Në vitin 2017 qeveria planifikon të ketë një buxhet prej 467.2 miliardë lekësh ose mbi 3.4 miliardë euro. Me këtë madhësi shpenzimesh që është sa 29.3 për qind e prodhimit kombëtar, qeveria do të jetë gjeneratori më i madh i parave në ekonominë e vendit. Në nëntor dhe dhjetor të çdo viti axhenda e Kuvendit të Shqipërisë është e dominuar nga debatet për buxhetin e vitit që vjen. Është ligji më i rëndësishëm financiar i vitit. Të gjithë aktorët shtetërorë që ushqehen prej tij janë në garë se kush të përfitojë më shumë. As viti 2017 nuk bën përjashtim nga ky rregull. Debatet dhe presionet politike kanë nisur prej kohësh. Po çfarë është buxheti i sivjetmë? Në terma të përgjithshëm, nga 467.2 miliardë lekë 162.1 miliardë lekë ose gati 34.6 për qind e të gjithë buxhetit shkojnë për pensionet, sigurimet shëndetësore dhe kompensimin e pronarëve. Sipas planifikimit të qeverisë në 2017 rreth 74.8 miliardë lekë të tjerë shkojnë për pagat dhe sigurimet shoqërore të administratës publike. Ndërsa 74.4 miliardë lekë, rreth 16 për qind të shpenzimeve qeveritare janë planifikuar për investimet publike që janë zëri i tretë më i madh i shpenzimeve buxhetore. Më pas në listë janë shpenzimet operative të administratës me 44.4 miliardë lekë, pagesat e borxhit publik me 42 miliardë lekë, shpenzimet e pushtetit vendor 40.8 miliardë lekë dhe ndihma ekonomike me 23.3 miliardë lekë.
Të ardhurat
Sipas planeve të qeverisë në vitin 2017, të ardhurat nga tatimet dhe doganat do të rriten me rreth 21 miliardë lekë në krahasim me të ardhurat e mbledhura faktikisht në 2016. Duke përfshirë edhe të ardhurat nga sigurimet shoqërore, të ardhurat pritet të rriten në vlera neto me 23 miliardë lekë ose 6.5% më shumë. Edhe pse është një vit elektoral, parashikimet janë pesimiste. Të ardhurat tatimore në 9-mujorin e këtij viti janë rritur me 7.4%, teksa shihet se qeveria ka planifikuar një rritje me ritme më të ulëta për tatimet dhe doganat për vitin që vjen. Rreth 29% e të ardhurave shtesë në buxhetin e 2017 do të grumbullohen nga ndryshimet në paketën fiskale. Efektin më të madh në të ardhura të ndryshimeve fiskale pritet ta ketë e ashtuquajtura amnisti, edhe pse ende nuk ka një projektligj gati. Efektet e pritshme pozitive të ligjit për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme dhe projektligjit për faljen e një pjese të gjobave janë vlerësuar 4.6 miliardë lekë. Pjesa tjetër prej 1.8 miliardë lekësh, do të merret nga rritja e akcizës për gazin e lëngshëm me 3 lekë për litër, nga heqja e përjashtimit të akcizës për naftën e peshkimit dhe nga dyfishimi i akcizës për purot dhe cigarillot. Qeveria ka programuar në buxhetin e vitit 2017 të arkëtojë të ardhura shtesë në masën e 16 miliardë lekëve nga rritja ekonomike, e cila është programuar 3.8% dhe nga miradministrimi i taksave (lufta ndaj evazionit fiskal). Mirëpo të ardhurat nga këta dy tregues nuk është se janë shumë të sigurta, nisur nga përvojat e shkuara. Rritja ekonomike e vendit në 6 vitet e fundit është finalizuar sistematikisht poshtë parashikimeve, teksa lufta ndaj informalitetit duket se nuk ka dhënë rezultatet që qeveria ka pritur qysh në nisje të saj. Po kështu është parashikuar rritja e konsumit të karburanteve në përputhje me rritjen ekonomike dhe nevojat e tregut. Rritja e të ardhurave nga renta minerare dhe TVSH është rezultat i zgjerimit të bazës së taksimit, për shkak të rritjes së çmimeve ndërkombëtare të karburanteve. Rritja e çmimit të karburanteve me rreth 20%, krahasuar me gusht 2016, për shkak të vendimit të OPEC-ut për të ulur prodhimin dhe përforcimin e kontrollit në prodhimin, përpunimin dhe tregtimin e naftës vendëse. Rritja e të ardhurave nga TVSH-ja në import si dhe TVSH brenda vendit, e shoqëruar kjo njëkohësisht me programimin e fondeve të nevojshme për rimbursimin në kohë të tatimpaguesve. Është programuar rritja e të ardhurave nga tatimi mbi fitimin (rreth 6%), e cila reflekton rritjen e deklarimit dhe qarkullimit të realizuar të operatorëve ekonomikë. Rritja e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale si dhe të kontributeve të sigurimeve, e cila mbështetet si në efektet e rritjes së pagave të sektorit buxhetor ashtu edhe në efektet e fushatës anti-informalitet.
