Së pari, për shumë arsye Shqipëria pati “dekadën e saj të artë” të historisë së shtetit modern gjatë periudhës 2000-2010 (krahasuar me të dhënat nga viti 1870). Ritme të larta të rritjes ekonomike, pesëfishim pagash për punonjësit e administratës publike e ulje të varfërisë u realizuan falë liberalizimit të tregut dhe nxitjes së investimeve vendase dhe të huaja. Kjo është dekada e vetme që në mungesë të ndërhyrjes së shtetit direkt në ekonomi dhe pavarësisht informalitet të lartë mundëm të përgjysmojmë varfërinë në vend. Bazuar në të dhënat e vrojtimeve të INSTAT-it, Bankës Botërore dhe UNDP-së, rezulton se në 2008, rreth 12.4% e popullsisë jetonte në varfëri absolute (rreth 373 137 persona), nga 25.4% në vitin 2002 (rreth 813 196 persona). Atëherë argumenti të shtyn të besosh se qeveria apo institucionet publike duhet të bëjnë çmos që të garantojnë rritje ekonomike dhe jo të përqendrohen në politika që çojnë në uljen e pabarazisë, siç mund të jetë politika e re e taksës progresive, e cila u argumentua krejtësisht për arsye etike e morale dhe jo në funksion të efikasitetit dhe konkurrueshmërisë së ekonomisë sonë.
Së dyti, ne si shoqëri nuk mundemi akoma të kemi një qëndrim të paanshëm mbi sipërmarrësit e të pasurit për shkak të ideologjizimit të fortë socialist në vend që vihet re lehtësisht tek intelektualët vendas, të shumë ambiente universitare apo dhe gjerësisht në publik. Për këtë arsye, ashtu sikundër dhe para 40 vitesh, vendimmarrësit sërish besojnë se pabarazia dhe varfëria janë çështje dhe problematika etike e morale dhe nuk duhet interpretim dhe zgjidhje nga ekonomistët. Por ky debat i shtruar në rrafshin moral e etik çon në rezultate të gabuara për të ulur varfërinë në vend. Debati ka nisur nga ekonomisti francez Pikkety dhe shumë ekonomistë vendas mbi rëndësinë e rritjes së taksave mbi kapitalin dhe taksës progresive dhe rëndësisë së luftimit të varfërisë nga ana e qeverisë. Politikisht, zgjedhjet e fundit treguan se shqiptarët duan të luftojnë pabarazinë në ekonominë e tyre. Por statistikat tregojnë se të pasurit, ata që fitojnë më shumë se 1000 euro në muaj, në vend janë vetëm 15 mijë persona nga 440 mijë të punësuar. Të thuash që duhet të ndjekim politika të rishpërndarjes të pasurisë kur në 3 milionë banorë vetëm 15 mijë persona paguhen më shumë se 1000 euro, duket e gabuar. Nga ana tjetër, taksat u rritën që të rriten pagesat për të varfërit, ndërkohë që në 5 muajt e parë të 2015-s krahasuar me 5 muajt e parë të 2013: pagesa e papunësisë ka rënë me 20%, dhe pagesat për ndihmë ekonomike kanë rënë me 22%. Pra taksa më të larta për të ndihmuar të varfërit, por ulje të konsiderueshme të buxhetit për të varfërit. Kontradiktë, apo jo?
Nga ana tjetër, është inkurajuese kur sheh se Shqipëria ka mesataren më të ulët në rajon përsa i përket mbështetjes për adresim të pabarazisë mes të varfërve dhe të pasurve nga ana e shtetit. Kështu për shembull, 86% e qytetarëve serbë janë dakord ose plotësisht dakord me uljen e pabarazisë, e njëjta gjë ndodh dhe në Maqedoni 85%, apo Kroaci 78%.
Largimi i mendësisë socialiste do gjenerata. Ekonomisti Alesaina ka kryer një studim mbi efektet që pati qeverisja 45-vjeçare mbi mënyrën e të menduarit mbi qytetarët e Gjermanisë Lindore përsa i përket ekonomisë së tregut, rolit të shtetit në shërbimet sociale dhe rolit të saj në politikat rishpërndarëse nga të pasurit te më të varfërit. Studimi arrin në përfundimin se qytetarët e Gjermanisë Lindore akoma dhe sot janë më pro përfshirjes së shtetit në ekonomi sesa gjermanët perëndimorë. Në analizën e tyre do të duhen një ose dy gjenerata (20 deri në 40 vjet) që një gjermano-lindor të ketë të njëjtat këndvështrime si ata perëndimorë. Kjo diferencë lidhet direkt dhe kryesisht me traditën komuniste të ndërhyrjes apo dhe indoktrinimit që ka mbetur si pasojë e shkollimit publik. Pra, pavarësisht faktit se komunizmi e bëri Gjermaninë Lindore më të varfër, qytetarët atje sërish presin më shumë, dhe për rrjedhojë janë më në favor të saj, nga politikat rishpërndarëse të shtetit.
Për Fondacionin për Liri Ekonomike, mbështetja publike për ekonominë e tregut dhe për sipërmarrjen e lirë është shumë e rëndësishme për të lejuar më pas reforma të mëtejshme transformuese. Ekonomisti Williamson identifikon mbështetjen publike si një ndër tre faktorët kryesorë për të patur reforma të suksesshme. Kështu vetëm kërcënimi për rishikim të licencave të privatizimeve dobëson incentivat e sektorit privat për të investuar në fabrika apo industri që kanë qenë në pronësi të shtetit. Investitorët zakonisht u duhet që të bëjnë investime paraprake, të cilat janë të parikuperueshme më vonë. Në rast se politikat populiste kërcënojnë investimin e tyre, ata janë të tërhequr për të investuar në industritë ku operojnë e në mos ulje të papunësisë e varfërisë në vend.
Ndaj me anë të kësaj liste të dhjetë të pasurve, ne duhet të tregojmë se Shqipëria ka një ekonomi tregu që lejon dhe u mundëson investitorëve të përfitojnë nga tregu. Nëpërmjet këtij studimi, ne të mund të tregojmë se nga vendi më i izoluar në botë, Shqipëria është tashmë një vend me klasën e saj të kapitalistëve dhe që kanë mundur të shtrijnë investimet e tyre dhe në rajon dhe më gjerë. Duhet të rrisim numrin e milionerëve në vend e jo t’i shohim me mëdyshje. Është në interesin tonë, është në interes të të papunëve e të varfërve, është në interes të së ardhmes së Shqipërisë. Ekonomia nuk po rritet me të njëjtat ritme si më parë e varfëria në vend është rritur. Dekada e artë mbaroi tani duhet të garantojmë qëndrueshmëri të arritjeve të saj e jo ta luftojmë.
Gjithashtu është me rëndësi të theksojmë se kjo listë krijon një presion mbi bizneset për t’u formalizuar e për ta bërë në sytë e qytetarëve fitimin dhe kapitalin të moralshëm. Nga një shoqëri, e cila mbyti sipërmarrjen e lirë, ne duhet të pranojmë rendin e ri shoqëror se jo të gjithë kemi të njëjtat aftësi, jo të gjithë kemi të njëjtën ambicie e efikasitet dhe për këtë arsye nuk mundet të shohim njerëzit e suksesshëm në sipërmarrje si persona që iu është falur gjithçka që ata kanë me pa të drejtë. Sipërmarrësit e suksesshëm duhet të shndërrohen si modele për të rinjtë për t’u ndjekur e për t’i ndryshuar objektivat në jetë se angazhimi në politikë e korrupsioni qenka e vetmja mënyrë për t’u pasuruar e respektuar në shoqëri.