A ndikoi ndryshimi i pushtetit në listën e më të pasurve dhe si ndikohet kjo listë prej parasë publike?!
Nga Vladimir Karaj
Lidhjet e politikës me biznesin nuk kanë qenë asnjëherë diçka e fshehur në Shqipëri. Me gjasë, shumica e këtyre lidhjeve as është joligjore për të qenë pjesë e ndonjë procesi hetimi. Por ndërsa FLE publikoi listën e re të të pasurve të Shqipërisë, rëniet dhe ngritjet në listë janë në një formë ose një tjetër edhe lidhjet e përmendura mes biznesit dhe politikës. Nëse përjashtohen dy vendet e para që mbeten të pandryshuara, një pjesë e mirë e listës së milionerëve poshtë saj është ndikuar nga ndryshimet politike në vend dhe zgjedhjet e 2013.
Biznesmeni Bashkim Ulaj ka lëvizur, sipas listës, nga vendi i tretë në të nëntin. Gjatë kohës që PS ishte në opozitë, Ulaj ka qenë në listën e atyre që deputetet socialistë akuzonin për lidhje me qeverinë dhe përfitime kontratash. Ai shihej prej tyre si një nga përfituesit kryesorë të tenderave për punë publike, ndërtime rrugësh dhe infrastrukturë tjetër.
Kështu, prej listës ka rënë biznesmeni Ramë Geci. Geci, ashtu si dhe Ulaj, ishte në listën e të akuzuarve prej opozitës së dikurshme. Punët e tij përfshijnë po ashtu një gamë punësh publike dhe ai ka qenë një nga ndërtuesit në të shumëpërfolurën “Durrës-Kukës”.
Rënia e Ulajt përkon me ndryshime të tjera në listë.
Idajet Ismailaj, po ashtu ndërtues dhe i angazhuar në punë publike, është pozicionuar në vendin e 7 të saj. Ismailaj nuk ishte i pranishëm në listën e para një viti. Ai nuk është në listën e atyre që njihen si pranë njërit krah apo tjetrit.
Por ndërkohë biznesmenë si Vilma Nushi, e famshme për ekskluzivitetin e shpërndarjes së cigareve, është sulmuar publikisht nga opozita e re se ka përfituar në tendera publikë. Rritja e dy biznesmenëve mund t’u atribuohet ndërkohë edhe faktorëve të tjerë dhe një lidhje e drejtpërdrejtë me politikën nuk mund të provohet vetëm prej listës. Fakti është që një pjesë e tyre janë përfitues në tenderat publikë dhe megjithëse nuk ka asnjë paligjshmëri, është e qartë që ka një tendencë ndryshimi mes grupeve të përfitimit. Sidoqoftë, pjesa tjetër e listës nuk ka ndryshime domethënëse. Fakti që kompani, sidomos ato të mallrave të konsumit, mbeten parësore dhe më të rëndësishme, është i ngjashëm me tendencën e Wallmartit, që mbetet gjithmonë ndër më të pasurit në SHBA.
Në Shqipëri, në listë janë gjithmonë edhe biznese që janë të rëndësishme në fushën e medias. Megjithë krizën që ka kjo e fundit, qëndrimi i tyre në radhët e më të pasurve tregon se ky mbetet një biznes i lakmuar. Megjithëse kjo listë është e pamjaftueshme për të provuar, qartazi ka një lidhje preferenciale në politikë për mënyrën sesi lëvizin paratë publike.
Zef Preçi: Të pasurit në Shqipëri nuk deklarohen
Dje u publikua lista e më të pasurve në Shqipëri nga FLE, ajo që bie në sy e mendojmë që vlen të komentohet, ka të bëjë me lëvizjet në listë. Ndërrimi i qeverive ka sjellë edhe ndryshimet në listë, që lidhen në një mënyrë ose tjetër, me paratë publike që kompanitë kanë marrë (me qeverinë e tanishme ose të kaluarën). Cili është qëndrimi juaj sa i përket lidhjeve biznes-politikë?
Së pari, mendoj se është një nismë e mirë kjo e Fondacionit për Liri Ekonomike për publikimin e listës së më të pasurve të vendit. Kjo është një traditë e njohur në vendet me kulturë anglo-saksone dhe nuk përbën kuriozitet.
Në rastin e vendit tonë, ndryshimi qëndron sipas meje, së pari, në faktin se të dhënat e ndryshme nga burime të tjera e kryesisht nga komuniteti i biznesit flasin për individë të tjerë që janë ndoshta shumë herë më të pasur se listat e publikuara nga FLE gjatë dy apo tri viteve të fundit.
