Banka e Shqipërisë ka konfirmuar se deri tani nga sistemi bankar janë fshirë 250 milionë euro kredi e keqe. Por niveli i saj vijon të jetë mbi 20 për qind të totalit të kredisë, duke u bërë pengesë serioze për financimin e ekonomisë.
Që prej vitit 2015 Banka e Shqipërisë ritmikisht ka miratuar fshirjen e miliona eurove kredi të këqija nga bilancet e bankave tregtare. Por përpjekja për të lehtësuar sistemin deri më tani ka qenë pa efekt, treguesi i kredive me probleme vijon tendencën rritëse që nga fillimi i vitit. Raportimi më i fundit i Bankës së Shqipërisë jepte në fund të gushtit që kredia me problem zë 21.4 për qind të totalit të kredisë së dhënë nga bankat. Kjo rëndesë kaq e madhe ka bërë që bankat, ndonëse me depozita janë në ditët e tyre më të mira, të vijojnë të shtrëngojnë kredinë për biznesin edhe në tremujorin e tretë. Shkak është frika nga kreditë e këqija dhe perceptimi mbi situatën ekonomike. Tashmë korporatat e mëdha që mbajnë peshën kryesore të ekonomisë, e kanë gjithnjë e më të vështirë të fitojnë besimin e bankave për të marrë një kredi. “Politika shtrënguese e kredive për biznese u zbatua nëpërmjet rritjes së kërkesave për kolateral”, thuhet në raportet e BSH. “Faktorët kryesorë për shtrëngimin e kredisë ndaj bizneseve mbeten kreditë me probleme, problemet specifike të sektorit dhe perceptimi i bankave mbi situatën makroekonomike”, thotë BSH. Banka e Shqipërisë vëren se standardet e kredisë për biznesin do të mbeten të pandryshuara edhe gjatë tremujorit të katërt. Kushtet e shtrënguara të kredisë për ndërmarrjet duket se janë një nga shkaqet kryesore për ngërçin e kredisë, pasi siç raporton Banka e Shqipërisë, kërkesa për kredi nga bizneset është rritur.
Shifrat
Në 20 muaj, që nga fillimi i vitit 2015, bankat kanë fshirë nga bilancet më shumë se 33.2 miliardë lekë kredi të humbura ose rreth 250 milionë euro, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë. Duke filluar nga janari 2015, bankat janë të detyruara nga kërkesat rregullative të ndërmarrin procesin e pastrimit të bilanceve, fshirjen e kredive që gjenden në kategorinë “e humbur” për më shumë se 3 vjet. Sektori bankar ka fshirë nga bilancet e veta 14.1 miliardë lekë kredi të keqe në gjashtëmujorin e parë të vitit 2015, 12.9 miliardë lekë në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2015 dhe 6.3 miliardë lekë deri në fund të gushtit 2016. Procesi i pastrimit të bilanceve nga kreditë e humbura ka vijuar, ndonëse me ritme më të ngadalta gjatë vitit 2016. Nëse kredia e humbur nuk do të ishte fshirë, Banka e Shqipërisë arsyeton se, rritja e tepricës së kredisë gjatë periudhës do të ishte 3%. Por e ndikuar nga procesi i fshirjes së kredive të humbura, teprica e kredisë shënon një tkurrje prej 0.3% në fund të periudhës. Shifrat tregojnë megjithatë se prurjet e reja të kredive me probleme nuk kanë mundur të mbulohen nga kreditë e fshira në gjysmën e parë të vitit, duke rezultuar në zgjerim të stokut të kredive me probleme. Brenda strukturës së kredive me probleme, zgjerimi i konsiderueshëm i klasës nënstandard (në 30.8% të totalit të kredive me probleme, nga 23.3% në dhjetor 2015, tregon se ka një fluks të ri në klasat e kredisë me probleme; nga ana tjetër, tranzicioni brenda klasave të kredisë me probleme shfaq migrimin drejt klasës “së humbur”, e cila është zgjeruar me 2% gjatë periudhës, pa konsideruar efektin e kredive të fshira.
