Paga mesatare reale në ekonomi pësoi rënie me rreth 3% në tremujorin e parë të këtij viti.
Sipas përllogaritjeve të Bankës së Shqipërisë, ky ishte i treti tremujor radhazi që paga mesatare në ekonomi bie, duke ruajtur afërsisht të njëjtat nivele të rënies me tremujorin e fundit 2014. Treguesi i pagës mesatare llogaritet si raport i indeksit të fondit të pagave me indeksin e numrit të punonjësve, duke përjashtuar sektorin bujqësor dhe të vetëpunësuarit me pagesë.
Në terma realë, indeksi i pagës mesatare deflatohet me indeksin e çmimeve të konsumit. Sipas Bankës së Shqipërisë, zhvillimet në këta tregues vijojnë të tregojnë praninë e presioneve të dobëta inflacioniste nga krahu i pagave dhe i kostove të prodhimit. Ekonomia shqiptare vazhdon të rritet nën potencialin e vet, çka përbën një stimul të dobët për të rritur punësimin dhe pagat./ Scan tv