Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Kriza greke ul rritjen ekonomike të Shqipërisë

$
0
0

gentian sejkoRaporti i Bankës së Shqipërisë tregon se rënia e remitancave dhe eksporteve të lidhura me Greqinë do të ulë rritjen e parashikuar ekonomike të vendit

 

Kriza ekonomike greke do të reduktojë rritjen ekonomike të Shqipërisë me 0.25%. Raporti tremujor i politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë nxjerr në pah faktin se ulja e eksporteve dhe e remitancave janë dy faktorë kryesorë që ndikojnë në këtë ecuri te dobët të rritjes ekonomike të Shqipërisë. B

anka Kombëtare për herë të parë ka dalë me një shifër konkrete mbi ndikimin e krizës greke në vendin tonë.  Sipas të dhënave në raportin e politikave monetare ngadalësimi i eksporteve dhe i remitancave nga fqinji jugor do të jenë dy elementët kryesor që do të ndikojnë në reduktimin me rreth 0.25 pikë përqindjeje në rritjen ekonomike për këtë vit.

Ndikimi i krizës greke në ekonominë tonë do të veprojë i lidhur edhe me tregues të brendshëm siç janë niveli i papunësisë, klima e biznesit dhe thithja e investimeve të huaja. Rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2015 parashikohej të kapte nivelin 3%, ndërkohë që vetëm një muaj më parë Ministria e Finanacve sëbashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar ulën pritshmërinë në 2.7 %.

Investimet private e publike dhe eksportet e huaja neto ishin dy prej treguesve që dhanë ndikimin më të madh në rritjen e ekonomisë gjatë pjesës së parë të vitit, ndërkohë që te ardhurat ne buxhet ranë ndjeshëm dhe konsumi i familjeve shqiptare gjithashtu pësoi rënie.

Ndërkohë të dhënat e indeksit të prodhimit tregojnë për tkurrje të prodhimit në disa nga nëndegët e industrisë përpunuese, sidomos sektorin fason. Banka e Shqipërisë pohon në raportin e fundit të politikave monetare se, rënia e prodhimit në industritë tekstile dhe të veshjeve, të lëkurës dhe këpucëve, që zënë peshën më të lartë (30.1% për vitet 2012 – 2014) në industrinë përpunuese, sugjeron se kjo industri ka pasur ndikimin negativ më të madh.

Banka shpjegon se, duke qenë industri të orientuara kryesisht drejt eksporteve, kjo mbështetet edhe nga rritja e ulët vjetore e disa zërave të eksporteve të produkteve tekstile dhe të veshjeve, të lëkurës dhe këpucëve në tremujorin e parë.

Vlera e shtuar në sektorin e industrisë u rrit me 7.6% në terma vjetorë, pas rritjes së ulët vjetore prej 0.8% në tremujorin e katërt të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të indeksit të prodhimit, dega “Energjia elektrike, furnizimi me gaz, avull dhe ajër të kondicionuar” shënoi zgjerimin më të lartë të prodhimit midis ndustrive me përkatësisht 37.4%21.

Dega e industrisë përpunues për shkak të përkeqësimit të fasonit kontribuoi në një masë të ulët, me 1.2 pikë përqindje. Në të kundërt, prodhimi i industrisë nxjerrëse regjistroi tkurrje të fortë vjetore, me 26.9%, duke e ndikuar në kahun negativ ecurinë e industrisë në total. Tendenca rritëse e treguesve të besimit në industri mbështet vlerësimin për dinamikë pozitive të sektorit në tremujorin e dytë.

 

BSH: Rrisku i lartë në ekonomi po pengon përçimin e politikës monetare

Mekanizmi i transmetimit të politikës monetare mbetet ende i dobët, si pasojë e primeve të larta të rrezikut në ekonominë e brendshme dhe atë të jashtme.

Me këtë argument Banka e Shqipërisë sqaron se politika lehtësuese e interesave nuk ka vepruar për çlirimin e kredive bankare.

Por Këshilli i Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë gjykon se, lehtësimi i politikës monetare është reflektuar në reduktimin e kostove të financimit të sektorit publik e privat. Në përgjigje të tyre, kreditimi në lekë ka shënuar rritje, ndërsa kostot e shërbimit të borxhit të sektorit privat dhe publik kanë shënuar rënie.

Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë monetare lehtësuese gjatë viteve të fundit, në përgjigje të dobësisë ciklike të ekonomisë shqiptare dhe të vlerave të inflacionit nën objektiv.

Intensiteti i stimulit monetar është rritur në mënyrë progresive, nëpërmjet uljeve të vazhdueshme të normës bazë të interesit dhe zbatimit të operacioneve injektuese të likuiditetit. Gjithashtu, duke synuar rritjen e efektivitetit të politikës monetare, Banka e Shqipërisë ka komunikuar angazhimin e saj për ruajtjen e kahut lehtësues të politikës monetare për disa tremujorë.

Banka vëren se, kushtet e kreditimit u lehtësuan në tremujorin e dytë, por ecuria e kredisë vazhdon të mbetet e dobët. Ajo ndikohet si nga kërkesa e pakët për kredi, ashtu edhe nga politikat konservatore dhe dëshira e ulët për rrezik e sistemit bankar.

Zgjerimi i mjeteve monetare mbetet i ulët dhe nuk sinjalizon për presione të larta inflacioniste. Struktura e mjeteve monetare vazhdon të zhvendoset drejt ekstremit të spektrit të likuiditetit.

Gjatë gjysmës së parë të vitit, ka vazhduar lëvizja drejt llogarive rrjedhëse dhe parasë fizike në njërin kah dhe në kahun tjetër, një zhvendosje drejt depozitave me afat mbi dy vjet dhe letrave me vlerë të qeverisë.

Banka e Shqipërisë pret një situatë të ngjashme edhe për pjesën e mbetur të vitit e në vazhdim. Pavarësisht luhatjeve, normat e interesit pritet të mbeten në nivele të ulëta historike, ndërsa standardet e kreditimit pritet të vijnë në përmirësim. Kreditimi pritet të ketë një rikuperim të lehtë gjatë vitit 2015 dhe një përmirësim më të ndjeshëm gjatë vitit të ardhshëm. Marrë nga Monitor.al

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663