Rreziqet
Të dhënat e publikuara nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, (BERZH) e klasifikojnë Shqipërinë me nivel të lartë të huave të pakthyera ndër ekonomitë në zhvillim në Evropë dhe Azi, me 24,4 % të gjithë portofolit të kredive të dhëna, duke zënë kështu vendin e parë në rajon: Maqedonia i ka kreditë e pashlyera në nivelin 0,8%, Bosnja më pak se 7% dhe të njëjtin nivel ka Mali i Zi dhe Serbia. I vetmi vend ndër ekonomitë në zhvillim në Evropë dhe Azi me nivel më të lartë huash bankare të pashlyera se Shqipëria rezulton Kazakistani, me 36,7%.
Shqipëria ka nivelin më të lartë të huave të tilla, pas Kazakistanit sepse ka patur rritje eksponenciale të totalit të huave në një periudhe relativisht të shkurtër kohe, fenomen ky që nuk haset në vende të tjera, jo vetëm në rajon, por në përgjithësi në Evropë. Pasojat për ekonominë janë një thikë me dy presa. Për nivelin e lartë të huave të pakthyera që ka Shqipëria kanë shprehur shqetësim Banka Botërore, FMN dhe së fund BERZH lidhur me pasojat që sjell në rritjen ekonomike të vendit. “Rritja e huave të pakthyera, e ‘kredive të këqija’ është një thikë me dy presa: nga njëra anë shtrëngon gjendjen e likuiditetit në sistemin financiar, duke shkaktuar edhe shtrëngimin e kritereve dhe kujdesin e bankave për huadhënie të mëtejshme, gjë që çon në nënfinancimin e ekonomisë në përgjithësi. Ka një lidhje shkak-pasojë mes huave me probleme dhe financimit të ekonomisë, e cila hyn në një rreth vicioz: mosfinancimi i ekonomisë nuk gjeneron likuiditet, investime dhe kërkesë konsumatore, që nga ana tjetër rrit vështirësitë në gjendjen e likuiditetit të klientëve dhe komprometon aftësinë e tyre paguese në banka, duke ushqyer akoma dhe më shumë portofolin e huave me probleme. Më tej, kjo gjendje ul fitimin e bankave dhe rrit kërkesat për kapital, duke i detyruar bankat të zgjedhin një alternativë investimi me më pak rrezik, siç janë titujt qeveritarë dhe mos i kanalizuar fondet drejt ekonomisë private, pra biznesit dhe individëve. Si rezultat rrezikohet rritja ekonomike, thotë profesori Elvin Meka.
Efektet
Kreditë e pakthyera mbartin me vete edhe një problem tjetër serioz: blerjen nga Bankat të kolateralit ose të pronës, që huamarrësit kanë lënë peng tek ato për huan e marrë. Tashmë bankat tregtare janë aq të rënduara me këto kolaterale saqë nuk dallojnë më me agjencitë imobiliare që kërkojnë të shesin prona. Tashmë problemet e kredisë përcillen edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë dhe ku ndërtimi është i pari që e pëson. Zef Preçi, ekspert i ekonomisë, thotë se kolaterali përfaqëson asetet që mund të lihen peng në favor të huadhënësit në rast dështimi apo pamundësie të huamarrësit për të kthyer huan. “Zakonisht si kolateral vendosen banesat, apartamentet e banimit, që Banka i merr në pronësinë e saj kur huamarrësi, biznes ose individ qoftë, nuk kthen kredinë e marrë. Në këtë rast Banka e shet apartamentet e banimit në bazë të një procedure ligjore, nxjerrjes së tyre në ankand. Likuidimi i kolateraleve përfshin apartamentet e banimit, që shiten nga Bankat deri në 40% të vlerës së tregut në raundin e dytë të ankandit, gjë që i ka shndërruar këto të fundit në një “gjah të majmë” për zyrtarë bankash tregtare vendës dhe të huaj, dhe një mundësi për futjen në qarkullim dhe legjitimimin e shumave të mëdha të parave me origjinë të dyshimtë nga veprimtaritë e paligjshme dhe nga korrupsioni. Personalisht mendoj se duhet hequr dorë nga pranimi dhe përdorimi i banesës së familjes, si garanci për bankat, qeveria duhet të gjejë forma dhe rrugë të tjera, të njohura në botën përreth, për nxitjen e biznesit, ndërsa bankat duhet të mësohen “të bëjnë banking”, mbështetur në ndjekjen e zhvillimeve ekonomike të vendit”, thotë Zef Preçi.
