Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Anti-informaliteti, 3 vjet burg për evazorët, 7 për tatimorët

$
0
0

kuponiQeveria propozon masa të rënda për shkelësit e ligjit fiskal dhe punonjësit e tatimeve që abuzojnë me detyrën. Në draft shtohet dënim me burg edhe për ushtrim aktiviteti tregtar të paligjshëm, mosregjistrim në organet tatimore, mosdeklarim të të punësuarve dhe moslëshim i kuponit tatimor

Qeveria i ka kërkuar Kuvendit amendimin e Kodit Penal sa i përket neneve që kanë të bëjnë me shkelje të lidhura me aktivitetin ekonomik, duke kërkuar ashpërsimin e dënimeve për evazorët, mosdeklarimin e punonjësve apo edhe punonjësit e tatimeve që nuk zbatojnë ligjet.

Kështu, sipas amendimit të propozuar, bizneset që nuk deklarojnë punonjësit dhe ato që ushtrojnë aktivitete të paregjistruara në organet tatimore, do të dënohen deri në 3 vite burg.

Ndryshimet më të forta janë ato në nenin 180 të Kodit aktual, i cili flet për fshehjen e detyrimeve tatimore dhe parashikon dënime të ashpra për fshehësit. Fshehja e taksave, pasi janë marrë më parë masat administrative, konsiderohet si vepër penale edhe aktualisht. Por Kodi ekzistues lë hapësirë që tatimpaguesi, biznes apo individ qoftë, të dënohet me gjobë deri në dy vite heqje lirie. Me draftin e ri hiqet mundësia e gjobës dhe kjo shkelje do të dënohet automatikisht vetëm me burg deri në dy vite.

Veç kësaj, në të njëjtin nen, drafti i ri shton një paragraf të posaçëm, i cili klasifikon si vepër penale edhe 4 shkelje të tjera tatimore, të cilat janë: ushtrimi i aktivitetit tregtar të paligjshëm, mosregjistrimi në organet tatimore, mosdeklarimi i të punësuarve dhe moslëshimi i kuponit tatimor. Të katërta këto shkelje do të dënohen deri në 3 vite heqje lirie. Dënimet janë më të rënda për punonjësit e tatimeve që shkelin ligjin. “Punonjësit e organeve fiskale, të cilët nuk kryejnë detyrën, që lidhet me vjeljen brenda afatit të caktuar ligjor të taksave dhe tatimeve, do të dënohen deri në 7 vite burgim, pavarësisht shumës së dëmit”, thuhet në draftin që qeveria kërkon të miratohet.

Por, veç taksave, Kodi i ri Penal ashpërson dënimet edhe për bizneset që tregtojnë naftë apo benzinë jashtë standardeve të cilësisë. Sipas draftit, “tregtimi dhe hedhja për konsum e nënprodukteve të falsifikuara të naftës do të dënohet me 5 vite burg”. Të gjitha ndryshimet në projektligjin për Kodin Penal që qeveria ka dërguar në Parlament, forcojnë masat kundër informalitetit, kontrabandës, tregtimit të paligjshëm të ilaçeve dhe karburanteve. Këto ndryshime vijnë në një kohë kur qeveria është duke drejtuar një operacion kombëtar kundër informalitetit, i cili ka përfshirë taksat, energjetikën, por edhe mjekësinë. Masat shtesë janë kundërshtuar si shumë të ashpra prej kritikëve, ndërkohë që është vënë në dukje se ato godasin kryesisht bizneset e vogla dhe jo tatimpaguesit e mëdhenj, që edhe shihen si evazorët më të rëndësishëm.

 

Tatimet: Deklarim online çdo 24 orë, ose penalizoheni

Deklarimi i shitjeve ditore nga ana e subjekteve që punojnë me kasë fiskale është një detyrim ligjor, megjithatë të pakta janë bizneset që e respektojnë këtë pjesë të ligjit. Për këtë qëllim, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u ka kujtuar dje të gjitha subjekteve të tatueshme që të raportojnë online të dhënat në serverin e saj para orës 24:00 të çdo dite. “Administrata Tatimore iu bën thirrje edhe tatimpaguesve, të cilët prej kohësh nuk kanë bërë transmetimet ditore, që të fillojnë t’i realizojnë ato. Ky është një detyrim ligjor, i cili në rast moszbatimi, ju penalizon me gjoba nga 10 000 – 50 000 lekë”, – thotë përmes një komunikate Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Në fund u kujton atyre subjekteve që nuk zbatojnë këtë detyrim tatimor, se konsumojnë veprën penale të “fshehjes së të ardhurave dhe evazionit fiskal”.

Investitorët e huaj në Shqipëri, mbështetje operacionit të qeverisë

Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA), përmes një deklarate për shtyp dha mbështetjen e saj për iniciativën e qeverisë për të luftuar ekonominë informale në Shqipëri. “Ky është një hap më se i mirëpritur për ekonominë e vendit, i cili do të përmirësojë ndjeshëm mjedisin e biznesit me përfitime të dukshme për të gjithë popullsinë. Për më tepër, FIAA beson se një luftë efektive ndaj informalitetit është një nga mënyrat më të mira për të parandaluar një rritje të mëtejshme te taksave, e cila do të pengonte rritjen ekonomike”, thotë njoftimi. “Lufta ndaj ekonomisë informale është një ndër sfidat e Shqipërisë, e cila është ngritur vazhdimisht nga komuniteti i biznesit si një nga pengesat kryesore në mjedisin e biznesit, së fundmi e identifikuar në Pyetësorin e FIAA-s mbi Klimën e Biznesit në Shqipëri 2015”, thuhet në deklaratë. “Ekonomia informale dhe procedurat tatimore, ndërmjet pengesave të tjera mbeten në krye të listës, me të cilat komuniteti i biznesit përballet në Shqipëri”, thekson FIAA, e cila shton se këto çështje tashmë janë pjesë e masave të qeverisë. (Monitor.al)

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Latest Images