Kjo javë filloi me një vizitë në Berlin të Presidentit të sapozgjedhur francez, Macron, në ditën e tij të parë të punës si President, për të takuar kancelaren gjermane, edhe ajo e sapodalë fituese me partinë e saj në ca zgjedhje lokale të zhvilluara në një rajon ku, kundërshtarët socialdemokratë, kishin dominuar në 50 vitet e fundit.
Takimi i përfaqësuesve të dy lokomotivave të Europës së Bashkuar ishte mjaft domethënës për Europën e botën mbarë, sepse nxori në pah angazhimin e të dy shteteve më të fuqishme të Unionit për të forcuar më tej këtë bashkim.
Njëkohësisht konfirmoi se çifti franko-gjerman do ta ketë impenjim kryesor në vitet që vijnë që të riformatojë një Europë më dinamike, por edhe më të sigurt e më të mirëqenë për qytetarët e saj. Ne në Ballkan na duhet të presim e të verifikojmë se si do të përkthehen iniciativat e tyre në përthithjen më të shpejtë apo më të ngadaltë të këtij rajoni të trazuar, të rrethuar nga Europa e Bashkuar, por që vazhdon të mbetet jashtë saj.
Në Shqipëri java nisi me të dërguarin amerikan i cili, duhet thënë se erdhi vetëm një ditë pas demonstrimit mbresëlënës të opozitës, si për nga pjesëmarrja por edhe nga qytetaria me të cilën u zhvillua. Dhe, nuk mund të mos e themi, i ndikuar edhe nga kjo protestë, ju imponua palëve ende të ndara me pothuaj të njëjtën paketë të të dërguarit europian të Merkel dhe, me sa duket, kësaj radhe, jo pa sukses.
Palët u ulën të bisedonin, madje gjatë dhe konkluduan me një produkt, që është marrëveshja për zgjedhjet.
Marrëveshja Rama-Basha, qoftë edhe në minutat shtesë, nuk mund të mos vlerësohet pozitivisht.
Para së gjithash, shtrëngimi i duarve mes dy liderëve ishte i domosdoshëm për të krijuar atë minimum të klimës së besimit se zgjedhjet në vend mund të organizohen të tilla që të vlerësohen të lira e të ndershme. Nëse një gjë e tillë arrihet, do të jetë padyshim hapi vendimtar që do të hidhte Republika e Shqipërisë në drejtim të orientimit të saj perëndimor e, sigurisht me këtë akt, do të bënte të mundur, së bashku me kalimin e ligjeve për vetting-un, hapjen më në fund të negociatave për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ëndrrën e 99% të shqiptarëve kudo që janë. E parë në dritën e zhvillimeve që përmendëm më lart në Europë, rëndësia e kalimit me sukses të kësaj sprove të demokracisë bëhet edhe më e madhe.
Nga ana tjetër, marrëveshja, të paktën në letër, krijon premisat për kontroll nga opozita në disa nga instancat e institucionet e sistemit që janë kyç, që qytetarët të hyjnë në një proces elektoral ku marrin pjesë të gjitha alternativat e ku nuk përjashtohet në nisje asnjë palë. Një përjashtim i tillë, sikurse rrezikonin zgjedhjet pa pjesëmarrjen e PD-së, do ta bënte votimin të ngjashëm me atë në kohën e diktaturës kur votohej vetëm për të ashtuquajturit kandidatët e Frontit Demokratik, por që ishin në fakt të gjithë të Partisë së Punës.
Lëshimet në dukje të bëra nga Rama nuk e lënë pa përgjegjësi PD-në për administrimin e kësaj faze të procesit në dobi të krijimit të klimës së qetë dhe të sigurt që sikush të ketë mundësinë të hedhë votën për alternativën që dëshiron, pa qenë i shtrënguar ta bëjë atë nga ndonjë presion, qoftë pushteti apo nga ndonjë “ofertë” materiale a paraje.
Realizimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme ishte kushti i panegociueshëm nga u nis opozita për të dalë nga Parlamenti e institucionet e për të ngritur çadrën e protestës që, në tre muajt nga njëra protestë masive në tjetrën, ishte vendi ku një pjesë jo e vogël e shqiptarëve shihnin shpresën që Shqipëria nuk do të përfundonte si një republikë lindore, e ngjashme me modelet e shteteve të republikave ish-sovjetike.
E në këtë funksion, çadra e ngritur e arriti qëllimin. Pavarësisht kësaj, tre muaj në një republikë parlamentare nuk janë për t’u neglizhuar, duke pasur parasysh që Parlamenti, në një situatë normale, duhet të prodhojë legjislacion në funksion të ecurisë së qëndrueshme të vendit, me synimin e përmirësimit të jetës e rritjes së mirëqenies së qytetarëve, dhe një ndërprerje e tillë nuk është pa pasoja.
Ndaj do të uronim që liderët, të cilët aktualisht janë supremë në secilin krah, t’i kenë vlerësuar këto takime për marrëveshje si një shans dhe të kenë pasur mundësinë të diskutojnë edhe për një proces paszgjedhor reformash, pavarësisht pozicioneve fitues a humbës. Ata janë më të ndërgjegjshëm se kushdo tjetër se Shqipëria i ka të nevojshme e të domosdoshme disa reforma të thella e strukturore në drejtim të përmirësimit të elementeve të demokracisë direkte e që do ndihmonin në zgjidhjen e problematikave brenda institucioneve të shëndosha, demokratike, por të kontrolluara e të balancuara, që do të mund të votonin situata të tilla që do të prodhonin Çadra apo edhe më keq, barrikada e llogore.
Një komunikim normal mes liderëve të dy palëve, me tendencën e gjetjes së rrugëve të kompromisit për ndërmarrjen e reformave të guximshme edhe në fushën e ekonomisë do të krijonte, nga një anë, më pak ngurrim te biznesi në ndërmarrjen e nismave për hapjen apo zgjerimin e aktivitetit, që do të çonte në shtim të vendeve të punës. Por, nga ana tjetër, do të rriste besimin se, këto ndryshime, janë për një afat shumë më të gjatë se ai 4-vjeçar i një qeverie e do të ofronte qetësinë e domosdoshme për marrjen e vendimeve për investimet e mëdha e afatgjata, si nga investitorët vendas e veçanërisht të huaj, të cilët synojnë të zgjedhin rajonin më të favorshëm, por që ofron jo vetëm qetësi e siguri fizike, por edhe legjislacion stabël e ekonomikisht konkurrues me atë rajonal.
Këto reforma të thella strukturore e fiskale janë të nevojshme për t’i dhënë ekonomisë shqiptare shtysën që nevojitet që të hyjë në një ritëm rritje shumë më të lartë se ai aktual e që do të garantojë rritje të vazhdueshme të mirëqenies së qytetarëve.
Ndaj urojmë që në ditët në vijim të kemi mundësinë të verifikojmë që rruga e nisur të jetë ajo e shpresuar.