Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Bilancet e dyfishta, bankierët presin ulje të ndjeshme të kreditimit vitin e ardhshëm

$
0
0

Nga 1 janari 2018, bankat nuk do të kreditojnë bizneset me dy bilance. Palët e tregut duket se e përkrahin të gjithë iniciativën por nuk e kanë të qartë si do arrihet kjo mrekulli formalizimi që ligjet në fuqi e kanë të ezauruar, të paktën në letër. Bankierët paralajmërojnë rënie të kreditimit në ekonomi

Nga Nertila Maho, Monitor

Janari i vitit të ardhshëm do të jetë ndryshe për bankierët që do të shqyrtojnë aplikimet për kredi të bizneseve të vogla, të mesme e të mëdha. Pas deklaratave të Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë se bankat nuk do të duhet të kreditojnë më biznese me dy balance, oficerëve të kredisë do t’u duhet të bëhen “policë tatimorë” dhe të marrin një rol për formalizimin e ekonomisë, që sipas tyre, nuk iu takon.

Bankierët e kontaktuar nga Monitor, teksa si gjithnjë i mbështesin përpjekjet për formalizimin e ekonomisë, pohuan se kjo prerje si me thikë, pritet të ketë ndikim të dukshëm në uljen e kreditimit. Nëse 1 biznes deri dje merrte hua duke paraqitur biznesin informal me fitim, ndërsa atë formal e kishte me humbje, si do të mund të marrë kredi duke filluar nga 1 janari?!

Sipas tyre, kjo është situata për pjesën më të madhe të bizneseve, ku në bilancet zyrtare deklaronin humbje, ose fitime minimale. Ndërsa bankat marrin të gjithë informacionin e mundshëm nga biznesi, këta të fundit tashmë do të stepen të tregojnë aktivitetin real dhe kjo do të ndikojë direkt në kufizimin e kredimit. Një gjë e tillë ndodhi edhe në shtator të vitit 2015, ku pas një letre të Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, që i paralajmëronte oficerët e kredisë se do ndiqeshin penalisht nëse nuk denonconin bizneset që aplikonin për hua me dy balance, huaja e re ra në nivelet më të ulëta në 10 vjet.

Edhe Spiro Brumbulli, sekretar i Shoqatës së Bankave është i mendimit se nëse për të gjitha bizneset do të kërkohet të fillohet menjëherë zbatimi i kësaj nisme, mund të kemi efekte të padëshirueshme në kreditim. Ai rekomandon që qeveria duhet që të shtrijë gradualisht nismën e saj për kontrollin e detajuar të pasqyrave financiare të biznesit në funksion të eliminimit të dy bilanceve.

Nga ana tjetër në gjithë këtë revansh antiinformaliteti ekzistojnë edhe pikëpyetjet e mëdha. Ndërsa gishti drejtohet tek njëra hallkë apo tek tjetra, qeveria nuk është se ka prezantuar ndonjë zgjidhje të re teknike për t’i dhënë fund kësaj praktike që pranohet se ekziston, por me ligj nuk lejohet. Pikërisht këtu qëndron edhe pikpyetja, si do ta zbatojë qeveria këtë nismë të deklaruar, cilën hallkë të zinxhirit do të korrigjojë, cila është zgjidhja, po vetë qeveria a ka përgjegjësi në këtë situatë?

Ministri për Financave dhe Ekonominë Arben Ahmetaj deklaroi gjatë konferencës së përbashkët me guvernatorin e Bankë së Shqipërisë se rregullorja e posaçme për këtë iniciativë do të jetë gati në fillim të 2018-ës. Thënë këtë automatikisht merret e mirëqenë se në 1 janar 2018 nuk do të kemi asgjë të re në mënyrën sesi procedohet sot nga biznesi, kontabilistët, bankat apo çdo grup interesi i përfshirë në këtë iniciativë. “Ne kemi marrë angazhim, që kompanive të biznesit t’u njihet vetëm një bilanc zyrtar, që është i përputhur me deklaratën e tyre tatimore.

