“Një mollë në ditë, i thotë mjekut ik!” A mjafton vetëm molla për të na mbajtur të shëndetshëm? Nuk mjafton, sigurisht! Na duhet edhe mjeku, madje aq lehtësisht i arritshëm sa molla! Për ta mundësuar këtë, popullsia aktive ka detyrimin të paguajë për llogari të buxhetit të shtetit, kontribut për sigurimet shëndetësore, të cilat aktualisht janë 3.4% të pagës. Kontributi paguhet i ndarë përgjysmë midis punëmarrësit dhe punëdhënësit. Paguajmë çdo muaj! Përgjatë të gjitha viteve tona të punës! Kjo barrë financiare vetëm na rëndon, apo edhe na “shpërblen” kur shëndeti ynë ka nevojë?
Pavarësisht aftësisë për të paguar, e gjithë popullata është e mbuluar me sigurim. Nëse je një fëmijë, pensionist, invalid apo i papunë, rimbursohesh në masën 100% për shërbimin spitalor, dhe po aq për medikamentet e sëmundjeve kronike!
Nëse je i punësuar, ti rimbursohesh për shërbimet spitalore, në masën 100%. Dhe 50% të vlerës së medikamenteve të sëmundjeve kronike! Përfitimin për shërbimet spitalore e merr vetëm në spitalet shtetërore.
Shkon atje. Para se të shprehesh çfarë të dhemb, përballesh me aneminë teknologjike të spitalit, me atrofizimin e aparaturave, me sasinë e ulët të medikamenteve. Duhet të presësh radhën ose të shkruash emrin dhe të kthehesh sërish! Në këto kushte, as mjekët nuk bëjnë dot mrekulli. Pavarësisht ngutjes së sëmundjes, pavarësisht thirrjes së Hipokratit!
Shëndetësia përherë e më tepër po bëhet një barrë e madhe për t’u financuar. Së pari, në terma sasiorë: Si pasojë e plakjes së popullsisë dhe e uljes së normës së fertilitetit, është zgjatur koha e mbulimit me shërbim shëndetësor për person. Edhe në terma cilësorë padyshim: Shërbimet dhe teknologjia lidhur me to, po bëhen më të kushtueshme. Programet e shëndetit vuajnë nga financimi i ftohtë, pasi burimi i vetëm mbetet shteti.
Fakt pozitiv është futja në sistemin shëndetësor i spitaleve private. Kujdesi pranë tyre mundësohet kundrejt pagesës. Këtu, kontributi i vazhdueshëm i qytetarëve për buxhetin e shtetit, nuk vlen si monedhë. Sigurimi privat i Shëndetit në Shqipëri ka filluar në 2009, si një kulturë e korporatave të mëdha, aplikuar për punonjësit e tyre. Në tregun e sigurimeve, ky produkt ka patur rritjen më të madhe pas vitit 2014. Krahasuar me vitin paraardhës, vlera e portofolit në 2015, është rritur 60%. Ndërsa gjatë periudhës Janar-Shtator 2016, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2015, rritja është 7%.
Por jo kushdo mundet të paguajë dy herë, dhe askush nuk ka dëshirë ta bëjë këtë!
Ofrimi i kujdesit shëndetësor është një e drejtë njerëzore, jo një privilegj! Sëmundja luftohet me kurimin, por kurimi përballet me varfërinë, e cila sjell pamundësinë për të paguar! Këta dy faktorë, edhe në eksperiencën botërore, kanë qenë arsyet kryesore të lindjes së Programeve Publike të Kujdesit Shëndetësor. Vende të ndryshme aplikojnë modele të ndryshme, të cilat dallojnë nga njëri-tjetri prej burimeve të tyre të financimit. Ekzistojnë katër modele, por ndër më të suksesshmit janë dy, modeli gjerman Bismarck dhe modeli britanik Beveridge. Modeli Bismarck u propozua në 1871 nga kancelari Otto Von Bismarck, i cili udhëhoqi themelimin e Sistemit Social Shoqëror dhe Shëndetësor në Gjermani. Modeli mbështetet në disa parime, dhe bazohet te sigurimet: sistemi shëndetësor financohet nga të punësuarit të cilët paguajnë bazuar në pagën e tyre. Modeli Beveridge u propozua në vitin 1942 nga britaniku William Henry Beveridge. Ky program për financimin e shëndetësisë ka në themel një lojtar të vetëm: shtetin, i cili drejton dhe kontrollon sistemin. Nga kjo pozitë, shteti ka për detyrë të sigurojë barazi dhe eficiencë në ofrimin e kujdesit për popullatën. Duke qenë se nuk bazohet te sigurimet, ai financohet kryesisht prej të ardhurave nga taksat.
Programi i Kujdesit Shëndetësor shqiptar është një kombinim i të dyja këtyre modeleve, pasi asnjëra prej tyre nuk përmbush dot kërkesat specifike financiare, sociale, dhe demografike të vendit tonë. Prej vitesh kemi ngecur në rrjetën Beveridge-iane, ku lojtari i vetëm i saj përpiqet për vetëshërim. Receta e përzierjes, ka siguruar gjithmonë mollën e sherrit në politikëbërje, por asnjëherë nuk ka sjellë shëndet të plotë për shëndetësinë tonë.
Kjo duhet të mjaftojë për të na bindur se tani ka ardhur koha që recetës t’i shtojmë liberalizimin e tregut shëndetësor. Secili prej nesh, duke pasur lirinë të zgjedhë ku dëshiron ta marrë shërbimin shëndetësor, do ta kishte më të lehtë kurimin. Zgjedh të shkosh në spital privat? Atëherë, shteti ta njeh këtë zgjedhje dhe të rimburson nga programi i kujdesit bazë, ndërsa diferencën e paguan ti vetë. Edhe pse ky është një model me lojtarë të shumëfishtë, të cilit ne i frigohemi, forcimi i rregullatorëve që ai ofron, i jep qeverisë një pushtet të kontrollit të kostos akoma më të madh se sa kontrolli që ofron modeli Beveridge.
*Pedagoge e Ekonomisë në UET