Fjala zhvleftësim i përgjigjet një operacioni financiar mjaft të ngatërruar dhe prandaj ka nevojë të shpjegohet nga pikëpamja teorike. Zhvleftësimi i monedhave nuk është një gjë që u shpik sot, ai është zbatuar qysh se ka filluar në botë ekonomia tregtare, që ka për bazë shkëmbimin e plaçkave. Gjatë shekujve të historisë mesjetare mbretërit e atëhershëm që harxhoheshin nëpër luftëra dhe ngelnin ngushtë financiarisht i vërsuleshin monedhës.
Ky ishte mjeti klasik për të ekuilibruar buxhetet në deficit. Asi kohe operacioni ishte i thjeshtë. Monedhat prej metali të çmuar që ishin në qarkullim përbëheshin nga një sasi e caktuar ari ose argjendi të përzierë me një metal tjetër (bakër, bronz, kallaj).
Zhvleftësimi bëhej atëherë duke pakësuar peshën e monedhave ose përqindjen e metalit të çmuar. Pas një periudhe krize e turbullimesh në shkëmbime, baza e re monetare bëhej rregull dhe monedha e zhvleftësuar bëhej mjeti normal i shkëmbimit.
Arsyeja e thellë ekonomike e këtij procesi ishte kjo: Evolucioni i shoqërisë nga pikëpamja e prodhimit është bërë duke shtuar sasinë e plaçkave të prodhuara. Përparimi i teknikës ka krijuar makinën që zë vendin e krahut të njeriut dhe ia shton këtij fuqinë prodhuese. Puna, siç dihet, është ajo që i jep vleftën plaçkës së prodhuar. Pra, duke u shtuar fuqia prodhuese e punës së njeriut pakësohej koha e nevojshme për prodhimin e një plaçke, kështu që pakësohej edhe vlefta e saj. Vlefta e një plaçke shprehet në çmimin e saj. Domethënë në zhvillimin historik të shoqërisë vlefta e produkteve të punës së njeriut, e përfaqësuar nga çmimi, ka shkuar duke u pakësuar.
Ari, që është një plaçkë si të tjerat, ka vleftë në vetveten sepse është një produkt i punës së njeriut. Ai ka një vleftë të madhe në një sasi të vogël nga që është i rrallë dhe do shumë punë për t’u nxjerrë nga gjiri i tokës. Përveç asaj është një metal që nuk thyhet, nuk prishet, nuk ndryshket. Këto veti ekonomike dhe fizike e kanë bërë që të zgjidhet si masë e vleftës. Në arin si në një pasqyrë shprehin vleftën e tyre të gjitha plaçkat që prodhon krahu i njeriut. Deri sa shërben si mjet përdorimi ose mjet stolie (dhëmbë, unaza, vathë etj.) ari vazhdon të jetë një plaçkë si të tjerat dhe shitet e blihet në bazë të peshës me një çmim të caktuar. Kurse, nga ana tjetër, që ditën që u zgjodh si përfaqësues universal i vleftave dhe si mjet i përgjithshëm shkëmbimi, puna e tij ndryshoi. Me të marrë këtë titull të ri që e ngriti në rolin e parasë dhe u njoh me vulën e Shtetit, ari u shkëput nga mezi i plaçkave të tjera dhe filloi të sundonte mbi to. Ari i zgjedhur si masë e vlerave u bë një perëndi i plotfuqishme që sundon botën e tregtisë së plaçkave. Çdo plaçkë, që të shkëmbehej me një tjetër duhej pikësëpari të shkëmbehej në ar, kurse ari mund të shkëmbehej drejtpërdrejt me të gjitha plaçkat e tjera. Vlefta e plaçkave të tjera ndryshohej si mbas konditave të prodhimit kurse ajo e arit mbetej e pandryshuar deri sa kishte vulën e Shtetit.
