Korporata Elektronenergjetike Shqiptare (KESH) ka vendosur të arkëtojë me forcë detyrimet që palë të treta kanë ndaj saj mes të cilëve bën pjesë edhe Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), të dyja në pronësi shtetërore. Në datën 21 gusht është vendosur edhe masa e sekuestros mbi aksionet e OST, ku sipas përmbaruesit bëhet me dije se kjo vjen si efekt i një fature të papaguar.
Për këtë faturë ka edhe një vendim nga Gjykata e Tiranës për t’u ekzekutuar. Në vendimin e përmbarimit nuk jepen detaje për vlerën e faturës apo shërbimin që KESH ka dhënë ndaj OST dhe për të cilin nuk është paguar, por një situatë e tillë ishte ne axhendën e diskutimit edhe në mbledhjen e fundit të Entit Rregullator të Energjisë. Kjo çështje gjatë mbledhjes nuk është diskutuar në detaj pasi përfaqësuesit e KESH nuk kanë preferuar të ndalen në detaje duke i konsideruar si çështje të brendshme të kompanisë.
Por duket se OST dhe KESH kanë konflikte më të hershme me njëra tjetrën. Siç referohet dhe në raportin e aduditorëve në bilancin e KESh për vitin 22016, një ndër to është edhe pjesa e faturave që Transmetimi ka hartuar për fatura me të cilët KESH nuk është dakord dhe që i përkasin mbulimit të humbjeve në rrjetin e transmetimit shërbimet ndihmëse dhe disbalancat, një detyrim ky që vjen nga një vendim i Entit Rregullator të Energjisë.
Për vitin 2016 faturat e hartuara nga OST për shërbimin e balancimit sipas KESH nuk reflektojnë sasinë e energjisë së injektuar në kuadër të ofrimit të këtij shërbimi. Kjo ka bërë që operatorët të jenë të shoqëruar prej kohësh nga një konflikt në distancë për gjetjen e një zgjidhjeje. Situata e vështirë e krijuar si efekt i mungesës së reshjeve, importeve të larta dhe funksionimit të tregut të transmetimit brenda rregullave që imponon ENTSO- E, ka vënë nën presion financat e tre operatorëve, të cilët po kërkojnë të arkëtojnë çdo detyrim mes njëri-tjetrit apo palëve të treta në mënyrë që të zbusin disi situatën.
Kjo ka bërë që për momentin pagesat të ndaleshin vetëm tek faturat korente të operatorëve mes njëri-tjetrit por që detyrimet e prapambetura janë një tjetër çështje që duhet të marrë zgjidhje për të mos krijuar një zinxhir të ri borxhesh që mund të kërcënojë qëndrueshmërinë e tyre./Monitor/