 

Askush nuk di si do kontrollohet zbatimi

Në zinxhirin ku kalon një bilanc që nis nga ekonomisti apo kontabilisti, tek Tatimet, Bankat e shumë palë të tjera të përfshira direkt dhe indirekt duket ajo që mbizotëron është paqartësia sesi do të zbatohet ky plan. Sot ligji nuk ka ndonjë hapësirë për të lejuar përdorimin e dy bilanceve madje krejt e kundërta ka penalizime por ja që fenomeni ndodh. Bankat kanë rregulloret e tyre por ja që ka devijime. Kontabilistët mund të penalizohen por ja që sërish fenomeni nuk ndodh. Në kushtet kur të gjithë filtrat kanë herë pas here devijime do të thotë që një rregullore më shumë nuk është problemi real i sistemit. Për kontabilistët dy janë arsyet që sot ende ka biznese me dy bilance.

“Në radhë të parë strukturat e kontrollit, monitorimit e mbikëqyrjes së bizneseve, nuk e kryejnë rolin e tyre, dhe në radhë të dytë nuk funksionon sa duhet mbikëqyrja e monitorimi mbi strukturat e kontrollit e të monitorimit. Fakti që fenomeni është zgjatur shumë në kohë (gati 3 dekada), dhe sot paraqitet mjaft i përhapur, ka ndikuar që të zhvillohet në mënyrë galoponte korrupsioni”, shprehet Hysen Çela, President i Institutit të Ekspertëve Kontabël të Miratuar.

Nga ana tjetër edhe sistemit bankar që e ka gjetur veten të përfshirë mes deklaratash nuk është se është shumë i qartë mbi atë se ç’po përpiqet të bëjë qeveria. “Nisma për mospërdorimin e bilanceve të dyfishta është parimisht e dobishme. Synon të vendosë rregull në treg. Nuk besoj se mund të jetë dikush që mund ta kundërshtojë këtë. Nëse mund të ketë pikëpyetje, këto kanë të bëjnë me çështje teknike se si do të bëhet ky kontroll, si do të realizohet, kush do të penalizohet apo si do të kryhet” shprehet Spiro Brumbulli Sekretar i Përgjithshëm pranë Shoqatës Shqiptare të Bankave.

 

BSH: Kreditimi nuk preket, bankat tani vëmendjen tek efikasiteti i procesit

Banka e Shqipërisë vlerëson se nisma e deklaruar nga qeveria për formalizimin duke eliminuar përdorimin e dy bilanceve nga ana e bizneseve do t’i shërbejë vetëm pozitivisht bankave.

Në një prononcim dhënë për Monitor, Banka e Shqipërisë nënvizon se kreditimi nuk mund të kufizohet nga nisma si kjo në kushtet kur ai është një nga proceset kyçe që kanë bankat.

“Kreditimi është një aspekt i rëndësishëm i sigurimit të likuiditeteve për kryerjen e investimeve prandaj dhe është në interes të dyanshëm si nga bankat ashtu edhe nga kredimarrësit. Bankat do të vijojnë kreditimin duke qenë ai një nga veprimtaritë kryesore të ndërmjetësit si dhe burimi më i rëndësishëm i gjenerimit të të ardhurave. Kredimarrësit do të gjejnë më shumë lehtësi në komunikimin me bankat për të gjetur mënyrat e përshtatshme të financimit dhe marrjen përsipër të rreziqeve të kontrolluara. Banka e Shqipërisë e ka rregulluar më parë këtë dukuri nga pikëpamja rregullative, por duke u kufizuar vetëm tek kredimarrësit e mëdhenj të bankave.

Ekzistenca e informalitetit ka dhënë ndikimin e saj në përkeqësimin e cilësisë së kredisë, përtej shkaqeve të tjera. Ajo ka qenë një nga shqetësimet më të mëdha të sistemit bankar dhe ka sjellë përpjekje të shtuara në saktësimin e të dhënave financiare dhe kuptimin sa më të mirë të situatës financiare të huamarrësve. Këto ndryshime do të lehtësojnë punën e bankave dhe do t’i orientojnë energjitë e tyre drejt një efikasiteti më të lartë të procesit të kredidhënies.

