Nëse merr hua në lekë në një bankë, interesat që duhet të paguash për përdorimin e këtyre paravë janë më të lira se kurrë ndonjëherë. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, norma e interesit të huave të reja në lekë për muajin prill ka zbritur në 5.25%, si asnjëherë më parë. Vetëm një muaj më parë, interesi mesatar i kredive në banka ishte 6.97%.
Rënia e interesave ka qenë e fortë për kreditë afatshkurtra, ku ato që duhen shlyer brenda 6 muajve deri në 1 vit kanë zbritur nga 6.71% në mars në 3.89% në prill. Edhe huatë deri në 6 muaj kishin interes 6.55%, nga 8.44% muajin e mëparshëm.
Për herë të parë, interesat e kredive në lekë janë të barabarta me ato në euro. Në prill, norma mesatare e kredive në euro u rrit nga 4.58% në 5.13%. Historikisht kreditë në euro kanë pasur interes më të ulët dhe kjo bënte që shumë biznese dhe individë t’i drejtoheshin valutës, pavarësisht se të ardhurat mund t’i kishin në lekë, duke qenë të ekspozuar në këtë mënyrë ndaj rrezikut të kursit të këmbimit. Shumë prej tyre madje u “dogjën” kur euro kërceu nga rreth 124 lekë në vitin 2008, në 140 lekë vitet e mëvonshme dhe vetëm aktualisht euro ka zbritur në rreth 134 lekë.
Pavarësisht se interesat janë shumë të favorshme dhe bankat kanë shtuar ofertat, sidomos për individët, sërish huaja për ekonominë mbetet e tkurrur.
Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në muajin prill, stoku i huasë për ekonominë zbriti në 545 miliardë lekë, duke u reduktuar me 2.5 miliardë lekë, apo rreth 0.5% në raport me muajin e mëparshëm.
Me bazë vjetore (prill 2017/prill 2016), kredia për ekonominë i është rikthyer rënies, duke u reduktuar me 0.4%.
Interesat e ulëta mbeten një faktor nxitës, por gjithsesi ka faktorë të tjerë që veprojnë kundër kreditimit, si stepja e bizneseve në pritje të përfundimit të zgjedhjeve, mbajtja e standardeve të kreditimit të shtrënguara nga bankat, sidomos për bizneset, apo dhe frenimi i konsumit./Monitor