Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

‘Vjedhja e madhe’: Punonjësit e ARMO-s marshojnë drejt Tiranës

$
0
0

Puna dhe pagat në sektorin privat kanë pësuar luhatje të forta në vitet e fundit për shkak të ndryshimit të ciklit të ekonomisë, por për punonjësit e rafinerisë së naftës në Fier, ARMO, e cila “falimenton” dy herë në vit, është kthyer në dramë të vertëtë për 1200 punonjësit që kanë të lidhur jeten me të ardhurat që nxjerrin nga puna në rafineri.

Sot rreth 1000 punonjës të ARMO-s janë nisur në këmbë drejt kryeqytetit, duke bllokuar funksionimin e pjesshëm të autostradës Fier -Tiranë, me qëllim për te vijuar protesten e tyre para zyrave të qeverisë në Tiranë.

Prej gati një muaji pa punë dhe pa marrë ende rrogën e nëntorit, punonjësit janë nisur drejt Tiranës, ku pritet të përqendrojnë protesten e tyre para ambjenteve të Ministrisë për Infrastrukturën dhe Energjinë.

Burimet nga Sindikata e Punonjësve pohuan se, fillimisht kompania që ka marrë me qira ARMO-n, iRTC (IONIAN REFINING AND TRADING COMPANY) ka anuluar aktivitetin me argumentin se do të zhvillohej remont në rafineri, por teksa kanë kaluar më shumë se tre javë dhe rroga e nëntorit nuk është dhënë, punonjësit janë informuar se aktiviteti ka pushuar.

Qysh kur Rafineria është privatizuar punonjësit e kompanisë nuk kanë gjetur qetësi. Falimenti i “Taçi Oil” që privatizoi kompaninë nëpëmjet një tenderi ndërkombëtar u pasua me nje tranzicion të vështirë për ARMO-n e cila ka kaluar dorë më dorë me qiradhënie duke akumuluar një “mal” me detyrime ndaj shtetit dhe punonjësve.

Fatmir Bala është një nga punonjësit që i është bashkuar protestës. Jeta e tijrit ka qenë e lidhur më industrinë e naftës dhe rroga ishte burimi i vetëm të ardhurave për familjen. Tani e ka të vështirë të sigurojë ushqimin e përditshëm për të paguar faturat e dritave dhe ujit dhe nuk po siguron as mbijetesën. Ai ende punon në Pontilin e Vlorës dhe në këto dy vite e fundit ka qenë dëshmitar i humbjes së katër kolegëve. “Ju nuk e dini, punonjësit e ARMOS-s nuk e gëzojnë pensionin. Kolegët e mi pothuajse të gjithë kanë vdekur në prag të pensionit dhe ose pak vite më pas. Punojmë në mes të squfurit dhe helmeve. Këta që janë gjallë janë gjithë sëmundje, pinë një barrë ilaçe në muaj”, tha Fatmiri më zë të fikur nga dhimbja.

Meçan Duraj është një tjetër histori tragjike. Ai është një mekanik profesionist dhe la Greqinë pak vite më parë për t’u kujdesur për prindërit e plakur në Fier. Fati e deshi të fillonte punë në ARMO dhe rroga ishte e mirë. Tani ka dy fëmijë të rritur, që ndjekin shkollën e mesme. Ka muaj pa marrë rrogën, shpesh i është dashur t’i vërë kalamajtë në gjumë pa bukë.

Punonjësve në shesh iu ka mbërritur thika në palcë, borxhet për secilin janë 7-10 milionë lekë të vjetra. Ata e dinë që kanë punuar në një kompani private, por bëjnë qeverinë fajtore. Ende sot shteti shqiptar ka në pronësi 15 për qind aksioneve të ARMO-s dhe qeveria duhet të kishte ushtruar kontroll të paktën mbi kompanitë që po e shfrytëzojnë sot e kësaj ditë.

Që nga 2013 deri në mesin e 2015, Azerët kanë përpunuar 650 mije tonë naftë. E kanë shitur të gjithën. Ata e kanë ende në administrim. Ku i kanë paratë pse nuk na paguajnë, thonë punonjësit të dëshpëruar duke u shprehur se, ARMO është një strumbullar i madh abuzimesh dhe korrupsioni, i qeverisë me kompanitë që e kanë shfrytëzuar, por të paktën të na japin rrogat, shprehen punonjësit./Monitor

ARMO, kjo vjedhje e madhe. Në 11 muaj, 60 milionë euro taksa të papaguara

Prej dy javësh ARMO, rafineria e përpunimit të naftës në vend, ka mbyllur dyert për të disatën herë, duke lënë miliona euro detyrime të papaguara ndaj shtetit, një skemë e njohur kjo, që po përsëritet që prej vitit 2009, kur ARMO u privatizua.

Sipas të dhënave të siguruara nga ‘Monitor’, për 11 muajt e këtij viti, sasia e naftës e përpunuar nga ARMO dhe e hedhur në treg ka qenë 156 mijë tonë (184 milionë litra, në bazë të dendësisë 1 ton = 1,180 litra), me një rritje të ndjeshme në krahasim me sasinë prej 11 mijë tonësh të përpunuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja e ndjeshme e prodhimit, ka bërë që ARMO të zërë 30% të tregut të furnizimit me karburant në vend për periudhën janar-nëntor (për të njëjtën periudhë importet ishin 357 mijë tonë, me një rënie prej 23% me bazë vjetore).