Mbështetja e kreditimit në pasqyrat financiare zyrtare ndihmon jo vetëm në përzgjedhjen e huamarrësve më të përshtatshëm e të besueshëm, por edhe garantimin e një konkurrence më të drejtë. Puna e organeve qeveritare pritet t’i japë mbështetje këtij procesi për ndërtimin e një ekonomie më të shëndetshme e funksionale” nënvizon BSH.

Nisma e cilësuar si pozitive edhe në një konferencë të përbashkët të Guvernatorit me Ministrin për Financat dhe Ekonominë nuk do të ketë ndikim në marrëdhëniet ekzistuese të bizneseve me bankat. Pra 1 janari 2018 konsiderohet viti zero i qasjes së re. “Zbatimi i kërkesave të reja rregullative do të fillojë nga viti i ardhshëm. Përdorimi i bilanceve jo vetëm zyrtare ka një histori të gjatë që me krijimin e sistemit bankar. Përdorimi vetëm i bilanceve zyrtare në analizat e bankave do të fillojë zbatimin pa hedhur poshtë marrëdhënien e deritanishme të vendosur me huamarrësit. Me kalimin e kohës pritet të shihet një përafrim më i madh i bilanceve duke konsoliduar kështu edhe marrëdhënien e deritanishme të krijuar nga bankat.
Banka e Shqipërisë vlerëson se zbatimi i plotë i kësaj mase do të ketë një shtrirje të gjatë kohore për shkak të natyrës së vazhdueshme e dinamike të marrëdhënies së bankave me kredimarrësit.

Ky është një proces i vazhdueshëm trajnimi që ndihmon në rikonceptimin e marrëdhënieve të deritanishme me bankat dhe me organet qeveritare ku transparenca dhe mbetet një kriter thelbësor për krijimin e marrëdhënieve të besimit reciprok”, nënvizon Banka e Shqipërisë. Pa rezervuar ndonjë surprizë për mënyrën sesi mund të kontrollohet zbatimi korrekt i kërkesës së qeverisë për përdorimin e vetëm një bilanci nga të gjithë palët, duket se “arma” e vetme në dorë është kuadri i plotë ligjor dhe rregullator. “Përcaktimet e vendosura në kuadrin rregullativ të Bankës së Shqipërisë janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjitha bankat e nivelit të dytë.

Banka e Shqipërisë kryen inspektime në vend dhe një ndër proceset e kryera përgjatë këtyre inspektimeve përfshin vlerësimin e cilësisë së procesit të analizës së rrezikut të kredisë dhe burimin e pasqyrave të përdorura. Kapaciteti huamarrës dhe i shlyerjes së kredisë vitin e ardhshëm do të vlerësohet vetëm në bazë të pasqyrave financiare zyrtare. Tashmë këto janë procese të ngritura dhe konsoliduara si nga bankat ashtu edhe nga Banka e Shqipërisë” thuhet në prononcimin e BSH.

 

Flet Spiro Brumbulli Sekretar i Përgjithshëm, Shoqata Shqiptare e Bankave

Mund të ketë efekte të padëshiruara në kreditim

Qeveria duhet që të shtrijë gradualisht nismën e saj për kontrollin e detajuar të pasqyrave financiare të biznesit në funksion të eliminimit të dy bilanceve.

Kjo duhet të nisë fillimisht me biznesin e madh dhe më pas të shtrihet tek ai i mesëm dhe i vogël. Është ky sugjerimi që jep Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave Spiro Brumbulli duke vënë theksin se shtrirja e menjëhershme në çdo segment mund të frenojë kreditimin.

