Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

FMN: Në 2017 rritja ekonomike e Shqipërisë, më e larta në rajon

$
0
0

FMNSipas raportit të FMN, prodhimi kombëtar i Shqipërisë në vitin e ardhshëm do të rritet me 3.7 për qind, duke lënë pas ekonomitë e tjera të Ballkanit Perëndimor, që do kenë rritje më të ulët.

Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se pas disa vitesh me rritje nën mesataren e rajonit, vitin e ardhshëm Shqipëria do të rikthehet të jetë ekonomia me rritjen më të shpejtë në Ballkan.

Vlerësimi vjen nga raporti i sapopublikuar mbi zhvillimet ekonomike në Europën Qendrore dhe atë Juglindore.

Sipas raportit, prodhimi kombëtar i Shqipërisë do të rritet vitin e ardhshëm me 3.7 për qind, duke lënë pas të gjitha ekonomitë e tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat do të kenë një rritje më të ulët.

Madje sipas FMN-së, rritja e parashikuar ekonomike për Shqipërinë do të jetë e dyta më e larta në të gjithë vendet ish-komuniste të Europës Lindore.

Vetëm Rumania parashikohet të ketë një rritje ekonomike lehtësisht me të lartë se Shqipëria me 3.8 për qind, ndërsa në të gjitha vendet e tjera prodhimi do të rritet më ngadalë.

Rekomandimet

Për të garantuar që rritja të jetë e qëndrueshme në raportin e FMN bëhen edhe rekomandimet përkatëse. Kështu sipas hartuesve të raportit në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë është e nevojshme që në kushtet kur rikuperimi ciklik është afër përfundimit, rritja të mbështetet nga politika të favorshme, dhe e drejtuar nga konsumi.

Që kjo të ndodhë, duhet të thellohen reformat strukturore.

Në raport thuhet gjithashtu se “Ekziston një sferë e fuqishme për investim publik, e cila – nëse kryhet me efikasitet – do ta fuqizojë rritjen potenciale në rajon. Por në kushtet e deficiteve të mëdha fiskale, përmirësimi i institucioneve të menaxhimit të investimit publik dhe administrata e taksave mund të ndihmojnë për të çliruar burime shtesë që mund të përdoren për të fuqizuar investimin publik ose për të reduktuar deficitet a larta fiskale”.

Sipas raportit në fjalë mirëmenaxhimi i taksave dhe lufta kundër evazionit mund të sjellë që të nxirren 2 deri 4 për qind të GDP në kursime fiskale gjatë një periudhe afatmesme, që mund të përdoret ose për investim publik, ose për konsolidim fiskal.

Rritja ekonomike

Shqipëria e humbi statusin e ekonomisë më dinamike në rajon, pas vitit 2012 kur rritja e prodhimit ra në mënyrë drastike duke cekur shifrën minimale 1 për qind.

Por sipas FMN-së, në tri vitet e fundit ekonomia është rimëkëmbur gradualisht, edhe pse me ritme të ngadalta, falë investimeve të huaja në projektet madhore si TAP apo kaskada e Devollit, por edhe rigjallërimit të konsumit privat.

Megjithatë edhe pse rikthehet në krye të rajonit, sërish rritja ekonomike e vendit mbetet më e ulët nga ajo e viteve të para krizës, kur prodhimi kombëtar është rritur mesatarisht me 6 për qind në vit.

Sipas FMN-së, ekonomia shqiptare pritet të përshpejtohet gradualisht deri në 4.2 për qind, ndërsa normat e rritjes përpara krizës nuk mund të arrihen më për shkak se bota ka hyrë në një normalitet të ri ekonomik, ku të gjitha vendet rriten më ngadalë.

 

Buxheti 2017, niveli i investimeve publike poshtë objektivit prej 5%

 Edhe gjatë vitit që vjen niveli i investimeve buxhetore në ekonomi do të jetë poshtë objektivit të buxhetit afatmesëm që parashikon që ata të jenë në nivelin e 5 për qind të prodhimit kombëtar.

Bazuar në shifrat tashmë të publikuara të projektbuxhetit rezulton që për vitin 2017, investimet publike të jenë planifikuar në masën 4.8% e PBB.

Vlera e tyre totale është 76 miliardë lekë, duke përfshirë në këtë shumë edhe Fondin e Zhvillimit Rajonal prej 9.5 miliardë lekësh, si dhe mbështetjen buxhetore për Sektorin e Energjisë prej 1.5 miliardë lekë.

Ministria e Financave argumenton në relacionin e buxhetit se, në planifikimin e investimeve për vitin 2017 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm të trashëguara nga viti 2013 dhe më parë.

“Ashtu si në 2014 dhe 2015, do të ketë përparësi shmangia e detyrimeve të reja dhe mbartja e tyre në vitet e ardhshme, si dhe minimizimi i detyrimeve kontraktuale për projektet në proces zbatimi, duke u fokusuar me përparësi në financimin e projekteve në vazhdim”, thuhet në relacion.

Për vitin 2017 janë planifikuar 36.5 miliardë lekë financim i brendshëm dhe 27.4 miliardë lekë financim i huaj, dhe ka një rritje të kërkesës për financim të brendshëm në raport me kërkesën për financim të huaj.

