Rehabilitimi i hekurudhës Tiranë-Durrës me degëzim aeroportin e Rinasit po shkon drejt konkretizimit.
Komisioni i Ekonomisë miratoi kredinë e dhënë nga BERZH prej 36,8 milionë euro për këtë projekt. Ndërkohë që punimet mund të nisin që këtë vit dhe si afat përfundimtar i mbyllje së punimeve do të jetë viti 2020.
“Gjithashtu ku projekt do ndikojë në uljen e trafikut rrugor dhe uljen e ndotjes së mjedisit”, shprehet Bahri Shaqiri, zëvendësministër i Transporteve.
I gjithë investimi kushton rreth 90 milionë euro, përveç BERZH-it, ai financohet me një grant falas të konsiderueshëm nga Bashkimi Europian prej 36.6 milionë euro, si pjesë e projekteve fituese për Ballkanin Perëndimor që mbështeten nga BE-ja. Qeveria shqiptare do të mbulojë kostot te tatimit mbi vlerën e shtuar që llogariten në rreth 15 milionë euro dhe shpronësimet me rreth 1 milionë euro.
Rehabilitimi i kësaj linje hekurudhore dhe vendosja e trenave të rinj është hapi i parë i një projekti më të madh për modernizmin e disa linjave hekurudhore në Shqipëri.