Presioni i taksave
Të ardhurat nga TVSH-ja parashikohet të jenë më 2017 në masën 141,706 miliardë lekë, ose 8,5 miliardë lekë më shumë se pritshmëria për vitin 2016 ose 6.4%. Burimi kryesor i të ardhurave shtesë nga TVSH-ja për vitin 2017, do të jenë të ardhurat nga importet si rezultat i rritjes së çmimeve ndërkombëtare të karburanteve rreth 1.6 miliardë lekë. Rritja e të ardhurave në TVSH-në e brendshme, si rezultat i luftës ndaj informalitetit dhe rritjes së bashkëveprimit midis DPD dhe DPT për të minimizuar hendekun e taksës me 2 miliardë lekë dhe të ardhurat si rezultat i ligjit për faljen e gjobave rreth 1.5 miliardë lekë. Të ardhurat nga akciza vlerësohen në masën 46,997 miliardë lekë me 4.4 miliardë lekë (ose 10.4%) më shumë se viti 2016. Kjo rritje është bazuar në rritjen e zhdoganimeve për cigaret dhe karburantet. Ministria e Financave arsyeton se vitin që vjen, rritja e importeve të këtyre produkteve do të udhëhiqet nga rritja e konsumit dhe rritja ekonomike. Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin priten të jenë 29,820 miliardë lekë ose 10.4% më shumë se viti 2016. Përpos rritjes nominale ekonomike prej 0.6% te tatimi mbi fitimin janë shtuar të ardhurat që priten të arkëtohen si rezultat i ligjit për faljen e gjobave. Për periudhën nëntëmujore 2016, të ardhurat nga tatimi mbi fitimin janë rritur me 5.4%, por edhe kjo rritje është nxitur nga gjoba për pagën e vonuar të tatimit. Të ardhurat nga taksa nacionale vlerësohen rreth 37,374 miliardë lekë ose rreth 1.5 miliardë lekë më shumë se pritshmëria e vitit 2016, ose 4.4% më shumë. Rritja e taksave nacionale vjen për shkak të rritjes së taksës së qarkullimit dhe karbonit, si rezultat i rritjes së parashikuar të importit dhe konsumit të karburantit dhe rritjes së të ardhurave nga renta minerare për shkak të rritjes së çmimeve ndërkombëtare në bursë. Të ardhurat nga renta pritet të rriten edhe si rezultat i politikës fiskale për aplikimin e vlerave referuese për bazën e taksimit të rentës për rastet e aplikimit të taksimit sipas vlerës, bazuar në çmimet e tregut ndërkombëtar dhe shitjet brenda vendit dhe për eksport. Të ardhurat nga taksa doganore vlerësohen të jenë rreth 6.7 miliardë lekë, ose 618 milionë lekë më shumë se viti 2016. Sipas financave, ndikim në këtë zë kanë të ardhurat shtesë nga rritja e importeve. Importet e mallrave për periudhën janar-gusht të vitit 2016 u rritën me 7.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore vlerësohen në masën rreth 76.3 miliardë lekë ose 2.4% më shumë në krahasim me pritshmërinë për vitin 2016, ose 1.8 miliardë lekë më shumë. Gjenerimi i të ardhurave shtesë për kontributet do të vijë nga disa faktorë bazë, si lufta ndaj informalitetit dhe rritja e pagave në vitin 2017.
