Sipas INSTAT në periudhën shtatëmujore të këtij viti, shitjet e produkteve shqiptare jashtë vendit janë rritur me 12.8% me bazë vjetore. Rënia e euros pengoi që rritja të ishte më e lartë.
Eksportet kanë vijuar të shënojnë rritje dyshifrore edhe gjatë muajve të fundit. Ndonëse krahasuar me muajt e pranverës ka një tendencë të lehtë rënëse, që duhet të jetë shkaktuar edhe nga luhatjet e forta të monedhës europiane si edhe nga ecuria e dobët e mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë, përsëri në muajin gusht shitjet e mallrave të vendit në tregjet e huaja kanë patur një rritje prej 12 për qind. Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT në periudhën janar-gusht, shitjet e produkteve shqiptare jashtë vendit u rritën me 12.8% me bazë vjetore, teksa për 5-mujorin, zgjerimi ishte gati 17%, për 6-mujorin 13.4% e për 7-mujorin 12.9%.
Ecuria e eksporteve
Grupi më i madh i eksportuar vijuan të mbeten tekstilet dhe këpucët, që për 8-mujorin u rritën me 8.6%, në 77 miliardë lekë, duke përbërë 43% të totalit të eksporteve. Pesha e këtij grupi është rritur sërish, duke treguar varësinë e eksporteve tona nga shitja e krahut të lirë të fuqisë punëtore, që është edhe avantazhi kryesor konkurrues i vendit. Eksportuesit kanë kaluar një vit të mirë, si rrjedhojë e rritjes së kërkesës nga partnerët italianë, të cilët i janë larguar Kinës dhe Lindjes së Mesme dhe po preferojnë të punojnë me Shqipërinë për shkak të avantazheve që ajo ka, krahas krahut të lirë të fuqisë punëtore, si afërsia me Europën, që mundëson të punohet me porosi të vogla dhe të shpeshta. Grupi “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, i është rikthyer rritjes në gusht, pas rënies që shënoi në dy tremujorët e mëparshëm. Destinacioni kryesor i eksporteve nga Bankers Petroleum, një nga eksportuesit më të mëdhenj, është kthyer Spanja, e cila është renditur sërish si një ndër partnerët më të mëdhenj, pas Italisë. Për 8-mujorin, eksportet e këtij grupi u rritën me vetëm 1.6%, në 29.3 miliardë lekë. Ai mbetet grupi i dytë më i madh i eksportuar, por pesha e tij ndaj totalit ka rënë ndjeshëm në vetëm 17%, nga gati 40% që arriti 3-4 vjet më parë, kur zuri peshën kryesore të eksporteve, për shkak të koniunkturës së favorshme të çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare. Në vlerë absolute, rritjen më të lartë të eksporteve ka vijuar ta ketë grupi “Materiale ndërtimi dhe metale”, me një zgjerim prej 8 miliardë lekësh me bazë vjetore për 8-mujorin (për tekstilet e këpucët rritja për të njëjtën periudhë ishte 6 miliardë lekë), apo me 42%. Rigjallërimi i aktivitetit të Kurum (përmes kompanisë Albametal) dhe shtimi i eksporteve te materialeve të ndërtimit (çimentos) rezultojnë arsyeja kryesore e këtij zgjerimi. Pesha e këtij grupi po rritet me shpejtësi (16% për 8-mujorin), duke arritur edhe për pak atë të “minerale, lëndë djegëse dhe energji”. Grupi “Ushqime, pije dhe duhan” është rritur me 18% në 18.1 miliardë lekë, duke përshpejtuar ritmet, në raport me 6-mujorin. Grupit “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” i është kthyer sërish ritmeve të larta të rritjes, me 27% për 7-mujorin, por ai mbetet i ulët në vlerë absolute, duke zënë 5.2% të totalit. Grupet e tjera mbeten ende të papërfillshme për sa u përket eksporteve. Sipas INSTAT, grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +5,1 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me +3,9 pikë përqindje, “Ushqim, pije, duhan” me +1,7 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve, nuk ka ndikuar negativisht asnjë grup.
Eksportet në gusht
Sipas INSTAT në gusht 2017 eksportet e mallrave arritën vlerën 18 mld lekë, duke u rritur me 12,0 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u ulur me 25,6 %, në krahasim me korrikun. Importet e mallrave në gusht arritën vlerën 49 mld lekë, duke u rritur me 6,0 %, në krahasim me një vit më parë dhe duke u ulur me 10,1%, në krahasim me korrikun 2017. Deficiti tregtar i këtij muaji është 31 mld lekë, duke u rritur me 2,8 %, krahasuar me gushtin 2016 dhe me 2,5 %, në krahasim me korrikun 2017. Në tetë muajt e parë eksportet e mallrave arritën vlerën 177 mld lekë, duke u rritur me 12,8 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 400 mld lekë, duke u rritur me 6,3 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 223 mld lekë, duke u rritur me 1,6 %, krahasuar me 2016. Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve: Rritja vjetore e eksporteve prej 12,0 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +6,1 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me +3,3 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me +2,3 pikë përqindje. Grupi që ka ndikuar negativisht në ndryshimin vjetor të eksporteve, është: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -3,1 pikë përqindje.
