Po të shikosh tregun ushqimor shqiptar, ku më shumë se 700 milionë euro ushqime importohen çdo vit, apo ka edhe një tendencë në rritje të eksporteve të produkteve bujqësore në mbi 110 milionë euro në vit, investimet në bujqësi do të jenë në drejtimin e tyre kur ato do të jenë të orientuara mirë dhe me plane të sigurta biznesi.
Por Ismail Beka, i Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar (GIZ) thotë se, për të arritur një biznes të suksesshëm, nuk mjafton të kesh vetëm para, sidomos në bujqësi. Bujqësia dhe blegtoria zhvillohen në natyrë dhe varen shumë nga kushtet natyrore dhe risku i tyre është më i lartë se çdo biznes tjetër. Ai thotë se shumë sipërmarrës nisen për të investuar vetëm duke parë njëri-tjetrin.
P.sh., nëse dikush blen dhi alpine, e ndjekin dhe të tjerët, por që nga koncepti, ky investim e humb thelbin. Kur e merr dhinë alpine e çon në Myzeqe apo zonat bregdetare, nuk është komode, se ajo është “dhi alpine”. Dukuria e dytë është se po investohet në importin e kafshëve racore jo vetëm lopë, por edhe bagëti të imta, kryesisht të bazuara në rritje stallore me ushqim të koncentruar dhe duke mos e bazuar te koncepti që mbajtja e blegtorisë në regjim stallor është absolutisht e lidhur me tokën. Nëse nuk je i lidhur me prodhimin e ushqimit për blegtorinë në tokat bujqësore pranë komplekseve blegtorale, investimi mund të rezultojë me kosto të lartë dhe të mos jetë fitimprurës, shton Beka.
Vërtet orientimi bazë është prodhimi blegtoral, por së pari duhet menduar të garantosh prodhimin bujqësor, që fillon që nga sigurimi i tokës e deri te prodhimi i ushqimit. Nëse importon ushqimin, kashtën dhe drithin, atëherë investimi mund të rezultojë me kosto të shtrenjtë dhe pa vlerë.
Ndaj, në këto kushte, është e domosdoshme asistenca teknike e kualifikuar. Këta sipërmarrës, që kanë fuqinë e investimit, duhet të kenë asistencë teknike dhe informacion më të detajuar dhe profesional, sesa është sot shërbimi këshillimor, në mënyrë që të përshtatin investimet. Duhen njerëz të aftë të biznesit agroushqimor që t’i këshillojnë. Është si dikush, që ka para dhe do të bëjë një vilë ta ndërtojë vetë atë, pa arkitektin.
Një tjetër shembull i investimeve të gabuara po vërehet aktualisht në blegtori. Shumë njerëz rikonstruktojnë godinat e vjetra të stallave që kanë qenë me teknologji jofunksionale në kushtet e klimës që ka Shqipëria, pasi janë ndërtuar me struktura të rënda, kur në fakt, klimës shqiptare i përshtaten strukturat e lehta ndërtimore dhe me dalje të bagëtive për shumë kohë në tokat bujqësore përreth stallave, shtoi eksperti i fushës. Ndonjëherë, investitorët priren nga grantet dhe fillojnë të ndërtojnë pa shqyrtuar mirë alternativat Është shumë e rëndësishme që ata të shfrytëzojnë asistencën teknike, këshillon ai.
Biznesi i energjisë, në dorë të Zotit
Megjithëse në zhvillim të shpejtë, prodhimi i energjisë elektrike shihet të jetë me risk të lartë dhe i varur totalisht nga kushtet klimatike.
Tregu privat i energjisë u zgjerua me mbi 20% vitin që shkoi, kryesisht për shkak të rritjes së numrit të operatorëve me 16%, ndërsa kompani të veçanta të tregut, sidomos operatorët e mëdhenj, kanë pësuar ulje. Vetë kompanitë bëjnë me dije se aktiviteti i tyre është i varur tërësisht nga kushtet klimatike, ndaj dhe prodhimidhe fitimet për shumicën e tyre ka pësuar rënie në vitin 2014 për shkak se reshjet kanë qenë më të pakta.Duke qenë se tregu është shtuar me operatorë të rinj dhe disa prej tyre kanë rritur kapacitetet e prodhimit, ka pësuar një konfigurim të rigjatë vitit 2014. Erdat Lura, prodhuesi më i madh nga koncesionarët e vegjëlmë 2014, pësoi një rënie të prodhimit me 22% e për rrjedhojë, edhe më pak të ardhura. Vendin tij gjatë vitit që shkoi e zuri Euron Energy Group sh.p.k., i cili shënoi rritje të prodhimit me 245% krahasuar më 2013.
