuar çdo gjë që ecën në këtë shoqëri. Kjo duhet theksuar pasi indeksi i besimit të qytetarëve dhe biznesit ka shënuar rënie për periudhën korrik-shtator sipas Bankës së Shqipërisë. Rënia e besimit të biznesit paralajmëron tkurrje të investimeve në vend, çka përkthehet në përkeqësim të punësimit dhe se ndryshimet në procedurat tatimore nuk po ndikojnë në përmirësim të ekonomisë.

Sistemi D dhe Debati i përjetshëm i Taksave dhe Formalizimit

Sistemi D njihet siç do akt i firmave dhe individëve që mundohen të largohen nga kontrolli i qeverisë. Kjo mund të përfshijë çdo gjë, që nga mos regjistrimi në QKR, deri tek mos pagesa e detyrimeve fiskale, piratimi etj. Kjo varion nga 8% në SHBA, në pothuajse 100% në Nigeri. Sipas autorit Robert Neuirth, në librin “Vjedhja e Kombeve” sistemi D ka një vlerë prej 14 trilion dollarësh sot në ekonominë botërore dhe punëson 1.4 miliard persona. Po të bëheshin bashkë në një vend të vetëm, e gjithë kjo ekonomi informale do të përbënte shtetin e dytë më të pasur në botë pas SHBA. Autori në fakt thyen shumë prej konvencioneve të ekonomistëve se po të formalizojmë njerëzit e varfër në vendet në zhvillim, ne në fakt nuk jemi duke i ndihmuar ata. Sipas tij, formalja dhe informalja nuk janë të kundërta të njëra-tjetrës. Shembulli që ai jep është i “Procter and Gamble”, që shet 20 miliard euro të produkteve të saj në ekonominë informale të vendeve në zhvillim dhe në Marok kjo kompani ka ndërtuar një rrjet të shitësve të vegjël  të paregjistruar.

Nga ana tjetër, De Soto thotë se sektori informal është një burim i pashtershëm i energjisë së sipërmarrësve, që mundohet t’i largohen mbirregullimit të shtetit dhe kjo energji pozitive mund të shfrytëzohet vetëm duke ulur në minimum kërkesat që shteti ka për ta. Shqipëria është një vend i varfër dhe me mungesa të theksuara në profesionalizëm të administrimit të taksave, të shpenzimeve publike dhe të burimeve njerëzore. Ndaj debati për formalizim të ekonomisë anashkalon shumë prej karakteristikave të kësaj ekonomie dhe zgjidhja nuk mund të vijë me represion dhe me rritje të masave ndëshkimore. Këto në fakt rrisin barrierat e formalizmit të këtyre njerëzve në periudhën afatgjatë dhe bëjnë të kundërtën e asaj që thotë synon profesor De Seto. Argumenti i bërë nga ekonomistë të tjerë të zhvillimit ekonomik, si Tadaro, thonë se firmat që janë informale zakonisht drejtohen nga njerëz të pashkolluar mirë, me pak kapital për ekspansion dhe nuk kërcënojnë firmat, të cilat janë të formalizuara. Firmat që ne kemi të formalizuara zakonisht janë firma që drejtohen për t’u zgjeruar në tregun vendas dhe të huaj. Ndaj këto firma çojnë në rritje ekonomike dhe në periudhën afatgjatë zhdukin këtë sektor informal pa pasur nevojë për ndërhyrje nga ana e shtetit.

Këto debate nuk janë vetëm për Shqipërinë, por janë debate të cilat shtete të ndryshme i adresojnë në format të ndryshme në varësi të kulturës vendase, të institucioneve ekonomike që kanë ndërtuar dhe të përmasave të problemit që kanë me informalitetit, buxhetin dhe varfërinë në vend. Ky debat duhet ndërtuar dhe në Shqipëri dhe nuk mundet të pretendojmë që formalizimi i firmave të vogla çon në rritje të të ardhurave në buxhet, pasi siç thamë dhe më sipër, mungesa e konkurrueshmërisë nga ana e tyre çon më tepër drejt mbylljes dhe rritje të varfërisë më shumë, sesa drejt kontributit në ekonomi.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Trending Articles