Nga Thomas Sowell, Real Clear Politics
Socializmi tingëllon bukur. Gjithmonë ka tingëlluar bukur. E ndoshta gjithmonë do të tingëllojë bukur. Vetëm kur shkoni përtej retorikës dhe nisni këqyrjen e fakteve, socializmi rezulton të jetë zhgënjim i madh, në mos një katastrofë.
Ndërsa turmat e të rinjve duartrokasin me urra në kupë të qiellit socialistin e vetëshpallur Bernie Sanders (senator, në garë për kandidaturën e demokratëve për president, SHBA) socializmi e ka kthyer Venezuelën e pasur me naftë, në një vend ku mungon gjithçka, nga letra e banjës te birra, ku energjia elektrike funksionon me ndërprerje, dhe ku ka radhë ta gjata njerëzish për ushqim, të cilët ankohen se nuk munden të ushqejnë familjet e tyre.
Me të ardhurat kombëtare në rënie, dhe çmimet që rriten prej inflacionit treshifror në Venezuelë, këto ankesa nuk janë pa bazë. Por nuk dihet, nëse të rinjtë që duartrokasin Bernie Sanders kanë dëgjuar ndonjëherë për gjëra të tilla, qoftë në Venezuelë apo në vende të tjera në botë, të cilat iu kanë dorëzuar drejtimin e ekonomive të tyre politikanëve dhe burokratëve.
Politikat antikapitaliste në Venezuelë kanë funksionuar aq mirë saqë tani numri i kompanive në Venezuelë është një fraksion i numrit të dikurshëm. Kjo e pakëson “shfrytëzimin” kapitalist, apo jo?
Por njerëzit që ia atribuojnë pabarazinë e të ardhurave shfrytëzimit të punëtorëve nga kapitalistët, siç pretendonte Karl Marksi, kurrë nuk përpiqen ta provojnë bindjen e tyre përballë fakteve – si për shembull faktin që asnjë nga regjimet marksiste në botë nuk ka pasur kurrë standard jetese për klasën punëtore, më të lartë se shumë nga vendet kapitaliste.
Faktet rrallë lejohen të helmojnë përfytyrimin e bukur të së majtës. Ajo që ka rëndësi për ta janë sloganet e tyre kumbuese, të përsëritura pafundësisht.
Kur senatori Sanders këlthet, “Sistemi është manipuluar!” askush nuk e pyet, “Çfarë do të thotë kjo në mënyrë specifike?” ose “Çfarë faktesh keni për të mbështetur deklaratën?”
Më 2015, 400 njerëzit më të pasur në botë pësuan humbje neto 19 miliardë dollarë. Nëse ata do të kishin manipuluar sistemin, sigurisht që do ta kishin manipuluar më mirë se aq.
Por pikërisht ideja e përballjes së koncepteve të tyre me faktet, ndoshta nuk do t’iu shfaqet ndonjëherë në mendje atyre që brohorasin për socializmin dhe ide të tjera të shndritshme të së majtës politike.
Sa vetë prej njerëzve që kërkojnë rritjen e pagës minimale e kanë marrë mundimin ndonjëherë të verifikojnë se çfarë ndodh kur imponohen paga minimale më të larta? Më shpesh, ata marrin për të mirëqena ato që pohojnë shokët e tyre me ide të ngjashme – herë-herë të njohur si “të gjithë”, dhe supozimet e tyre janë ajo që “dinë të gjithë”.
Më 1948, kur inflacioni e bëri të pakuptimtë pagën minimale të caktuar një dekadë më herët, shkalla e papunësisë mes zezakëve 16−17-vjeçarë ishte nën 10 për qind. Por, pasi paga minimale u ngrit në vazhdimësi për t’u barazuar me inflacionin, niveli i papunësisë për meshkujt me ngjyrë të asaj moshe nuk shkoi kurrë nën 30 për qind, për më shumë se 20 vjet rresht, nga 1971 deri më 1994. Në shumë nga këto vite, niveli i papunësisë për të rinjtë me ngjyrë të asaj moshe i kaloi 40 për qind, nja dy vjet shkoi mbi 50 për qind.
Dëmi është dhe më i madh seç sugjerojnë statistikat. Shumë nga punët me pagesë të ulët janë punë fillestare ku të rinjtë nisin punën, prej nga largohen pasi marrin përvojë dhe të dhëna të tjera që ndihmojnë të gjejnë punë më të mira. Por njeriu nuk mund të ngjitet në shkallare, nëse nuk vendos këmbët në të.
Premtimi i madh i socializmit është dhënia e diçkaje në shkëmbim të asgjësë. Është një nga ato shenjat e shkollimit mpirës të sotëm, që i ka bërë shumë studentë të mendojnë se shpenzimet e arsimimit të tyre duhet – dhe do të – paguhen duke iu ngritur taksat “të pasurve.”
Sërish, vetëm pak ballafaqim me faktet, do të zbulonte që niveli më i lartë i taksimit për të pasurit nuk përkthehet automatikisht në të ardhura më të mëdha nga taksat në xhepin e qeverisë. Shpesh, taksat e larta kanë sjellë të ardhura më të pakta se taksat e ulëta.
Në një botë të globalizuar, investitorët mund të shtyhen të investojnë në vende të tjera me taksa më të ulëta. Kjo do të thotë se vendet e punës të hapura nga këto investime, do të shkojnë në vende të tjera.
Kjo nuk është shkencë bërthamore. Por duhet të ndalosh e të mendosh – dhe kjo duket se është ajo, që shumë nga shkollat dhe universitetet nuk iu mësojnë studentëve të tyre.