Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Është koha të rikthehemi tek industria

$
0
0

Politika industriale u la mënjanë si e panevojshme përgjatë viteve dinamike 1980, kryesisht si pasojë e rolit të perceptuar që këto politika patën në stanjacionin e dekadës paraardhëse. Por tani këto politika po përqafohen edhe një herë në ekonomitë e zhvilluara, para së gjithash për shkak se, nëse bëhen siç duhet, ato mund të jenë në gjendje të largojnë votuesit e klasës punëtore nga partitë populiste.

Nga Paola Subacchi*

Politika industriale po kthehet me forcë në shumë vende të zhvilluara. E hedhur poshtë si e panevojshme përgjatë viteve 1980 dhe si kontribuuese në stanjacionin e dekadës paraardhëse, ajo sot po shihet gjithnjë e më shumë si një mjet për të larguar votuesit e klasës punëtore nga partitë politike të ekstremit të djathtë. Por zhvillimi i strategjive moderne dhe efikase për industrinë nuk do të jetë një punë e lehtë.

Bashkimi Europian është përpjekur të përkufizojë një kuadër të përgjithshëm konsistent në trajtimin e kësaj teme që nga viti 2014, kur publikoi një analizë të avantazheve dhe disavantazheve të të pasurit të një politike industriale. Mbretëria e Bashkuar është edhe më përpara në këtë drejtim, pasi publikoi në janar një studim paraprak të gatshëm për të debatuar mbi ndërtimin e një strategjie industriale. Presidenti i SHBA-së Donald Trump është fokusuar gjithashtu te politika industriale, megjithëse versioni i tij ka gjasa do të përfshijë ndërhyrje në përmasa të konsiderueshme nga shteti, si dhe masa proteksioniste.

Vizioni regresiv i Trump, pavarësisht se nuk ka dhënë detaje, sakaq duket defektoz. Por përqasja e Europës ndaj strategjisë industriale ofron një bazë të mirë, para së gjithash për shkak se gjasat janë që BE-ja nuk do të kryejë ndërhyrje shtetërore në ekonomi siç ka ndodhur në të shkuarën. Në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, qeveria pret të përqendrohet në të ashtuquajturat “ndërhyrje të shënjestruara” që dizenjohen për të krijuar incentiva pozitive, për të korrektuar dështime të tregut dhe për të trajtuar disbalancat shoqërore, gjeografike e sektorale. Qartazi, udhëheqësit politikë kanë mësuar disa leksione të rëndësishme nga historia.

Por probleme serioze mbeten. Qeveritë e Europës duket se mendojnë se ata mund të zbatojnë politika ad hock që fuqizojnë “dorën e padukshme” sot dhe se këto politika do të mund të përputhen disi me një kuadër gjithëpërfshirës. Kjo hipotezë duket optimiste në rastin më të mirë.

Plani i Mbretërisë së Bashkuar nuk i ka ende objektivat kryesorë të strategjisë. A mos përfshihet këtu fuqizimi i rritjes së PBB-së në periudhën pasi Mbretëria e Bashkuar të mos jetë më pjesë e tregut të përbashkët Europian dhe bashkimit doganor? Apo do të jetë si objektiv fuqizimi i potencialit për rritje ekonomike të Britanisë (pra, rritja e ritmit në terma afatgjatë?). Plani i qeverisë i përmend të dy objektivat por nuk thotë gjë për atë se si do të balancohen këta objektiva.

Udhëheqësit e Mbretërisë së Bashkuar pranojnë se, nëse strategjia e tyre synon të fuqizojë rritjen pas Brexit, ajo ndoshta do të duhet të zbatohet në kontekstin e tarifave më të larta të ndërsjella me BE-në, ndërkohë që BE-ja do të vijojë të mbetet tregu kryesor i Britanisë. Një strategji e tillë do të duhet të marrë në llogari edhe konkurrueshmërinë botërore të industrisë britanike dhe të plotësojë politikën e re tregtare të pavarur të këtij vendi.