Shpenzimet
Qeveria vijon të jetë konservatore në shpenzimet publike edhe për 2017, teksa shihet që ato do të rriten në vlerë neto me 17 miliardë ose 3.8% më shumë se fakti i këtij viti. Këtë vit, shpenzimet buxhetore karakterizohen nga stimuj më të lartë, me fokus rritjen e pagave, pensioneve dhe shpenzimeve për investime. Totali i shpenzimeve publike për vitin 2017 është planifikuar të arrijë 467.5 miliardë lekë ose rreth 29.3% e PBB nga 450.2 miliardë lekë që kanë qenë në Aktin Normativ 2016. Për vitin 2017, investimet publike janë planifikuar në masën 4.8% e PBB ose 76 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe Fondin e Zhvillimit Rajonal prej 9.5 miliardë lekësh, si dhe mbështetjen buxhetore për Sektorin e Energjisë prej 1.5 miliardë lekësh). Ministria e Financave argumenton se, në planifikimin e investimeve për vitin 2017 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm të trashëguara nga viti 2013 dhe më parë. Ashtu si në 2014 dhe 2015, do të ketë përparësi shmangia e detyrimeve të reja dhe mbartja e tyre në vitet e ardhshme, si dhe minimizimi i detyrimeve kontraktuale për projektet në proces zbatimi, duke u fokusuar me përparësi në financimin e projekteve në vazhdim. Për vitin 2017 janë planifikuar 36.5 miliardë lekë financim i brendshëm dhe 27.4 miliardë lekë financim i huaj, dhe ka një rritje të kërkesës për financim të brendshëm në raport me kërkesën për financim të huaj. Për sa i takon strukturës së investimeve në raport me statusin e projekteve të programuara për financim, vlerësohet se rreth 84,9% e vlerës së investimeve gjithsej të planifikuar në PBA për vitin 2016 shkon për financimin e projekteve në vazhdim. Sipas burimit të financimit, vlerësohet se rreth 87% e planit të investimeve me financim të brendshëm është parashikuar për financimin e projekteve në vazhdim dhe vetëm 13% e investimeve për financimin e projekteve të reja. Një situatë të ngjashme kemi edhe për financimin e huaj, ku vlerësohet se rreth 83,8% e planit të investimeve për vitin 2016 shkon për financimin e projekteve në vazhdim. Ministria e Financave ka sqaruar se, ky skenar përfshin disa shtesa në planin e financimit të brendshëm dhe disa pakësime në planin e financimit të huaj, me qëllim sigurimin e një përshtatjeje më të mirë të objektivave të programeve me financimin e tyre, si dhe një përshtatje më të mirë të shpërndarjes së financimeve sipas prioriteteve të qeverisë. Me qëllim minimizimin e efekteve të ndryshimeve në tavanin e financimit për vitin 2016, por edhe për akomodimin e nevojave për financim të brendshëm, janë bërë edhe rialokime ndërmjet planit të financimit të huaj dhe planit të financimit të brendshëm. Ndryshimet (pakësimet) në planin e financimit të huaj nuk afektojnë ecurinë dhe disbursimet e pritshme të projekteve me financim të huaj gjatë vitit 2016, referon Ministria e Financave në relacionin për Parlamentin. Me përparësi janë financuar kërkesat shtesë për TVSH, taksë doganore dhe kosto lokale për mbështetjen e projekteve me financim të huaj, si dhe financimi i projekteve në vazhdim.
Përfituesit
Projektbuxheti i vitit 2017 në sektorin e energjisë parashikon një financim total prej 2.3 miliardë lekësh. Ky buxhet synon të sjellë një sërë risish ku përfshihen garantimi për një furnizim të sigurt të ekonomisë me burime energjetike dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për nxitjen e zhvillimit të tregut të energjisë elektrike. Në projektin e qeverisë për shëndetësinë parashikohet një financim total për investime në shumën prej 2.3 miliardë lekësh financim të brendshëm dhe të huaj. Një pjesë e kësaj shume do të shkojë për koncesionin e “Check Up” dhe përmirësimin në shërbimin e urgjencave mjekësore. Investimet në sektorin e shëndetësisë do të menaxhohen nga koncesionet PPP që do të bëjnë të mundur, të kemi shërbim të hemodializës për herë të parë në spitalet rajonale në Vlorë, Korçë, Lezhë si dhe rinovim të pajisjeve të hemodializës në spitalet rajonale në Elbasan dhe Shkodër. Për sektorin e bujqësisë parashikohet një financim në masën 5.2 miliardë lekë. Sipas Ministrisë së Financave, ky buxhet do të synojë zgjerimin dhe përmirësimin e efektivitetit të skemave të mbështetjes së fermerëve, përmirësimin e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, si dhe formalizimin e sektorit të peshkimit.