“Nisma për mospërdorimin e bilanceve të dyfishta është parimisht e dobishme. Synon të vendosë rregull në treg. Nuk besoj se mund të jetë dikush që mund ta kundërshtojë këtë. Nëse mund të ketë pikëpyetje, këto kanë të bëjnë me çështje teknike se si do të bëhet ky kontroll, si do të realizohet, kush do të penalizohet, si do të kryhet, etj. Ne jemi të mendimit se përmirësimet e ndodhura në përgatitjen e pasqyrave financiare të bizneseve të mëdha mund të jenë një pikënisje për shtrirjen më tej te të gjithë subjektet. Bizneset e mëdha janë më të avancuara dhe më të plota në përgatitjen e pasqyrave financiare.

Biznesi i mesëm dhe i vogël ka shumë punë për të bërë, pa përmendur këtu edhe individin. Nëse për të tria këto segmente do të kërkohet të fillohet menjëherë zbatimi i kësaj nisme, mund të kemi efekte të padëshirueshme në kreditim.

Bëhet fjalë për kredi të reja, të cilat do të duhet t’i nënshtrohen një filtri të ri, masë shtrënguese, dhe për portofolin ekzistues i cili do të preket si rezultat i një filtri të ri. Prandaj zbërthimi dhe shoqërimi i kësaj nisme me akte të tjera rregulluese është shumë i rëndësishëm për të gjykuar më tej për efektet e saj. Sektori bankar mbetet i hapur për të bashkëpunuar me strukturat përkatëse për të rregulluar këtë kërkesë të re të rregullimit të ekonomisë” pohon Brumbulli.

Ai nënvizon se bankat janë përdoruese të pasqyrave financiare të subjekteve të ndryshme dhe se asnjëherë nuk e kanë anashkaluar dokumentin zyrtar, pra dokumentet financiare të përgatitura nga subjektet tregtare dhe dorëzuara pranë zyrave tatimore. “Mbështetur në këtë dokumentacion, ato bëjnë verifikimet e tyre në terren, llogarisin risqet dhe plotësojnë dosjen e klientit edhe për shumë aspekte të tjera të aktivitetit ekonomik. Vendimi për miratimin e një kredie nuk lidhet vetëm më pasqyrat financiare, edhe pse ato janë pjesë e rëndësishme e analizës.

Nëse pasqyrat financiare do të jenë të besueshme dhe të sakta, bankat kursejnë kohë dhe shpenzime në marrjen e vendimit. Por nuk janë bankat që prodhojnë dokumente të tilla. Është detyrë e shoqërive tregtare që të paraqesin pranë ekspertëve të tyre kontabël të gjithë informacionin dhe është detyrë e ekspertëve të certifikuar që të certifikojnë pasqyra financiare reale dhe të besueshme” nënvizon Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bnakave.

Në fund ai nënvizon edhe një herë se të qenit formal është A-ja e çdo aktiviteti dhe si e tillë nuk mund të mos ketë mbështetjen e të gjithëve. “Industria bankare është mbështetëse e çdo nisme që synon të përmirësojë ambientin ku zhvillohet aktiviteti ekonomik. Rregullimet ligjore, reformat strukturore, lufta kundër informalitetit, etj., janë nisma që e shëndoshin ekonominë në kuptim të transparencës, rregullit, konkurrueshmërisë, standardit. Të qenit formal është A-ja e fillimit të çdo aktiviteti. Prandaj lufta kundër informalitetit, ku bën pjesë edhe lufta ndaj përdorimit të bilanceve të dyfishta, është e mirëpritur nga sektori bankar”

 

Flet Hysen Çela President i Institutit të Ekspertëve Kontabël të Miratuar

“Biznese me dy bilance? Përgjegjës nuk është vetëm njëra palë

 

Kontabilistët vlerësojnë se rasti i kërkesës së qeverisë për vetëm një bilanc nuk është një nismë e re, por thjesht një koordinim më i mirë i roleve që secili prej institucioneve luan.

Por në kushtet kur kemi ende një informalitet të lartë të “mishëruar” në më shumë se një pasqyrë financiare për çdo biznes pikëpyetja që ngrihet është :A i kanë luajtur gjithë hallkat rolet e tyre ashtu siç duhet dhe siç i kërkon ligji.