Për këtë sasi nafte të prodhuar, ARMO ka paguar akcizë në vlerën e 6.8 miliardë lekë, ose rreth 50 milionë euro, sipas të dhënave zyrtare (shiko tabelën). Kompania është e detyruar të paguajë akcizën në momentin që hedh produktin për konsum, përndryshe nuk mund ta nxjerrë atë nga magazina doganore. Sipas legjislacionit në fuqi, momenti i pagesës së detyrimit të akcizës është hedhja për konsum e produktit. Shoqërimi i të gjitha procedurave të deklarimit bëhet nëpërmjet Dokumentit Shoqërues Administrativ, DSHA. Të gjithë subjektet që përpunojnë produkte me akcizë detyrimisht pajisen me statusin e Depozituesit të Miratuar (Magazine Fiskale) nga administrata doganore (pra kur del nga prodhimi drejt magazinës fiskale, paguhet automatikisht akciza). Çdo subjekt duhet të garantojë detyrimet e akcizës me lëvizje prodhim depozitim. Deklarimi dhe pagesa online bëhet nëpërmjet modulit kompjuterik të instaluar pranë Operatorëve.

Pasi del nga magazina fiskale dhe hidhet në treg duhen paguar taksat e tjera, TVSH, taksa e karbonit dhe e qarkullimit. Por, ARMO rezulton të ketë paguar vetëm akcizën dhe jo taksat e tjera, përfshirë TVSH-në që është 20%, ose rreth 13 lekë për litër, taksë qarkullimi fikse prej 27 lekësh për litër dhe taksë karburanti prej 3 lekë për litër. Në total, për 184 milionë litrat e hedhura në treg, ARMO nuk rezulton të ketë paguar të paktën 43 lekë për litër taksa, ose 7.9 miliardë lekë detyrime (rreth 60 milionë euro). Pra nga të paktën 110 milionë euro taksa që ARMO duhet të derdhte në shtet, ka paguar më pak se gjysmën.

Nafta e ARMO-s, ndërkohë është shitur në treg me çmim pakice të paktën 160 lekë për litër, në nivele vetëm 5-7 lekë për litër më të ulëta se nafta e importit. Ndërsa cilësia e karburanteve ka qenë dukshëm më e përkeqësuar që kur ARMO u fut në treg, teksa në rrugë u shtuan makinat që nxirrnin tym të zi, duke ndotur cilësinë e ajrit.

Që prej shtatorit të vitit të kaluar, Kompania Jonian Refining dhe Trading Co. –IRTC SH.A mori në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO dhe në fund të vitit të kaluar filloi përpunimin e naftës, sipas një kontrate të lidhur me prodhuesin më të madh të naftës në vend, Bankers Petroleum. IRTC rezulton e regjistruar offshore në ishujt britanikë Virgin. Kjo u cilësua nga qeveria në atë kohë si një marrëveshje e rëndësishme, që do të riaktivizonte prodhimin do të fuste të punë punonjësit dhe do të rriste investimet.

Por, pas një viti jemi kthyer sërish në pikën e fillimit. ARMO shfrytëzohet përmes qiramarrësve, nafta shitet me çmim tregu, taksat nuk paguhen, qiraxhinjtë zhduken, në pritje të një tjetri që do të përdorë të njëjtën skemë. Tatimet e doganat bllokojnë llogaritë e vënë sekuestro mbi kompanitë, por nuk arrijnë të marrin gjë.

Ndërsa borxhi fiskal sa vjen e rritet. Tatimet publikuan së fundmi listën e kompanive debitore, ku rezultonte se ARMO dhe kompanitë që e kanë administruar atë kanë krijuar në vite rreth 33 miliardë lekë (rreth 240 milionë euro) detyrime tatimore, të cilat me procesin e fshirjes zbritën në 13.2 miliardë lekë në fund të shtatorit 2017.

Historia e ARMO

Në vitin 2008 ARMO u privatizua nga grupi Taçi Oil, që mori në kontroll 85% të aksioneve të ARMO nëpërmjet kompanisë Anika Mercuria Rafinery Associated Oil, AMRA Oil, për 128 milionë euro. Grupi Taçi është tashmë i falimentuar dhe pronari i saj Rezart Taçi është në ndjekje penale për evazion fiskal.

Në vitin 2013, azerët e Heaney Assets Corporation blenë paketën e aksioneve të AMRA Oil. Azerët e përdorën për pak kohë kompaninë dhe më pas u tërhoqën. Në 2014-2015, përmes qiradhënies ARMO-n e shfrytëzuan Deveron Oil Albania, TPD-Trading Petrol & Drilling. Pas një periudhe disamujore ku aktiviteti mbeti pezull në shtator 2016 erdhi ITRC, që e mbylli si gjithë të tjetër, me një fund pa lavdi.

15% të aksioneve të ARMO-s janë ende në pronësi të shtetit, por nga institucionet shtetërore historikisht ka munguar transparenca se çfarë po ndodh me një nga kompanitë më të rëndësishme në vend./Monitor


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663