Për sektorin e arsimit dhe sporteve parashikimet janë për një buxhet 3.5 miliardë lekë. Me këtë shumë, sipas programimit të Ministrisë së Financave sigurohet financim për 51 objekte arsimore (shkolla/kopshte) të financuar nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve 2014-2015. Me këtë buxhet sigurohet financimi për ndërhyrje të reja në infrastrukturën e objekteve shkollore në arsimin parauniversitar; (rreth 30 objekte shkollore shkolla/kopshte). Vijon financimi i platformës e-learning, në kuadër të projektit me qeverinë austriake, si dhe pajisja me 40 laboratorë kompjuterikë për nxënësit e klasave të 10-11-12, në arsimin e mesëm të përgjithshëm, duke përfituar drejtpërdrejt rreth 15.000 nxënës dhe 1.200 punonjës mësimorë të këtij programi, me rreth 340 milionë lekë, nga të cilat 250 milionë lekë janë financim i huaj.
Shpenzimet e personelit për vitin që vjen janë parashikuar 4.4% më të larta me një vlerë 74.9 miliardë lekë. Për vitin 2017, reforma e administratës publike do të fokusohet në rritjen e motivimit dhe performancës së administratës qendrore, e cila do të arrihet edhe nëpërmjet rritjes së nivelit të pagave. Numri i punonjësve për vitin 2017 arrin në 81.575, numër i cili mban në konsideratë ristrukturimin dhe krijimin e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë në kuadër të reformës së nisur në këtë drejtim.
Borxhi
Ministria e Financave programon për vitin 2017, 42 miliardë lekë shpenzime për interesat e borxhit. Shpenzimet për interesa janë bazuar në fluksin e huamarrjes së brendshme dhe të huaj, si dhe në nivelin e parashikuar të normës së interesit. Deficiti buxhetor për vitin 2017 parashikohet të jetë në nivelin 2.6% të PBB nga 2.1% e PBB që është planifikimi për vitin 2016. Rritja e deficitit me rreth 0.5 pikë përqindje, nuk do të ketë ndikim mbi angazhimin e qeverisë për të reduktuar nivelin e borxhit publik në periudhën afatmesme dhe afatgjatë, pasi balanca primare parashikohet të jetë pozitive dhe rritja ekonomike relativisht më e lartë se deficiti i përgjithshëm, referon Ministria e Financave. Financimi i deficitit do të realizohet më së shumti nëpërmjet huamarrjes së brendshme (në rreth 1.6% të PBB), ndërkohë që nuk do të mungojë edhe shtesa e huamarrjes së huaj (në rreth 1% të PBB), e cila do të bazohet kryesisht te huat me terma të favorshëm, në kuadër të mbështetjes së politikave zhvillimore të ndërmarra nga qeveria.
Vlera e Produktit të Brendshëm Bruto, nominale në lekë, e cila do të përdoret për llogaritjen e raportit të borxhit publik ndaj Produktit të Brendshëm Bruto për vitet buxhetore që planifikohen dhe për vitin pararendës do t’i referohen raportit më të fundit “Perspektiva ekonomike botërore” të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Masa e deficitit buxhetor nuk do të tejkalojë masën e shpenzimeve kapitale të parashikuara çdo vit në ligjin e buxhetit. Në përputhje me këtë rregull fiskal të Ligjit organik të buxhetit, deficiti i targetuar në këtë ligj vjetor të buxhetit 2017 është 36% më i ulët se sa shpenzimet kapitale të planifikuara direkt për qeverisjen qendrore, ose rreth 46% më i ulët se sa shpenzimet kapitale të financuara nga qeverisja qendrore, por të alokuara edhe për FZHR, si dhe për sektorin e energjisë në formë kredie direkte për investime drejt këtij sektori.