Rënie pësoi edhe Albanian Ggreen Energy me 5%, Gjoka s.p.a. me 3%. Rënia shihet të jetë e qartë në kompanitë që kanë pasur të njëjtat kapacitete prodhimi si në vitin 2013 edhe në 2014, por që për shkak të reshjeve më të pakta kanëprodhuar më pak. Në një kohë që disa kompani të tjera kanë rritur ndjeshëm prodhimin në vitin 2014, për shkak se kanë nisur punë vonë në 2013-n dhe gjithashtu kanë rritur kapacitetin e prodhimit gjatë 2014.
Nga 7 bizneset më të mëdha të HEC-eve të vogla, HEC Tervoli, Albanian Green Energy dhe Gjoka s.p.a kanë shënuar rënie gjatë vitit që shkoi, ndërsa Energy Plus, Euron Energy dhe Balkan Energi patën një prodhim më të lartë respektivisht 149%, 245% dhe 3% më shumë se më 2013.
Mungon orientimi i organizuar
Kanë kaluar shumë vite kur tranzicioni ekonomik ka konsumuar vetveten dhe vendi ende nuk e ka një model të ri ekonomik zhvillimi, i cili duhet të shpallte sektorët që do të siguronin rritjen ekonomike në periudhën afatgjatë. Evidentimi i burimeve të reja të rritjes më pas duhet të jetë busull orientimi për politikat e qeverisë për lehtësira fiskale dhe procedurale me qëllim lehtësimin e të bërit biznes dhe thithjen e investitorëve të huaj.
Shqipëria i ka burimet natyrore të bollshme dhe një pozicion gjeografik strategjik për shfrytëzimin maksimal të tyre. Por mungesa në prioritizimin e dy a më shumë resurseve e ka bërë zhvillimin e tyre kaotik dhe në shumë raste dëmi është më i madh se përfitimi.
Sektorët e bujqësisë, turizmit dhe industrisë janë artikuluar nga qeveritë e dekadës së fundit si prioritete ku do të nxitet prodhimi vendas dhe nëpërmjet tyre, edhe rritja ekonomike, por mbështetja e tyre me politika të qëndrueshme nuk ka funksionuar, por përkundrazi politika fragmentare po rrezikojnë edhe ato pak investime në prodhim. Shembull tipik në të këtë rast janë hidrocentralet e vogla që u dhanë me koncesion në pesëvjeçarin e fundit.
Qeveria e mëparshme për të nxitur ndërtimin e këtyre veprave siguroi shitjen e energjisë me një çmim të lartë ndaj kompanive publike rreth 9 lekë për kilovatorë. Por kriza që pasoi sektorin nga ikja e CEZ e bëri të pamundur shlyerjen e faturave në kohë nga KESH ndaj HEC-eve duke akumuluar një borxh rreth 50 milionë euro ndaj tyre.
Qeveria e re që erdhi në pushtet në shtator të vitit 2013 uli çmimin me të cilin HEC-et shisnin energjinë, duke e çuar atë në 7 lekë, ndërkohë që me miratimin e ligjit të ri të energjisë në tre vitet në vijim, HEC-et e vogla duhet të gjejnë në mënyrë të pavarur tregun për shitjen e energjisë së tyre. Por për bizneset e sektorit, kjo është një politikë vrastare, pasi në kushtet kur mungojnë linjat e interkoneksionit dhe tregu i energjisë nuk ekziston, liberalizimi i tregut është hipotetik.Ndryshimi i politikave ka vënë në vështirësi ekzistencën e shumë prej këtyre HEC-eve, të cilët e kanë bërë investimin me kredi bankare./Monitor