Efektet e rënies së euros
Banka e Shqipërisë, nëpërmjet Raportit të Politikës Monetare për tremujorin e dytë, vuri në dukje se dobësimi i euros në tregun vendës të këmbimit ka frenuar rritjen e inflacionit dhe ka ndikuar negativisht konkurrueshmërinë e produkteve tona të eksportit, çka sjell më tej një rritje më të ulët ekonomike. Raporti sqaron se i Inflacioni i tremujorit të dytë shënoi një vlerë mesatare prej 2.0%, duke ardhur në rënie kundrejt vlerës mesatare prej 2.4% të tremujorit paraardhës. Rënia e inflacionit në këtë tremujor, sipas bankës është ndikuar, pjesërisht, nga vlerat e larta të inflacionit të shënuara në tremujorin e parë si pasojë e goditjeve të ofertës dhe, pjesërisht, nga efekti rënës i ardhur nga mbiçmimi i kursit të këmbimit. Ekspertët në BSH analizojnë se, efekti i kursit të këmbimit ishte më i pranishëm në rënien e inflacionit të artikujve të importit, dhe – veçanërisht – të atyre ushqimorë. Nisur nga ecuria e tremujorit të dytë, Banka e Shqipërisë thotë se projeksioni për inflacionin mesatar të vitit 2017 ka pësuar një rishikim të lehtë për poshtë, nga niveli 2.3% në nivelin 2.2%. Më tej zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend janë pozitive dhe konfirmojnë trendin rritës të ekonomisë shqiptare. Aktiviteti ekonomik ka vijuar të rritet në mënyrë të qëndrueshme në fillim të vitit, por inflacioni është ngadalësuar në tremujorin e dytë. Banka e Shqipërisë pret një përmirësim të mëtejshëm të ekonomisë në periudhën afatmesme. Banka thotë se pritjet për një ecuri pozitive të ekonomisë janë forcuar. Rritja e investimeve publike dhe private, rritja e shpenzimeve konsumatore dhe zgjerimi i eksporteve pritet të reflektohen me një rritje më të lartë ekonomike në vitin 2017. Në mungesë të goditjeve, ritmet pozitive të ekonomisë pritet të vijojnë në horizontin afatmesëm të veprimit të politikës monetare. Balanca e rreziqeve dhe zhvillimeve të pritura qëndron në krahun e poshtëm.
Rënia e çmimeve të importit
Edhe mallrat e importit kanë patur luhatjet e veta veçanërisht sa u takon çmimeve. Indeksi i çmimeve të importit u ul me 1.5 %, në krahasim me tremujorin e dytë 2016 dhe me 0.7 %, në krahasim me tremujorin e parë 2017. Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të importit, në tremujorin e dytë 2017 është -1.5 %. Çmimet e importit të produkteve në aktivitetet e industrisë përpunuese kanë shënuar ulje me 1.4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Ndikimin kryesor në këtë rënie e kanë dhënë çmimet e importit të produkteve bujqësore të përpunuara me 3.0 %, të përpunimit të koksit dhe nënprodukteve të naftës me 0.2 %, prodhimit të kimikateve dhe produkteve kimike” me 1.9 %. Krahasuar me tremujorin e dytë 2016, çmimeve e importit të produkteve në aktivitetin e nxjerrjes së mineraleve të tjera kanë shënuar rritje me 0.5 %. Në tremujorin e dytë 2017, ndryshimi tremujor i indeksit është -0.7 %. Çmimet e importit në seksionin e industrisë nxjerrëse pësuan rritje me 1.1 %, ndërsa në seksionin e industrisë përpunuese pësuan rënie me 0.8 %, krahasuar me tremujorin paraardhës.
Deficiti tregtar
Në shtatë muajt e parë të vitit deficiti tregtar i vendit është regjistruar në vlerën e 192 mld lekë, duke u rritur me 1,4%, krahasuar me 2016, referon INSTAT. Sipas publikimit të INSTAT, në korrik 2017 eksportet e mallrave arritën vlerën 25 mld lekë, duke u rritur me 9,7%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 9,4 %, në krahasim me Qershorin 2017. Importet e mallrave në korrik 2017 arritën vlerën 55 mld lekë, duke u rritur me 9,2 %, në krahasim me një vit më parë dhe duke u ulur me 3,7 %, në krahasim me qershor 2017. Deficiti tregtar i këtij muaji është 30 mld lekë, duke u rritur me 8,9 %, krahasuar me korrik 2016 dhe duke u ulur me12,3 %, në krahasim me qershorin 2017. Në muajin korrik 2017, vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Korrik 2016 janë: Italia me (16,5 %), Kosova me (36,9 %) dhe Spanja me (216,3 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Kina me (-46,6 %), Mali i Zi me (-1,0 %) dhe Rumania me (-6,4 %). Gjatë këtij shtatëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia me (7,8 %), Kosova me (28,4 %) dhe Spanja me (175,8 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Bullgaria me (-7,4 %), Zvicra me (-44,3 %) dhe Kroacia me (-33,8 %).