Ndërhyrjet
Politika ashtu si edhe Banka e Shqipërisë prej dy vjetësh janë të angazhuar për t’i dhënë një zgjidhje situatës. Ndërhyrja me thelbësore është një ligj i ri me të cilin synohet të krijohen mundësitë për të ulur nivelin e kredive të pakthyera. “Është fjala për reforma që bëjnë të mundur futjen në qarkullimin ekonomik të parave përkohësisht të lira të qytetarëve dhe bizneseve, që nxitin konkurrencën dhe ndëshkojnë rritjen e çmimeve apo shfrytëzimin e dobësive rregullatore nga bankat tregtare, ndëshkojnë korrupsionin me këto të fundit dhe i shndërrojnë bankat tregtare në aktorë dhe faktorë të rëndësishëm në kapërcimin e krizës, rritjes ekonomike të qëndrueshme të ekonomisë kombëtare”, thotë Zef Preçi. Por ka edhe përvoja te dobishme në vendet fqinje që mund të aplikohen në Shqipëri. “Një përvojë interesante është ajo e Malit të Zi, ose i ashtuquajturi “Modeli Podgorica”, i cili mund t’u sigurojë jo vetëm bankave tregtare një mekanizëm eficient në zgjidhjen e problemeve, por ndihmon edhe shoqëritë me aftësi paguese, që kanë vështirësi në kryerjen e veprimtarisë së tyre ekonomike”, thekson profesori Elvin Meka.
Falimentet
ARMO e KURUM janë dy rastet e kompanive të mëdha që kanë shkaktuar problemet më të shumta me kredinë e keqe. Por ato nuk janë të vetmet. Sipas Bankës së Shqipërisë janë 35 kompani të mëdha që zotërojnë pjesën më të madhe të kredive të këqija në sistemin bankar. Vlera e kredive pa shpresë kthimi prej tyre është sa 65 për qind e totalit të kredisë me problem. Prej këtyre kompanive shtatë ose tetë subjekte, të njohura si VIPat e ekonomisë, janë në prag ose në proces falimentimi. Drejtues të Bankës së Shqipërisë kanë konfirmuar se për pjesën e mbetur të debitorëve më të mëdhenj ndaj bankave, do të punohet lidhur me atë, se si të gjenden zgjidhje alternative, përmes ristrukturimit të borxhit. Kjo për disa prej tyre, madje, është arritur tashmë dhe një gjë e tillë, sipas zyrtarëve të BSH-së, do të japë efekte pozitive pasi pritet të ulet stoku i kredisë së keqe. Por falimentet i kanë vënë Bankat në vështirësi serioze, pasi kolateralet e lëna prej kompanive të falimentuara edhe pas disa ankandeve të përsëritura nuk po arrihen të shiten, duke krijuar edhe një tjetër problem për to. Zgjidhjet edhe pse në ekzekutim e sipër ende nuk po japin rezultatet e pritshme. Treguesi i kreditimit të ekonomisë, e veçanërisht biznesit të madh ngelet në nivelet më të ulëta historike, në një kohë që depozitat bankare janë më të tejmbushura se kurrë edhe pse normat e interesit janë minimale.