Në të njëjtën kohë, qeveria britanike duhet të mos mbetet peng i dëshirave për të ruajtur rritjen ekonomike afatshkurtër dhe punësimin pas Brexit dhe të mos shohë nevojën për të fuqizuar potencialin afatgjatë të rritjes. Por në mënyrë shqetësuese, strategjia e propozuar thekson me tepri ngritjen e gardheve mbrojtëse dhe angazhimin e vetë qeverisë në ekonomi. Megjithëse qeveritë kanë të drejtë të kenë frikë nga ndërhyrjet e drejtpërdrejta në treg, ato duhet të mbeten aktive në shumë mënyra të tjera. Veçanërisht, ato duhet të analizojnë se cilët sektorë dhe industri kanë më shumë mundësi të kontribuojnë në rritjen afatgjatë dhe të ndihmojnë për mundësimin e suksesit të tyre – potencialisht edhe në mënyrat që përmbajnë rreziqe reale financiare.

Për shembull, qeveritë duhet të mendojnë për investimet e mëdha infrastrukturore që kanë eksternalitete pozitive, fjala vjen, kohë më e shkurtër udhëtimi për të vajtur në punë si dhe përfitimet shoqëruese ekonomike e shoqërore – investime të natyrës së tillë që mund të konsiderohen tepër të mëdha apo tepër të rrezikshme për t’u ndërmarrë nga sektori privat. Kjo është veçanërisht e rëndësishme atje ku qeveritë kanë akses në një gamë më të gjerë informacioni se sa sektori privat, gjë që fuqizon aftësinë për të optimizuar investimet.

Një komponent tjetër që po humbet nga diskutimet aktuale mbi politikën industriale në Europë është një afat i qartë zbatimi. Realiteti është që një strategji e zhvilluar sot mund të kërkojë një gjeneratë kohe për të dhënë rezultate (fjala vjen, reforma në arsim). Kështu një strategji efikase industriale duhet të zhvillojë jo vetëm një plan me afate kohore të përgjithshme, por edhe me objektiva të qartë për periudha më të shkurtra.

Në rastin e Mbretërisë së Bashkuar, këta objektiva duhet të përfshijnë synimet afatshkurtra dhe ndryshimet e lidhura me procesin Brexit. Në fund të fundit, një strategji efikase industriale dhe moderne kërkon një analizim të kujdesshëm të aseteve dhe burimeve, përfshirë kapitalin njerëzor për të cilat ekonomia do të ketë nevojë në vitet e ardhshme. Për mbretërinë e Bashkuar, llogaritje të tilla nuk mund të bëhen veçmas Brexit. Në veçanti, udhëheqësit e Mbretërisë së Bashkuar duhet të identifikojnë fillimisht burimet që janë të lidhura me tregun e përbashkët europian dhe të zbulojnë se si mund të zëvendësohen këto burime dhe sa kohë do të kërkojë ky proces.

Elementi final kritik i një strategjie efektive industriale është kuadri institucional mbi të cilin mbështetet një strategji e tillë. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar pranon rëndësinë e krijimit të institucioneve të duhura për të zgjidhur pabarazitë rajonale. Por institucionet duhet të shkojnë përtej lidhjes së sektorëve dhe rajoneve për të siguruar transparencë dhe llogaridhënie, veçanërisht në marrëdhëniet mes sektorit privat dhe sektorit publik.

Me këtë në mendje, udhëheqësit britanikë duhet të mendojnë se cilat nga institucionet e nevojshme ekzistojnë aktualisht dhe cilat duhet të përmirësohen. Është e rëndësishme që të rezistohet përballë idesë që institucionet e dobëta apo inefikase të mbyllen dhe në vend të kësaj duhet të mendohet se si mund të reformohen dhe fuqizohen ato.

Ndryshime madhore po vijnë për ekonomitë e Britanisë dhe të Europës. Udhëheqësit duhet të veprojnë tani për të përkufizuar një vizion të përgjithshëm strategjik, që do t’iu mundësojë atyre të përballen me sfidat. Ky vizion duhet të jetë i fuqishëm dhe ambicioz. Mbi të gjitha, ai duhet të jetë i përbashkët. Në një kohë kur polarizimi po intensifikohet, kjo mund të jetë edhe pjesa më e vështirë.

*Drejtore Kërkimesh mbi Ekonomiksin Ndërkombëtar në Chatham House.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663