Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Optimizmi i rritjes ekonomike dhe pikëpyetjet e raportit të FMN-së

$
0
0

fmnRaporti i FMN, parashikime optimiste për rritjen ekonomike të Shqipërisë në 2017, në një klimë më të favorshme rajonale. Sfida që mbeten: Taksat, qeverisja, rritja e eksporteve dhe e konsumit.

Në rajonin tonë fryjnë erëra të favorshme për rritjen ekonomike. Të paktën kjo është shpresa që synon të ngjallë me parashikimet e tij raporti më i fundit i FMN-së. Përjashtim nga kjo nuk bën as Shqipëria. Madje për vendin tonë treguesi i rritjes ekonomike të parashikuar për vitin që vjen është më i larti i rajonit. Por a është gjithçka rozë? Sigurisht që jo. Thelbi i raportit është rekomandimi që për të arritur objektivat e parashikuar duhen ndërhyrje të integruara, mbi bazën e të cilave mund të shpresohen rezultate. “Duke marrë parasysh investimin e ulët dhe të dhënat demografike të pafavorshme, vendet e CESEE-së (Europës Lindore) mund të mos jenë në gjendje që ta ruajnë rritjen e tanishme të fuqishme pa një rritje të konsiderueshme të produktivitetit, ose duke ballafaquar një shpërndarje të rinovuar të çekuilibrave të jashtme. Ngritja e investimit dhe produktivitetit mund të kërkojë reforma të mëtejshme strukturore të fokusuara në fuqizimin e institucioneve dhe në rritjen e efikasitetit qeveritar”, thuhet në raport. Në rastin e vendit tonë ky komponent bëhet edhe më i rëndësishëm po të marrim në konsideratë faktin se parashikimi i treguesve të eksportit dhe konsumit nuk është më aq optimist sa rritja ekonomike.

Shifrat për Shqipërinë

Leximi i shifrave të raportit të FMN është një çështje e ndërlikuar. Të marrësh vetëm njërën prej tyre duke injoruar studimin e bërë në tërësi të treguesve të ekonomisë është një shikim aspak i saktë. Në të vërtetë sa i tregon rritjes ekonomike të Shqipërisë parashikimi si për 2016 ashtu edhe për vitin pasues është nga më të lartët ndër 6 vendet e rajonit tonë. Por kjo nuk do të thotë gjë për faktin se në 2017 ne dalim të parët me rritje të parashikuar të GDP me 3.7 për qind. Këtë vit rritja më e lartë ishte parashikuar për Kosovën me 4.1 për qind. Por dihet diferenca mes dy ekonomive tona. Treguesit e tjerë japin një tjetër pamje. Kështu parashikimi për rritjen e eksporteve në 2017 ka një rënie të fortë krahasuar më këtë vit. Madje ky parashikim që bie nga 5.7 në 3.5 është i parafundit për rajonin. Vetëm Mali i Zi parashikohet të ketë rritje eksportesh më pak se ne. Pothuajse e njëjta pamje është edhe për rritjen reale të konsumit privat. Në 2017 parashikohet rënie dhe përveç Serbisë të gjithë vendet e tjera të rajonit parashikohet të jenë më mirë se ne.

Reforma e taksave

Që të ketë rritje duhen investime dhe mirëqeverisje. Por investimet kërkojnë para dhe pikërisht për këtë fokusi është te mbledhja e taksave. Raporti i FMN thotë se në rajonin tonë “me përjashtim të Kosovës dhe Maqedonisë, mbledhja e taksave në përgjithësi ka probleme sa i takon administrimit. Ndarja funksionale e aktiviteteve kryesore nuk është institucionalizuar plotësisht. Sigurimi i shërbimeve online në përgjithësi është e dobët me përjashtim të Kosovës dhe Serbisë ku ka patur përmirësime të rëndësishme”. Kjo shikohet si një rrezik, në kushtet e një evazioni të lartë. “Edhe pse shumë vende në rajon kanë elemente thelbësore të administratës moderne të taksave, hapësirat e nënshtrimit ndaj taksave janë ende të mëdha”, thuhet në raport. Madje e përllogaritur sipas hartuesve të raportit “vendet mund të nxjerrin midis 2 dhe 4 për qind të GDP në kursime fiskale gjatë një periudhe afatmesme, që mund të përdoret ose për investim publik, ose për konsolidim fiskal”. Mbi këtë të dhënë shikohet edhe rezerva për të garantuar rritje ekonomike që vlerëson se “rritja e nivelit të GDP-së nga një investim i tillë shtesë mund të jetë 2-4 për qind gjatë periudhës afatmesme”.

Qeverisja dhe investimet

“Gjithashtu ka edhe përfitime më të gjera kur ekzistojnë institucione më të mira publike, duke përfshirë edhe aktivitete më të pakta të paligjshme”, thuhet në raportin e FMN. Kërkohet thjesht eficiencë në qeverisje dhe luftë kundër korrupsionit. Pikëpyetja qëndron se sa janë të afta qeveritë ta bëjnë këtë. Mundësitë sipas raportit ekzistojnë duke patur parasysh faktin se “shumica e vendeve në rajon kanë një hapësirë në fondet kapitale publike dhe infrastrukturë, relativisht me Evropën e avancuar, ekziston një sferë e fuqishme për investim publik, e cila – nëse kryhet me efikasitet – do ta fuqizojë rritjen potenciale në rajon. Përmirësimet e mëtejshme duhet të fokusohen në alokimin dhe implementimin e sistemeve dhe procedurave, ku vendi për përmirësim është tepër i madh në shumicën e vendeve në rajon”, thuhet në raport.

Mjedisi i jashtëm

Ndonëse e përmirësuar, situata e jashtme e ekonomisë ka probleme që duhen marrë në konsideratë, pasi sipas raportit “Rreziqet qëndrojnë të anuara nga ana negative”. Kështu disa rreziqe, të tilla si ritmi i normalizimit të politikës monetare në ekonomi të avancuara dhe kriza e refugjatëve në Evropë, duket më pak e spikatur se gjashtë muaj më parë. Rreziqe të tjera, të tilla si ato të shoqëruara me mosmarrëveshjet politike në rritje, me pasigurinë në dukje të brendshme, dhe pasigurinë e politikës, janë bërë më të theksuara. Pavarësisht nga impakti modest deri tani, efektet afatgjata të Brexit-it janë të paqarta, sidomos me pasiguritë që kanë të bëjnë me marrëveshje të reja ekonomike midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663