Kreu i Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, Marco Leidekker flet para largimit pas më shumë se katër vitesh punë në Shqipëri
Z.Leidekker, ju keni shërbyer si Kreu i Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë për më shumë se katër vjet. Kur është fjala për organizatat ndërkombëtare, shqiptarët dëshirojnë të kuptojnë rezultatet konkrete të ndihmës së tyre. Nëse do të përmblidhnit rezultatet e punës suaj në pesë produkte kryesore, cilat do të ishin ato?
Puna e Këshillit të Europës (KiE) nuk është gjithmonë e dukshme për publikun, gjë që është e lidhur me natyrën e punës që ne bëjmë: ne ndihmojmë në hartimin legjislacionit dhe zhvillimin e politikave. Që nga hapja e zyrës në Tiranë më shumë se katër vjet më parë KiE ka luajtur rol në një numër fushash të rëndësishme duke përfshirë reformën në drejtësi, decentralizimin, politikat dhe legjislacionin për median, imunitetin e parlamentarëve dhe disa çështje që lidhen me pronat. Gjithmonë objektivi ynë është të ndihmojmë vendin për të përmbushur detyrimet ndërkombëtare (përfshirë ato që rrjedhin nga anëtarësimi në KiE) dhe ambicie të tilla si pranimi në BE. Ju lutem të keni parasysh se acquis të BE-së rrjedhin pjesërisht nga detyrimet e Këshillit të Europës. Me fjalë të tjera plotësimi me përkushtim i kërkesave që sjell anëtarësimi në KiE e afron hyrjen në BE.
Vendi po kalon përmes reformash të rëndësishme. Këshilli i Europës ka ndihmuar dhe po ndihmon në disa prej tyre. Një nga reformat themelore është Reforma Administrative Territoriale. Bazuar në acquis të KiE-s, për çfarë duhet të jemi vigjilentë në mënyrë që kjo reformë të zbatohet në pajtim me acquis?
Qeveria ka krijuar 61 bashki të reja dhe është duke përgatitur një ligj të ri mbi pushtetit vendor dhe një ligj të tjetër ri mbi decentralizmin fiskal. Këto janë ligje të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë pasi do të përforcojnë pozitën e pushtetit vendor përkundrejt pushtetit qendror. Me fjalë të tjera, duke miratuar këtë legjislacion, autoritetet qendrore janë duke “këputur një copë nga vetja e tyre”; ato do të humbasin një pjesë të pushtetit të tyre. E dhimbshme por e domosdoshme në qoftë se Shqipëria dëshironte të përmirësojë kushtet e jetesës brenda dhe jashtë Tiranës.
Komisioni i Venecias është një nga institucionet më të rëndësishme të Këshillit të Europës dhe në Shqipëri dëgjojmë shpesh politikanët ta përmendin atë si institucioni që do të certifikojë reformën e gjyqësorit. Cili do jetë roli që do duhet të presim nga Komisioni i Venecias në lidhje me reformën tonë të gjyqësorit?
Komisioni i Venecias është një organ ekspertësh ligjorë, i cili këshillon Shqipërinë në një numër çështjesh ligjore. Aktualisht, Komisioni i Venecias është i përfshirë në çështjen e dekriminalizimit të Parlamentit dhe reformën në gjyqësor. Përsa i përket kësaj të fundit, jam i mendimit që Komisioni i Posaçëm do t’i drejtohet Komisionit të Venecias të analizojë propozimet e bëra prej tij.
Në rast se ndodh kështu, atëherë Komisioni i Venecias do të japë mendimin e vet për cilësinë ligjore të propozimeve si p.sh.; nëse janë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, standardet dhe praktikat më të mira. Megjithatë, duhet patur parasysh se Komisioni i Venecias nuk është një arbitër dhe nuk vendos se çfarë është më e mirë për Shqipërinë. Kjo është detyrë e Kuvendit të Shqipërisë. Ajo çfarë do të merret nga Komisioni i Venecias do jetë një mendim ligjor mbi propozime ligjore.
Kur bëhet fjalë për lirinë e medias, gur themeltar i praktikës gjyqësore europiane është Neni 10 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Mes të tjerash, ju keni qenë aktivë me ekspertizë ligjore në fusha si fyerja dhe shpifja, pavarësia dhe eficenca e AMA-s, financimi në media dhe rregullimi online. Në vlerësimin tuaj, çfarë i duhet medias shqiptare që të jetë në gjendje të luajë si duhet rolin e saj në shoqëri?
Pikësëpari i duhet pavarësi. Kush do t’ i besonte një media-je që nuk është e pavarur? Prandaj për njerëzit në Shqipëri duhet të jetë e qartë se kush janë pronarët e medias dhe cilat janë interesat e tyre të biznesit.
Përveç kësaj, në Shqipëri është edhe institucioni që njihet si Autoriteti i Medias Audiovizive (AMA), i cili mes detyrave të tjera ka edhe ruajtjen e pavarësisë së medias. Megjithatë, në mënyrë që ta luajë si duhet këtë rol, AMA duhet të jetë edhe vetë e pavarur. Në vitin 2014 Këshillit të Evropës iu kërkua nga Kuvendi që të analizonte pavarësinë e AMA-s. Rezultati nuk ishte aspak pozitiv. Ne përcaktuam një udhëzues se si mund të ndërtohej një autoritet i pavarur rregullues. Ashtu si e përmenda, kjo punë u bë në vitin 2014. Deri tani Kuvendi nuk i ka diskutuar rezultatit e këtij studimi që e ka porositur vetë.
Sfidat e vendit për të zgjidhur një herë e mirë problemet me pronën mbeten shumë të mëdha. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e Këshillit të Evropës ka qenë shumë e qartë në gjykimet e saj kundrejt Shqipërisë. Nëse do të zgjidhnit të hartonit një hartë orientuese, çfarë duhet të bëjë Shqipëria që të përmbushë standardet e Këshillit të Europës dhe praktikën gjyqësorë të Gjykatës së Strasburgut?
Shqipërisë i duhet ta bëjë vetë këtë hartë. I duhet të shqyrtojë se sa dëshiron ta trajtojë çështjen e pronës të shpronësuar në periudhën e Komunizmit. Ky nuk është roli i Këshillit të Europës. Por është detyra e Këshillit të Evropës që të monitorojë nëse gjykimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, të cilat janë ligjërisht të detyrueshme, zbatohen ashtu si duhet. Është e vërtetë që Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka shpërblyer shuma të mëdha financiare për të kompensuar qytetarët shqiptarë që kanë qenë shpronësuar apo që iu janë njohur titujt e pronësisë nga gjykatat shqiptare, dhe që nuk kanë përfituar asnjë kompensim financiar për tokën që iu është marrë. Prandaj këto raste përfundojnë në Strasburg. Dhe një pjesë e madhe e këtyre vendimeve të gjykatave të vendit datojnë që nga fillimet e viteve ‘90 dhe kompensimi mund të jetë substancial. Është e kuptueshme që qeveria shqiptare është duke u përpjekur të gjejë një zgjidhje: buxheti i qeverisë po humbet shuma të mëdha parash. Për këtë arsye, ata kanë propozuar një projektligj që është dërguar në Strasburg dhe që për momentin është duke u shqyrtuar.