Zhvillimi i teknikës në degët e ndryshme të prodhimit preku edhe industrinë e floririt. Gjatë shekujve edhe kostimi i metalit të verdhë u pakësua. Mirëpo ari është një plaçkë e privilegjuar që nuk shkon baras me të tjerat. Ai nën formën e monedhës ka për detyrë të sigurojë shkëmbimin e të gjitha plaçkave që dalin në treg. Në çdo moment të zhvillimit ekonomik të shoqërisë kapitaliste duhet të ketë një përpjesëtim (proporcion) të caktuar ndërmjet sasisë së monedhave në qarkullim dhe vleftës së plaçkave që shkëmbehen. Këtu dy fakte janë për t’u theksuar. Pikësëpari sasia e arit të prodhuar në gjithë botën nuk është rritur proporcionalisht me sasinë e plaçkave të tjera që ka qitur industria e mekanizuar. Kështu për shembull në vitin 1929 shuma e pagesave ndërkombëtare kapte 40 miliardë dollarë kurse i gjithë ari i botës ishte vetëm 11 miliardë dollarë. E dyta: çmimi i prodhimit të arit nuk është pakësuar aq shpejt sa ai i plaçkave të tjera. Me fjalë të tjera floriri ka vazhduar gjithmonë të jetë një plaçkë e rrallë dhe nxjerrja e tij ka lypur një kohë pune të gjatë. Kështu që historikisht fuqia blerëse e arit ka vajtur duke u shtuar. Kjo domethënë se me një sasi të caktuar ari ka qenë e mundur të blihet një sasi më e madhe plaçkash. Mirëpo ari në formën e monedhës ka një vleftë të caktuar prej Shtetit. Në kohë krize superprodhimi, kur mjetet teknike të përsosura lejojnë të hidhet në treg një sasi më e madhe plaçkash më të lira, atëherë ngjet kjo që me një copë monedhe të blihet dy ose tri herë më tepër plaçka se sa në kohë normale. Pra, duhet që monedha t’i përshtatet nivelit më të ulët të çmimeve duke u pakësuar sasia e metalit të çmuar që përmban ose përfaqëson çdo copë. Ky është zhvleftësimi. Dhe meqë deri sot sistemi ekonomik është bazuar mbi konkurrencën e lirë dhe rregullimin e prodhimit me anë të tregut të vlerës, ky adaptim i mekanizmës monetare mbas ndryshimeve të strukturës ekonomike është bërë çdo herë pas një krize violente dhe shkatërruese për ekonominë e një vendi.
——————-
Me ngritjen e industrisë së madhe dhe sidomos që nga Lufta e këndej, ari në formë monedhe u zhduk fare nga qarkullimi. Paraja e arit u bë masë teorike e vleftave dhe si mjet shkëmbimi përdoret vetëm në tregtinë ndërkombëtare. Metali i çmuar u ndrydh në kasat e bankave dhe vendin e tij në tregun e brendshëm të çdo Shteti e zuri kartëmonedha. Në fillim karta e shtypur prej Bankës së Shtetit mundi të luante rolin e parasë meqë përfaqësonte një sasi ari të caktuar dhe mund të shkëmbehej në çdo kohë me të. Derisa sasia e kartëmonedhave në qarkullim nuk kapërcente nevojat e tregut dhe shkëmbimi i tyre në ar ishte i lirë, ato kishin një kurs të pandryshueshëm.
Mirëpo sistemi i kartëmonedhës ka në vetvete një defekt që del në shesh në kohë krize dhe godet dhimbshëm ekonominë e një vendi. Kjo e metë rrjedh nga që sasia e arit që disponon çdo Shtet nuk mjafton për të siguruar qarkullimin e plaçkave në tregun e brendshëm të atij Shteti. Kështu që vlefta globale e kartëmonedhave në qarkullim është më e madhe se ajo e arit të grumbulluar në qilarët e Bankës së Emisionit. Teorikisht përpjesëtimi duhet të jetë një me tri. Domethënë se Banka e Shtetit duhet të ketë depozituar në kasat e saj një sasi ari që të arrijë një të tretën e vleftës së monedhave në qarkullim. Mbas këtij sistemi Banka e Shtetit lëshon para kartë jo vetëm kundrejt arit që ka të depozituar por edhe kundrejt kambialeve që i sjellin bankat e tjera për skontim, kundrejt çeqeve, bonove të thesarit, obligateve huash të Shtetit e të tjera letra të vlefshme që lihen si garanci në zyrat e saj. Krahas me kartëmonedhën qarkullojnë si para edhe çeqet dhe kambialet.