Presidenti i Institutit të Ekspertëve Kontabël të Miratuar Hysen Çela në një intervistë për “Monitor” nënvizon se ka pasur ngërçe si tek pjesa e strukturave të monitorimit dhe kontrollit ashtu edhe tek ato që duhet të mbikëqyrin punën e këtyre të parave. Ai nënvizon se të paktën tek raportimi financiar ka nevojë për ndërhyrje ligjore. “Për të rritur cilësinë e raportimit financiar, mendoj se duhet të ndërhyhet ne ligjin “Për kontabilitetin”, duke e bërë përgjegjës për pasqyrat jo vetëm drejtimin por edhe hartuesin (kontabilistin). Nga ana tjetër, duhet të rregullohet, brenda lirisë së veprimit te tij, ushtrimi i profesionit të kontabilistit, veçanërisht kur ai realizohet në mënyrë të jashtme, dhe të rritet monitorimi nga organizmat profesionale dhe përforcuar mbikëqyrja nga Bordi i Mbikëqyrjes publike” nënvizon Çela.

Qeveria ka deklaruar se nga 1 janari 2018 bizneset duhet të jenë të kujdesshme dhe të mos operojnë me dy bilance sikurse ndodh sot në raste të veçanta. Ju si e gjykoni ketë nismë?

Me sa kam unë informacion, nuk kemi të bëjmë me një nisme, por më tepër me një koordinim më të mirë të roleve që kanë Ministria e Financave dhe Ekonomisë nga njëra anë dhe Banka e Shqipërisë nga ana tjetër. Ministri i Financave është autoriteti që shpall standardet e raportimit financiar që duhet të zbatojnë entitetet e biznesit për raportimin e informacioneve financiare. Këto raportime bëhen për qëllime të përgjithshme dhe si të tilla, iu shërbejnë shumë përdoruesve. Në këtë kuptim, dikasteri i Ministrisë së Financave dhe të Ekonomisë, përmes strukturave të veta dhe institucioneve të tjera, garanton përdoruesit se informacionet financiare të përgatitura në pajtim me këto standarde janë të besueshme dhe se përdoruesit mund të mbështeten në to për vendimmarrjet e tyre.

Përdorues te informacioneve financiare janë edhe bankat, të cilat i përdorin pasqyrat financiare në procesin e vendimmarrjes së tyre për t`i akorduar kredi entiteteve të biznesit. Banka e Shqipërisë në cilësinë e rregullatorit, mbikëqyr bankat e nivelit te dytë dhe në këtë kuptim, ajo vlerëson të gjithë procesin e kredidhënies, ku padyshim vlerësohen edhe pasqyrat financiare që entitetet e biznesit paraqesin për kredimarrje. Megjithatë, është e rëndësishme të nënvizojmë se, në procesin e vendimmarrjes, Bankat e nivelit të dytë përdorin jo vetëm pasqyrat financiare, por edhe një mori analizash dhe informacione të tjera perspektive dhe të përllogaritura nga analistët e kredisë, të cilat janë pjesë e të dhënave të plota të dosjeve të kredidhënies.

Ajo, çka konsiderohet vërtetë pozitive në këtë nismë apo mirë rakordim, është fakti që Bankat të mos kenë nevojë të përdorin informacione financiare të ndryshme, të cilat nuk kanë ndjekur rrugën e duhur ligjore të përgatitjes dhe miratimit te tyre. Me fjalë të tjera, theksi vendoset tek fakti që pasqyrat financiare të një entiteti biznesi duhet të jenë ato që depozitohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit, prej së cilës mund të merren e përdoren nga shumë përdorues, përfshire bankat, organet e tatim taksave, media, statistikat, publiku, etj.

Pse kemi akoma e sot biznese që operojnë me dy bilance dhe cilat janë pasojat e këtij fenomeni në ekonomi?

Në pyetjen tuaj evidentohet fakti që kemi entitete biznesi, të cilat operojnë me dy bilance. Ekzistenca e dy palë pasqyrave financiare është në të vërtetë dëshmi e informalitetit të përhapur në ekonominë tonë, dhe ka për synim të mos deklarohen të gjitha të ardhurat apo të gjitha aktivitetet që realizohen nga entitetet e biznesit. Unë mendoj se një situatë e tillë, nuk ka asnjë arsye të ekzistojë, po të kemi parasysh se strukturat kontrolluese, monitoruese, detyruese dhe të penalizmit ekzistojnë.

