Edhe këtë vit ditët e fundit të dhjetorit kanë sjell rritje të çmimeve. Sipas një vëzhgimi tre ditor të bërë nga Ora News, rezulton se rritje kanë pësuar prodhimet e stinës si agrumet, lulelakra e brokoli.
Fenomeni i rritjes së çmimeve në prag të fundvitit nuk ka munguar as këtë fund dhjetori në tregjet shqiptare. Tregtarët pohojnë shtrenjtësinë por justifikohen me faktin se rritje ka pasur vetëm në kategorinë e prodhimeve të stinës, gjë që për ta konsiderohet normale.
Sipas një vëzhgimi, rezulton se këto produkte janë shtrenjtuar me 30-50 lekë. Kështu një kilogram mandarinë pak ditë më parë shitej me 70 lekë ndërsa sot qytetarët për të njëjtën sasi paguajnë 100 lekë. Po ashtu edhe lulelakra, brokoli, domatet e kastravecët nuk i kanë shpëtuar çmimeve të larta.
Vetë qytetarët i kanë lënë për ditët e fundit blerjet për tryezën e vitit të ri.
Për disa prej tyre çmimet janë normale e lehtësisht të përballueshme.
Qytetarë: Nuk më duket ndonjë çmim shumë i shtrenjtë.
-Ka markete që i kanë ulur, por edhe këtu aty-aty janë.
Por ka dhe familjarë e sidomos pensionistë që kujdesen të blejnë vetëm produktet e domosdoshme, ndërsa çmimet thonë se rëndojnë xhepat e tyre.
Pensionistë: Për ta përballuar vitin e ri me sforco.
-1500 lekë mandarina, shumë shtrenjtë.
Për tregtarët shqetësim përbën rënia e fuqisë blerëse, ndërsa çmimet i krahasojnë me një vit më parë dhe thonë se janë më të lira.
Tregtarë: Fuqi blerëse mesatare. Njerëzit po mundohen të gëzojnë fëmijët.
-Çmimet janë të arsyeshme, por blerje nuk ka.
Tabela
Prodhimet Ishin Janë
Mandarina 70 lekë/kg 100lekë/kg
Portokalle 80 lekë/kg 120 lekë/kg
Lulelakra 80lekë/kg 130 lekë/kg
Domatet 70 lekë/kg 100 lekë/kg