Kësisoj krediti merr një zhvillim të jashtëzakonshëm. Krijohet një varg i koklavitur obligimesh që largohen po nga baza e prodhimit. Në saje të kreditit bota rrojnë në të ardhmen dhe jashtë çdo proporcioni me mjetet e tyre reale. Të gjithë dehen nga shpresa e një pasurimi të shpejtë. Spekulimet në bazë zhvillohen me një fuqi të ethshme. Aksionet hipin me një shpejtësi hutuese. Ndërmjet kapitalit real të përfaqësuar nga aparati i prodhimit dhe kapitalit nominal të përfaqësuar nga letrat me vleftë (aksione, valutë, obligate etj.) spekulimet e shfrenuara të bursës çelin një humnerë. Puna ecën për bukuri deri me një kohe: njerëzia rrojnë në mes të një bollëku e lulëzimi të kënaqshëm. Fuqia magjike e kreditit kapërcen kufijtë e shteteve dhe vete të pjellësojë tokat më të largme, të vleftësojë pasuritë e fshehura të vendeve më të lëna nga rryma e qytetërimit.
Kështu bota e tërë thuret me një rrjetë të imtë kredish që kapin shuma fantastike. Mirëpo ky zhvillim i bujshëm por i parregulluar nga një instancë supreme nuk mund të vazhdojë. Mjafton një incident i vogël që të përmbyset gjithë kjo kullë e Babelit, e ngrehur në erë. Incidenti shfaqet nën formën e një teprice prodhimi bujqësor, ose të ndonjë katastrofe ekonomike në një kënd të piramidës artificiale, e cila qëndron në këmbë vetëm me anë akrobacish financiare.
Kështu ngjau me “boom”-in e New York-ut më 1929. Paniku i bursave të Amerikës dhe rrëzimi në mënyrë katastrofike i kursit të letrave me vleftë që tronditi botën këtu e shtatë vjet i dha fill krizës ekonomike që po i sjell njerëzisë mendjen vërdallë edhe sot. Zhvleftësimi i monedhave që u bë tash së fundi është episodi i dytë i kësaj valleje që filloi me sterlinën më 1931.
Kriza filloi me rënien e pandalshme të çmimeve të produkteve bujqësore dhe lëndët e para industrore. Plaçkat pllakosën tregun, paraja u rrallua. Gjithë bota donin të shisnin, asnjeri nuk donte të blinte. Malli nuk kishte më asnjë vleftë meqë nuk mund të shkëmbehej në të holla. Rrjeta delikate e kreditit që ishte bazuar sidomos në besimin, u shthur. Kartëmonedhës nuk i besonte më njeri. Duhej ari tingëllues, duhej metali i çmuar që kishte vlerën në vetvete e jo me përfaqësues të tij në letër. Kështu gjithë bota u turrën të shkëmbenin kartëmonedhat në ar, dhe Banka e Anglisë në një javë humbi 200 milionë sterlina ar. Mirëpo ky sulm kundër floririt nuk mund të vazhdonte, sepse kartëmonedha në qarkullim kishte disa herë më tepër se sa vlente i gjithë ari i grumbulluar në binxat e Bankës së Anglisë. Për të ndaluar këtë “hemorragji” të florinjtë nuk kishte rrugë tjetër përveçse monedha letër të shkëputej nga baza e arit.