Nëse do t`i përgjigjesha pyetjes pse një fenomen i tillë vazhdon ende, unë do të thosha se shkaqet kryesore janë dy. Në radhë të parë strukturat e sipërpërmendura të kontrollit, monitorimit e mbikëqyrjes së bizneseve, nuk e kryejnë rolin e tyre, dhe në radhë të dytë nuk funksionon sa duhet mbikëqyrja e monitorimi mbi strukturat e kontrollit e të monitorimit. Fakti që fenomeni është zgjatur shumë në kohë (gati 3 dekada), dhe sot paraqitet mjaft i përhapur, ka ndikuar që të zhvillohet në mënyrë galoponte korrupsioni.

Pasojat mendoj se janë tejet negative, pasi korrupsioni dhe paratë e padeklaruara, stimulojnë rritjen progresive të veprimeve korruptive, konkurrojnë në mënyrë të padrejte bizneset që respektojnë kërkesat ligjore e rregullatorë dhe për më tepër, favorizojnë aktivitete biznesi të paligjshme dhe janë premise deri edhe për veprime me natyrë terroriste.

Në zinxhirin ku kalon një bilanc përfshihen hallka të tilla nga ekonomisti, kontabilisti, audituesi, bankat apo tatimet. Çfarë rregullimesh mund të bëhen në forcimin e rolit të njëjtit apo tjetrit për të pasur një raportim financiar sa më të drejtë.

Sikurse e theksova edhe më lart, mendoj se ka një moskuptim në lidhje me rrugën që ndjek procesi i hartimit të pasqyrave financiare apo siç quhet ndryshe në zhargonin përditshëm, të bilancit. Hartuesi i pasqyrave financiare është kontabilisti (person fizik ose firme), i cili mund të jetë i punësuar në një entitet biznesi, ose ky shërbim mund të ofrohet në mënyre të jashtme. Në të gjitha rastet kontabilisti zbaton standardet e raportimit financiar dhe gjithashtu, mbështetet në vendimmarrjen e drejtimit për shumë aspekte të pasqyrave financiare, të cilat në të gjitha rastet duhet të jenë në pajtim me kërkesat ligjore e rregullatore në fuqi.

Pasqyrat financiare, për të qenë të besueshme duhet t`i nënshtrohen një auditimi të pavarur, i cili realizohet nga profesionistë të pavarur të certifikuar (audituesit ligjore). Edhe pse ligji 10091, vendos disa kritere për entitetet që detyrohen të kryejnë auditimin ligjor, kjo nuk i ndalon entitetet e tjera të kryejnë auditim në mënyre vullnetare, në funksion të rritjes së besimit tek pasqyrat e tyre financiare.

Rregulli bazë është që pasqyrat financiare, pas miratimit të organeve drejtuese të entiteteve të biznesit, të depozitohen në QBK, e cila në mënyrë të lire i vë në dispozicion të përdoruesve të ndryshëm. Pra, nga pikëpamja ligjore, pasqyrat zyrtare janë pasqyrat që depozitohen në QKB. Organet tatimore, edhe pse kërkojnë pasqyrat financiare, qëllimi është marrja e informacioneve për mënyrën e llogaritjes dhe pagesës së taksave e tatimeve dhe nuk kanë si të kenë ndonjë rol të veçantë në aprovimin apo mos aprovimin pasqyrave financiare.

Për të rritur cilësinë e raportimit financiar, mendoj se duhet të ndërhyhet në ligjin “Për kontabilitetin”, duke e bërë përgjegjës për pasqyrat jo vetëm drejtimin por edhe hartuesin (kontabilistin). Nga ana tjetër, duhet të rregullohet, brenda liri-veprimit te tij, ushtrimi i profesionit të kontabilistit, veçanërisht kur ai realizohet në mënyrë të jashtme dhe të rritet monitorimi nga organizmat profesionale dhe përforcuar mbikëqyrja nga Bordi i Mbikëqyrjes publike.

