Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Platformat e tregtimit online, Meka: Duhet kontroll!

$
0
0

biznes onlineNë një intervistë për gazetën MAPO, prof. asoc. dr. Elvin Meka ka shpjeguar se çfarë janë këto platforma, të cilat njihen gjerësisht si “bursa”

Vetëm një javë më parë, një prej platformave të investimeve online “Easy Invest” shpalli falimentin. Ky lloj biznesi ka gjetur një përhapje mjaft të gjerë në dy vitet e fundit, duke qenë se shumë individë zgjedhin të investojnë të ardhurat në këto lloj formash për të rritur fitimet. Kompania ka shpallur falimentin në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit duke kaluar në pezullim statusin e saj që në korrik të këtij viti. Nga ana tjetër asnjë nga investitorët nuk është lajmëruar duke lënë pas vetëm humbje. Në një intervistë për gazetën MAPO, prof. asoc. dr. Elvin Meka ka shpjeguar se çfarë janë këto platforma, të cilat njihen gjerësisht si “bursa”.

Sipas tij ajo që duhet të dihet në lidhje me këto platforma është se ato janë disa lloje shoqërish ndërmjetësimi financiar. Ato thjesht ndihmojnë individët apo subjektet e interesuara për investime në tregjet financiare jashtë Shqipërisë. Më tej Meka thotë se alternativat e investimeve në aktive financiare në Shqipëri janë të kufizuara, gjë e cila nxit edhe forma të tilla të investimeve të cilat janë jo pak të rrezikshme për qytetarët shqiptarë që janë të pa informuar. Mungesa e licencimeve është një problematikë tjetër në lidhje me këto biznese për të cilat Meka thotë se nuk mund të fajësohen as AMF-ja apo Banka e Shqipërisë. “Fatkeqësisht autoritetet rregullatorë (AMF apo Banka e Shqipërisë) nuk kanë as tagrin, as mundësitë e as mekanizmat për të parandaluar apo hetuar një veprimtari të tillë”, thotë ai në lidhje me këtë çështje.

Çfarë janë dhe çfarë nuk janë në të vërtetë këto kompani?

Lidhur me lajmin e falimentimit të një “burse” online, pikësëpari duhet të bëhet e qartë se ato nuk mund dhe nuk janë kurrsesi “bursa” dhe aq më tepër bursa online. Këto janë shoqëri (biznese), që angazhohen në veprimtari financiare dhe kryesisht në lehtësim dhe ndërmjetësim financiar, por që në asnjë rast nuk duhen ngatërruar me bursa apo platforma tregtimi të titujve, ose instrumenteve të tjera financiare. Si të tilla, ato thjesht ndihmojnë individët apo subjektet e interesuara për investime në tregjet financiare jashtë Shqipërisë, që të kenë një akses dhe lehtësi hyrje në përdorimin e platformave online, nëpërmjet një partneri të huaj, i cili vet është në rolin e një brokeri apo krijuesi tregu (market maker). Pra me pak fjalë, në pjesën dërrmuese, këto sipërmarrje shërbejnë si një lehtësues për kanalizimin e fondeve të investuesve shqiptarë drejt tregjeve financiare jashtë Shqipërisë dhe fare pak prej tyre ofrojnë dhe shërbime të administrimit të portofolit të letrave me vlerë, apo këshillim për investime financiare.

Shumë biznese dhe individë i shohin bursat si një mundësi për të shtuar vlerën e kursimeve të tyre. Sa të rrezikshme janë këto lloj formash investimi?

Në parantezë, duhet të jemi të vetëdijshëm që investime me rrezik zero nuk ka, përfshirë këtu dhe investimet në letra me vlerë (edhe ato qeveritare). Gjithashtu, investimet në bursa apo në tregje të titujve janë një prej disa alternativave që individët apo shoqëritë tregtare kanë, për të siguruara më shumë fitime prej menaxhimit të fondeve të tyre. Realisht alternativat e investimeve në aktive financiare në Shqipëri janë të kufizuara dhe disa prej tyre janë ende në fazat e para të zhvillimit dhe konsolidimit, gjë që nxit dhe inkurajon në një farë mënyre investimet jashtë vendit, në kërkim të alternativave të tjera, përveç investimeve të letrave me vlerë të qeverisë (bono dhe obligacione thesari), depozita bankare me afat, apo dhe pjesëmarrje në skemat afatgjata të kursimit dhe investimit, të tilla si: fondet e pensioneve dhe ato të investimeve. Për sa i përket rrezikut që paraqet investimi në tregjet e huaja, duhet theksuar se rreziku rritet nga vështirësia që has investuesi shqiptar për të kuptuar funksionimin e mekanizimit të tregtimit dhe të luhatjes së çmimeve në tregje të huaja, si dhe mundësia për t’u informuar siç duhet, kapaciteti për të ofruar masa mbrojtëse në raste spekulimesh, mashtrimesh, apo zhbalancimesh të mëdha tregu.

