Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Klima e biznesit, e ndjeshme nga luhatjet e qeverisjes

$
0
0

Nga Prof. dr. Ardian Civici, President i UET 

Prof. dr. Ardian Civici, President i UET, mendon se në rastin e Shqipërisë, në kushtet e një ekonomie të brishtë dhe mjaft vulnerable, mbi të gjitha mjaft e ndjeshme dhe e ndikueshme nga “temperatura” dhe konfliktualiteti politik, ndryshimet në qeveri kanë ndikime negative në ekonomi. Ai shton se ndryshimet prodhojnë hezitime te biznesi vendës apo ai i huaj për të realizuar investime, sidomos investime të mëdha afatgjata, krijojnë një lloj ngërçi në sistemin e kreditimit dhe shtrëngimin e kushteve të kredisë nga bankat, e bëjnë të vështirë besimin te suksesi i një plani biznesi afatmesëm apo afatgjatë.

Në ekonomitë e stabilizuara, apo në vende me institucione e demokraci të konsoliduar, ndryshimet në qeveri, natyrisht kur nuk janë drastike, kanë pak apo aspak ndikim. Për më tepër, këto ndryshime mund të bëhen në emër të korrigjimit të të metave në ecurinë e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë. Por, në rastin e Shqipërisë, në kushtet e një ekonomie të brishtë dhe mjaft vulnerable, mbi të gjitha mjaft e ndjeshme dhe e ndikueshme nga “temperatura” dhe konfliktualiteti politik, mendoj se ndryshimet në qeveri kanë ndikime negative në ekonomi. Aq më tepër kur duket qartë se këto ndryshime kanë karakter të pastër politik, janë pjesë e rregullimit të ekuilibrave dhe konfliktit politik dhe jo pjesë e përmirësimit të qeverisjes në sensin e pastër e direkt ekonomik e financiar. Po t’u bashkëngjisim këtyre ndryshimeve në qeveri edhe zgjedhjet e 18 qershorit, si dhe traditën tonë negative të tronditjes që pësojnë shumë prej treguesve kryesorë makroekonomikë në vitet elektorale, besoj se ekonomia në tërësi nuk mund të kalojë pa u prekur nga këto ndryshime. Megjithëse lajm pozitiv në këtë drejtim mund të konsiderohet fakti se ministritë kryesore që lidhen direkt me ekonominë si ajo e Ekonomisë, Financave, Energjetikës dhe Bujqësisë nuk u prekën nga ndryshimet.

Një nga elementet e ndjeshme kundrejt ndryshimeve të kabinetit qeveritar është padyshim klima e biznesit vendës dhe të huaj. Duke iu referuar thelbit të “klimës së biznesit”, e cila është e lidhur ngushtë me konsolidimin e sistemit fiskal, reduktimin e informalitetit, stabilitetin dhe transparencën e tatimeve dhe doganave, shkalla e riskut dhe kushtet e kreditimit apo investimit, qartësia e problemeve me pronat, politikat derregulluese e mbështetëse për biznesin dhe investimet etj., mund të thuhet se kjo klimë biznesi është e ndjeshme nga cilësia e qeverisjes dhe stabilitetit apo luhatjes së saj.
Ndryshimi i disa ministrave, si dhe zërat për ndryshime të tjera, të bazuara apo pabazuara qofshin, prodhojnë hezitime te biznesi vendës apo ai i huaj për të realizuar investime, sidomos investime të mëdha afatgjata, krijojnë një lloj ngërçi në sistemin e kreditimit dhe shtrëngimin e kushteve të kredisë nga bankat, e bëjnë të vështirë besimin te suksesi i një plani biznesi afatmesëm apo afatgjatë.
Sëmundja kryesore nga vuan ekonomia shqiptare në këto dekada të tranzicionit ka të bëjë dhe me vështirësitë për të pasur një strategji afatgjatë të zhvillimit ekonomik e social të vendit të pranuar me konsensus në linjat dhe objektivat e saj bazë nga forcat kryesore politike të vendit.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Trending Articles