Zinxhiri për herën e parë u këput në London se atje ishte qendra financiare që ku miliardët në formë krediti derdheshin si “manna” e qiellit në katër anët e botës dhe sidomos në Gjermani e në Evropën Qendrore. Në Shtator 1931 qeveria britanike vendosi të mos e shkëmbejë sterlinën në ar dhe menjëherë paraja dikur e patronditshme e Britanisë së Madhe humbi 40 për qind të vleftës së saj. Sterlinën aty për aty e ndoqën monedhat e shteteve skandinave dhe ato të dominioneve.
Zhvleftësimi u siguroi këtyre shteteve përfitime të mëdha si eksportatorë. Prandaj ishte një gjë fatale që herët a vonë të merrnin këtë rrugë edhe valutat e shteteve që hynin në të ashtuquajturin “Bllokun e Arit”. Në krye të këtij blloku ishte Franca, e cila kishte rezervat më të shëndosha në ar dhe frangun të siguruar me tetëdhjetë e ca për qind. Mirëpo derisa shkëmbimi në ar ishte i lirë shtetet me valutë të zhvleftësuar blinin franga franceze dhe me anën e tyre pomponin arin e Bankës së Francës. Kështu edhe Franca humbi 25 miliardë në disa muaj. Më së fundi zhvleftësimi i frangut francez u bë një fakt i mbaruar pikërisht në një kohë kur flitej më me nxehtësi kundër kësaj mase. Tani të gjitha monedhat e shkëputura nga baza e arit lëkunden nën sulmin e spekulimeve të bursës më keq se barka në mes të tallazeve të oqeanit. Për të ndaluar ndryshimet tepër të forta në kursin e kambiove Bankat e emisionit të Shteteve të mëdha kanë krijuar “Fondin e stabilizimit” që do të luftojë spekulimet e borsës duke blerë ose duke shitur banknotat. Me fjalë të tjera Shtetet do të bëhen dirigjuesit e monedhës dhe do të paralizojnë manovrat e spekuluesve duke spekuluar ata vetë në shkallën më të gjerë me anën e Fondit të Stabilizimit që do të lozë me miliardë.
—————-
Si konkluzion i kësaj pjese mund të themi se zhvleftësimi i monedhës zhduku një anomali të paduruar që pengonte shkëmbimet ndërkombëtare, por që të zhdukë krizën ekonomike është e pamundur, sepse kriza i ka rrënjët në antagonizmin ndërmjet prodhimit dhe konsumit edhe jo në sistemin monetar, i cili nuk luan një rol drejtues në ekonomi.
Përpjekja Shqiptare, nr. 3, dhjetor 1936
*Tajar Zavalani, shkrimtar, gazetar, përkthyes, historian e politikan u lind në Manastir më 1903. Një pjesë të madhe të jetës së tij shërbeu si gazetar në BBC. Arsimin bazë e kreu në Manastir, në një shkollë katolike franceze. Më 1925 shkon në Rusi për të plotësuar deri në fund “ëndrrën e jetës” ku diplomohet në ekonomi dhe shkenca politike. Shpejt do të zhgënjehet nga regjimi stalinist që i vret edhe të vëllanë dhe largohet në Zvicër e më pas ikën pranë të atit në Selanik. Më 1933 vjen në Shqipëri, ku shumë shpejt shquhet si personalitet me peshë në kulturën e gazetarinë shqiptare të viteve 30-të. Shërben më pas edhe si Drejtor i Statistikave në Ministrinë e Financave. Ikën nga Shqipëria më 1939. Nga nëntori 1940, për 26 vjet me radhë, shërben si përkthyes dhe spiker në Seksionin Shqiptar të Shërbimit për Evropën të BBC, së bashku me diplomatin Dervish Duma dhe Anton Logorecin. Vepra më e mirë origjinale e tij është “Historia e Shqipnis” në dy vëllime, të cilën e botoi në Londër në vitin 1965. Vdiq në gusht 1966, i nderuar nga respekti i Londrës aristokratike, larg atdheut të dashur.