Nëse flasim në aspektin e investimeve nëpër bursa ndërkombëtare, a janë gati qytetarët shqiptarë të ndërmarrin një rrezik të tillë?

Në terma të sipërmarrjes së rrezikut të investimit, qytetarët shqiptarë nuk kanë dhe nuk duhet të kenë dallim nga asnjë investues tjetër, pasi sipërmarrja e rrezikut të investimit është një akt individual, i marrë me zotësi të plotë të vepruar. Nëse flasim për të marrë vendime investimi mbi baza të shëndosha, duhet patjetër informacion, informim dhe edukim, veçanërisht edukim financiar. Në këtë aspekt duhet thënë se në Shqipëri ka ende shumë punë dhe përpjekje për t’u bërë, pasi ka mangësi dhe boshllëqe të theksuara. Fakti është që publiku i gjerë në Shqipëri mbetet, objektivisht dhe subjektivisht, ende i edukuar dhe i informuar pamjaftueshmërisht, në drejtim të produkteve financiare, të investimit dhe veprimtarisë financiare në përgjithësi.

Nga AMF thuhet se këto lloj formash investimi nuk janë të licencuara, ose të  paktën vetëm disa prej tyre kanë arritur të licencohen. Si arrijnë të operojnë ato që nuk janë licencuar?

Është e vërtetë që operojnë vetëm një numër i kufizuar shoqërish, të cilat janë të licencuara nga AMF-ja për veprimtari me titujt. Në rastin e shoqërive të palicencuara, nuk mund të “fajësohet” AMF apo Banka e Shqipërisë për mungesë mbikëqyrje apo monitorimi të tyre, pasi ato veprojnë faktikisht jashtë juridiksionit të fushës së tyre të rregullimit. Në rastin konkret, shoqëria e falimentuar nuk kishte asnjë lloj licence për këtë veprimtari dhe fatkeqësisht autoritetet rregullatorë (AMF apo Banka e Shqipërisë) nuk kanë as tagrin, as mundësitë e as mekanizmat për të parandaluar apo hetuar një veprimtari të tillë. Legjislacioni për titujt në Shqipëri nuk lejon që një shoqëri, që angazhohet në veprimtarinë me titujt, të licencohet, apo dhe të regjistrohet pranë QKB-së pa pasur të miratuar në parim aktin e themelimit dhe statutin e shoqërisë. Më tej, ajo mund të regjistrohet pranë QKB-së, për të vijuar procedurat standarde të licencimit pranë AMF-së.

“Easy invest” edhe pse nuk kishte marrë leje pranë autoriteteve rregullatore, kishte arritur të regjistrohej në QKR. Si mund të arrihet një gjë e tillë?

Problematika në këtë rast qëndron në faktin se, për veprimtari financiare, që nuk lidhen me tregun e letrave me vlerë, nuk kërkohet një miratim paraprak i akteve të shoqërisë, përpara se ajo të regjistrohet në QKB. Kjo shpjegon dhe faktin që, subjekte te tilla që nuk kanë licencë veprimtarie financiare, regjistrohen pranë QKB-së duke vendosur si pjesë të veprimtarisë së tyre vetëm ato veprimtari që nuk bien në rregullat e licencimit të AMF-së. Kjo i lë ato “jashtë” radarit të AMF-së, por ato arrijnë të regjistrohen pranë QKB-së, edhe pa aplikuar paraprakisht për licencë pranë Bankës së Shqipërisë, për veprimtaritë që nuk mbulohen nga AMF-ja. Në këtë mënyrë, ato mashtrojnë publikun me dokumentin e regjistrimit, por jo atë të licencimit të veprimtarisë së tyre. Gjithashtu, aktet e licencimit të Bankës së Shqipërisë pamundësojnë, teorikisht dhe praktikisht, dhënien e një licence për ushtrim veprimtarie financiare (që nuk rregullohet nga AMF-ja), pasi këto dy institucione (detyrimisht) bashkëpunojnë në rrugë ligjore për raste të tilla.

Joshja është e madhe nga ana e këtyre kompanive dhe qytetarët, edhe pse të vetëdijshëm për rrezikun, vazhdojnë të investojnë. Si mund të bëhet një ndërgjegjësim që kjo situatë të mos përhapet më tej?