Së dyti, nga opinioni publik, por edhe nga qarqet studimore të caktuara, ndoshta edhe nga agjencitë e specializuara të inteligjencës pranohet gjerësisht se ka individë shumë të pasur në radhët e klasës politike dhe administrative të vendit. Dmth bëhet fjalë për rastet ku funksionarë të lartë publikë, në pushtet dhe në opozitë përfliten si zotërues milionash (në euro) shumica në emrin e personave të tretë dhe ndonjëri pjesërisht edhe në emrin e vet. Por pasurimi i politikanëve mbetet kryesisht me kuadrin e përfoljes publike dhe pa asnjë indikacion nga agjencitë ligj-zbatuese të vendit. Në vendet perëndimore që kam patur rastin të vizitoj lista me emrat e sipërmarrësve – të ligjshëm kuptohet se të paligjshmit janë prapa hekurave – zakonisht publikohen njëherë në vit. Në to përfshihet një numër më i madh individësh, duke bërë edhe renditjen e tyre sipas vlerësimeve të përafërta të aseteve, aksioneve apo pasurive likuide që zotërojnë brenda dhe jashtë vendit. Kështu për shembull, Irlanda publikon një listë me 500 persona të tillë.
Sa i takon faktit që ju përmendni në listë, dmth të ndryshimit të renditjes në listën e FLE, kjo është një çështje e komplikuar. E para për faktin se deklarime të tilla nuk bëhen pa lejen e personave në fjalë (dhe unë besoj se për shumë arsye që nga mënyra si janë bërë të pasur disa syresh deri edhe për arsye të sigurisë personale shumica e më të pasurve nuk preferojnë të deklarohen). E dyta edhe për faktin se disa kompani të mëdha nuk kanë ngjyrë politike dmth “janë miqësore” me çdo grupim që drejton vendin, madje deri në kufijtë e shqetësimit publik. Kjo sepse në radhët e pronarëve apo aksionerëve kryesorë të këtyre kompanive gjen edhe persona të njohur nga publiku si “middle man” – fjala është për ata që publiku i ka njohur dhe i njeh si “eminenca gri” të drejtuesve kryesorë politikë. Në mjaft raste ata janë njëkohësisht edhe sponsorizuesit e padukshëm për publikun të fushatave zgjedhore që sa vijnë e shtrenjtohen në vendin më të varfër të Europës, por edhe përfituesit kryesorë që deformojnë konkurrencën dmth që “thithin” privatizimet, fondet publike, koncesione, etj. Madje në këtë kategori të fundit nuk përjashtohen dhe rastet e deformimit për interesa klienteliste të procesit ligjvënës, dmth ndërmarrja dhe miratimi i nismave ligjore në të cilat krijohen monopole të reja në fushën e partneritetit publik-privat, në koncesionimin e disa shërbimeve publike të rëndësishme herë herë edhe drejtpërdrejtë pa kurrfarë gare qoftë edhe formale, dhe në ligjet përkatëse mungon vetëm emri i firmës “fituese” (nënkupto personit të fuqishëm pranë udhëheqjes) dhe ligjvënës të rëndësishëm – njohës të problemit rreken të sforcuar të bindin opinionin se po veprojnë “në emër të interesave publike”.
Ndërkaq, sipas meje është bërë kërcënues fenomeni i futjes së individëve të pasur në përfaqësimin politik (Kuvendin e Shqipërisë) dhe në pozicionet e tjera drejtuese të shtetit si për faktin se vendosja nën kontrollin e tyre të drejtimit politik të vendit është një kërcënim për demokracinë dhe mund të jetë një ndër shpjegimet kryesore për performancën e dobët ekonomike të vendit dhe progresin e ngadalshëm në integrimin Europian të tij, ashtu edhe për faktin se deformacione të tilla ushqejnë populizmin politik, keqqeverisjen e vendit dhe përgatitin terrenin e paqëndrueshmërisë politike dhe të trazirave sociale në një kohe krize të zgjatur si kjo që përjetojmë prej 6-7 vjetësh.
Top-10, lista e më të pasurve në Shqipëri 2012-2013, do të përmblidhej në këtë format:
- Samir Mane
- Vasil Naçi
- Bashkim Ulaj
- Artan Dulaku
- Vjollca Hoxha
- Shefqet Kastrati
- Grigor Joti
- Edmond Leka
- Vilma Nushi
- Ramë Geci
Top-10, lista e më të pasurve në Shqipëri 2013-2014, do të përmblidhej në këtë format:
1 Samir Mane
2 Vasil Naçi
3 Shefqet Kastrati
4 Vjollca Hoxha
5 Edmond Leka
6 Grigor Joti
7 Idajet Ismailaj
8 Vilma Nushi
9 Bashkim Ulaj
10 Artan Dulaku