Për sa i takon strukturës së investimeve në raport me statusin e projekteve të programuara për financim, vlerësohet se rreth 84,9% e vlerës së investimeve gjithsej të planifikuar në PBA për vitin 2016 shkon për financimin e projekteve në vazhdim.

Sipas burimit të financimit, vlerësohet se rreth 87% e planit të investimeve me financim të brendshëm është parashikuar për financimin e projekteve në vazhdim dhe vetëm 13% e investimeve për financimin e projekteve të reja.

Një situatë të ngjashme kemi edhe për financimin e huaj, ku vlerësohet se rreth 83,8% e planit të investimeve për vitin 2016 shkon për financimin e projekteve në vazhdim.

Ministria e Financave ka sqaruar se, ky skenar përfshin disa shtesa në planin e financimit të brendshëm dhe disa pakësime në planin e financimit të huaj, me qëllim sigurimin e një përshtatjeje më të mirë të objektivave të programeve me financimin e tyre, si dhe një përshtatje më të mirë të shpërndarjes së financimeve sipas prioriteteve të qeverisë.

 

Basha për buxhetin: Rama, 25 milionë dollarë për mobilim zyrash

Kryetari i PD, Lulzim Basha, akuzon kryeministrin Rama se po shpërdoron paratë e buxhetit duke vendosur shuma marramendëse për shpenzime që nuk kanë asnjë impakt për qytetarët dhe ekonominë.

Sipas Bashës, Edi Rama ka ndarë 25 milionë dollarë për zyra dhe mobilim zyrash në buxhetin e vitit 2017, një shumë kjo marramendëse për një vend si Shqipëria dhe që i shtohet qindra milionë dollarëve të tjerë të harxhuar këto tre vjet për fasada, zyra dhe kolltukë nga kryeministri i vendit.

Në një postim në rrjetet sociale Basha shkruante dje: “Edi Rama ka ndarë 25 milionë dollarë për zyra dhe mobilim zyrash në buxhetin e vitit 2017. Kjo shumë marramendëse për një vend si Shqipëria i shtohet qindra milionë dollarëve të tjerë të harxhuar këto tre vjet për fasada, zyra dhe kolltuqe nga Edi Rama. Moti i keq i ditëve të fundit nxori në pah nevojën jetike që ka vendi për investime në infrastrukturë dhe në mbështetje për njerëzit në nevojë. Pak ditë reshje sollën pasoja dramatike: qindra hektarë tokë u përmbytën, mijëra familje humbën të mbjellat dhe gjënë e gjallë nga e cila varet jeta e tyre, qindra shtëpi u bënë të pabanueshme, zona të tëra mbetën të izoluara dhe pa energji. Por kjo emergjence nuk është prioritet i Edi Ramës. Prioriteti i tij i vetëm janë fasadat dhe kolltuqet. Ky që justifikohet kudo se nuk ka para për shëndetësinë dhe arsimin ndaj po ja u jep privatëve, ka përherë para pa fund për zyrat e tij dhe të shërbëtorëve të tij”. 

 

“Destinacioni Shqipëria”, Milva Ekonomi: Është koha për cilësi

Sektori i turizmit është në një proces të thellë të reformimit ligjor dhe rregullator.

Sipas ministres së Ekonomisë dhe Turizmit ky proces tërësor synon jo vetëm që ta kthejë vendin në një destinacion turistik por në të njëjtën kohë turizmin ta bëjë një sektor me shërbim cilësor.

Pas ligjit të ri për turizmin që ka hyrë në fuqi në fillim të tetorit 2015 Ministria ka nxjerrë 27 akte nënligjore, vendime qeverie, udhëzime të ministrit, rregullore e urdhra, zbatimi i të cilave nis që në fillim të sezonit turistik veror.

Ministrja Ekonomi shprehet se “Vlerësojmë se janë të gjitha mundësitë dhe afati është i mjaftueshëm që sezoni i ardhshëm turistik të nisë sipas standardeve dhe rregullave të reja, dhe ligji aktual të jetë tërësisht i zbatueshëm. Bëhet fjalë për një proces shumë të rëndësishëm, i cili do të drejtojë ‘Destinacionin Shqipëri’ drejt cilësisë. Standardet e reja që synohen të vendosen janë shumë të përafërta me standardet ndërkombëtare. Zbatimi i tyre do të jetë një hop i ndjeshëm cilësor i ofertës sonë turistike”.

Sipas Ekonomit rregullat e reja vendosin standarde që përmirësojnë ofrimin e shërbimit në disa aspekte:

“Së pari, ofrohet një shërbim më cilësor për turistët, pasi rregullohen veprimtaritë që nga udhërrëfyesit e deri te strukturat akomoduese. Së dyti, formalizohet tregu, pasi do të kemi të dhëna të sakta mbi sipërmarrësit që operojnë në treg. Së treti, nëpërmjet rregullave të reja ka mbrojtje më të mirë të konsumatorit. Së fundmi, krijohet një klimë e konkurrencës së ndershme midis sipërmarrësve turistikë, një konkurrencë cilësore, mbi standarde transparente dhe të njohura nga të gjithë operatorët e tregut”, deklaron ministrja Ekonomi.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663