Ndërgjegjësimi dhe informimi mund të ndihmojë shumë në drejtim të marrjes së vendimeve të pjekura të investimit, por nuk mund të ndalojë sipërmarrjen e rreziqeve nga investuesit, qofshin këto dhe rreziqe të mëdha. Duhet të kemi parasysh që investuesit ndahen përgjithësisht në tri kategori: 1. Shmangësit (kundërshtuesit) e rrezikut (risk averse); 2. Sipërmarrësit e rrezikut (risk takers) dhe 3. Amatorët (Dëshiruesit) e rrezikut (risk lovers). Shumica e investuesve bien në kategorinë e parë dhe të dytë, ndërkohë që një pjesë shumë e vogël i përket kategorisë së tretë. Këta investues do të ngasen të investojnë gjithnjë, pavarësisht nga shkalla e rrezikut dhe kjo kategori do të jetë gjithnjë e pranishme në shoqëri dhe nuk mund të eliminohet.

Për sa i përket ndërgjegjësimit, pikësëpari iu takon autoriteteve rregullatorë (AMF dhe më në një shkallë më të vogël, Bankës së Shqipërisë) të shtojnë përpjekjet, apo të ri-kalibrojnë fokusin e punës dhe veprimtarisë së tyre, në drejtim të edukimit financiar dhe ekonomik të publikut të gjerë. Sigurisht që përpjekjet në këtë drejtim nuk kanë munguar nga të dyja autoritetet, madje disa prej nismave të tyre në vite janë të lavdërueshme, por mendoj se tashmë duhet të ketë një ri-fokusim të edukimit financiar drejt këtyre fenomeneve, për të minimizuar dhe shmangur ndodhjen e tyre në të ardhmen. Për fat të keq nuk mund të presim dhe pretendojmë që fenomene të tilla do të zhduken në të ardhmen, por të paktën ndodhja e tyre duhet të minimizohet dhe reduktohet në maksimum, së bashku dhe dëmet përkatëse që ato shkaktojnë.

Çfarë masash duhen marrë nga autoritete mbikëqyrëse të vendit tonë për situatën që është krijuar?

Siç e përmenda dhe pak më lart, autoritete rregullatorë duhet dhe e luajnë rolin e tyre parandalues që në fillim të hyrjes në treg të këtyre shoqërive, duke u kujdesur për marrjen e masave të duhura për licencimin e më tej, për monitorimin dhe mbikëqyrjen e tyre në vijim, por ato nuk mund të marrin masa për monitorimin, mbledhjen e informacioneve dhe hetimin e veprimtarisë së shoqërive që veprojnë pa licenca, por që janë të regjistruara pranë QKB-së. Në këtë drejtim mendoj se një përgjegjësi më e lartë dhe vëmendje më e madhe duhet kërkuar në drejtim të këtyre shoqërive dhe fenomeneve nga agjencitë shtetërore ligjzbatuese, si: Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP), Shërbimi Informativ Shtetëror, strukturat përkatëse shtetërore, të angazhuara në luftën kundër krimit ekonomik etj. Kjo për faktin se funksionimi i këtyre skemave dhe shoqërive jashtë fushës së rregullimit dhe mbikëqyrjes së enteve rregullatore, i ekspozon ato ndaj fenomeneve me natyrë joligjore e kriminale, si: qarkullimi i fondeve që vijnë nga evazioni fiskal, pastrimi i parave dhe akoma më keq, financimi i terrorizmit. Mendoj se fokusi i punës së këtyre subjekteve duhet të orientohet sa më shpejt dhe me përparësi drejt këtyre skemave dhe fenomeneve, për të parandaluar krijimin e tyre në të ardhmen, apo për çmontimin e atyre që mund të jenë në veprim, për të mirën dhe sigurinë e publikut shqiptar. Publiku duhet të kuptojë se veprimtaria financiare në Shqipëri është një veprimtari e licencuar, e mirërregulluar dhe e monitoruar rreptësishtë dhe nëse ai kërkon apo ka interes të përdorë shërbimet financiare ato duhet t’i kërkojë nga një subjekt i cili nuk është thjesht i regjistruar në QKB, por që zotëron licencën përkatëse për veprimtarinë e pretenduar prej tij.

Pse mendoni se nuk ka pasur një reagim të mëparshëm nga ana e tyre?

Mendoj se përgjigja duhet gjendur te prioritetet që mund të kenë pasur në vitet e kaluara dhe kanë aktualisht agjencitë ligjzbatuese (duke përjashtuar AMF-në dhe Bankën e Shqipërisë, për rolin e të cilave u shpjegova më lart), në drejtim të luftës ndaj krimit ekonomik, vlerësimit të rrezikut që këto agjenci i kanë bërë fenomeneve të tilla, si dhe ekzistencës, apo disponimit prej tyre të kapaciteteve profesionale për të kuptuar, monitoruar, hetuar dhe luftuar fenomene të tilla.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Trending Articles