Kryeministri Edi Rama ka bërë dje një komunikim rreth arritjeve që qeveria ka bërë përgjatë këtyre tre viteve në pushtet.
Në deklaratën e tij bërë në rrjetet sociale, Kryeministri ka komentuar reformat e bëra nga qeveria në shumë sektorë dhe ka thënë se Shqipëria do të arrijë pagat më të larta se disa vende në rajon për punonjësit e shtetit, duke i rritur ato me rreth 35%.
“Rroga minimale për punonjësit e shtetit tek ne do jetë më e lartë se në Kosovë, në Malin e Zi, Serbi dhe fare pak më e ulët se Maqedonia, sepse ne do ta rrisim me rreth 35%, ndërsa rroga mesatare do te behet me e lartë se në Kosovë dhe Serbi dhe do të jetë më afër mesatares në Maqedoni”, ka deklaruar Kryeministri Rama në një komunikim të bërë ditën e djeshme.
Ky qëndrim vjen pas deklarimit të bërë para një jave në takimin që ministria e Arsimit zhvilloi me mësues në praninë e Ministrit të Financave dhe Kryeministrit, ku u tha se do ketë një rritje të pagave për mësuesit me 10% .
Duke analizuar daljen e fundit dhe qëndrimet e Kryeministrit Rama së do kalojmë vendet e rajonit për nivelin e pagave mblodhëm disa të dhëna zyrtare dhe statistika të rajonit. Në mënyrë të veçante po specifikojmë arsimtarët. Disa prej të dhënave janë marrë nga Statistikat Zyrtare të Komisionit Evropian për pagat në rajon.
Sipas statistikave që raporton Komisioni, pagat mesatare në Ballkan për vendet si Mali i Zi, Serbia, Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria kanë një diferencë të dukshme. Ata janë të gjithë më lart dikush edhe 2 herë.
Duke bërë analizën krahasuese të shifrave, në Shqipëri një arsimtar e ka pagën mesatare 310 euro, në Malin e Zi e ka 750, në Maqedoni 550, në Serbi 600 euro. Pra diferenca duket qartë.
Statistikat për pagat e arsimtareve janë si më poshtë:
Maqedonia rreth 550 euro pagë mesatare
Mali i Zi 750 euro
Serbia 600 euro
Shqipëria 310 euro
Në Shqipëri aktualisht pagat mesatare janë 310 euro, me rritjen e deklaruar prej 10% nga kryeministri Rama paga mesatare për mësuesit shkon 340 euro, pra larg shumë larg vendeve të rajonit. Që kryeministri të kapë premtimin e dhëne pagat e arsimtarëve duhet të dyfishohen jo të rriten me 10%. Pra kemi thjesht një rritje page të shoqëruar si zakonisht me gënjeshtrën e radhës në prag të fushatës elektorale.