Ministria e Financave aktualisht po zhvillon disa trajnime pjesë e të cilave jeni edhe ju? Cilat janë këto standarde të përmirësuara mbi të cilat po trajnohen kontabilistët dhe ekonomistët me eksperiencë mbi 3 vjet?

Trajnimi i këtyre ditëve ka në fokus ritrajtimin me një masë të gjerë kontabilistësh të punësuar ose jo, të SKK-ve të përmirësuara, të cilat kanë nisur me zbatimin tyre qysh me pasqyrat financiare të ushtrimit të mbyllur me 31.12.2016.
Ky trajnim i gjerë, me natyrë edhe sensibilizuese për standardet, realizohet në kuadrin e një projekti të Bankës Botërore për përmirësimin dhe rritjen e cilësisë së raportimit financiar, i cili po zbatohet në Shqipëri nga AARC Ltd, Irlandë. Pra standardet e përmirësuara janë 14 SKK-te, SKK 15, për mikroentitetet dhe një standard për raportimin financiare nga Organiztatat jofitimprurese.
Është për të theksuar se interesi për të marrë pjesë në këto trajnime është mjaft i madh.

A është i përforcuar sa duhet profesioni i kontabilistëve në vendin tonë dhe çfarë mund të bëhet për te përmirësuar më tej pozitat e tyre si një nga hallkat kyçe në zinxhir?

Në drejtim të zhvillimit profesional në fushën kontabël, natyrisht ka ecuri e përmirësim. U bënë gati dy dekada që këto profesione ekzistojnë në Shqipëri. Audituesit këtë vit festuan 20 vjetorin, dhe pothuaj kaq kohë ka kaluar edhe për profesionin kontabilistit të miratuar. Natyrisht, në këto dekada që nuk janë shumë por që nuk janë as edhe pak, ka pasur zhvillime të shumta. Nga rregullimet e para me urdhëresa e udhëzime të Ministrave të Financave, sot jemi në kushtet kur profesioni rregullohet me një ligj të veçantë dhe mbikëqyret nga një Bord i mbikëqyrjes publike, i cili ka në përbërje profesionistë të pavarur.

Megjithatë, asnjëherë kjo ecuri nuk është sa duhet. Mangësitë që vërehen më shpesh lidhen me mungesë në kapacitetet profesionale, me mosnjohje të standardeve teknike e profesionale dhe veçanërisht me mosrespektim të kërkesave etike, çka ka bërë që interesi publik që qëndron në themel të profesionit të mos mbahet parasysh sa duhet.

Çfarë duhet bërë. Mendoj se ka shumë për të bërë, përpara se të kërkohen rregullime të forta ligjore apo rezervime të së drejtës për ushtrimin e profesionit, është e nevojshme që organizmat profesionale të fushës kontabël të ezaurojnë të gjitha mundësitë që i jep legjislacioni aktual apo praktika më e mirë ndërkombëtare dhe të bashkëpunojnë për të larguar nga profesioni, individët apo firmat që nuk janë në pajtim me ligjin, dhe të rrisin rolin e tyre në edukimin vijueshëm të anëtarëve. Sidoqoftë, kjo kërkon një harmonizim më të mirë të përpjekjeve edhe me organet shtetërore, përfshirë, QKB, Administratën Tatimore, Mbikëqyrësit, Bankat, etj.

Në kushtet e sotme duhet të mbahet mirë parasysh edhe zhvillimi i vrullshëm në teknologjinë e informacionit, i cili do të mbulojë shumë nga veprimtaritë klasike të kontabilistëve. Kjo kërkon një ridimensionim të strukturave të organizimit të profesionit tonë (kontabilist, auditues), një diversifikim të shërbimeve, duke synuar shtim të vlerës për biznesin. Duhet që për këtë të mendojmë sot, në të kundërt do të jemi në periferi të zhvillimeve nesër.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663