Një ditë më parë bëri përshtypje në mediat sociale një vendim i marrë nga qeveria për të mos lejuar ndërtimet deri në hartimin e planeve urbanistike në 61 bashkitë e reja.
Sipas një raportimi, në këtë mënyrë bien ato plane të hartuara deri më tani dhe gjithçka nis nga fillimi.
Deri kur të hartohen planet, do jepen leje vetëm për punime në infrastrukturë, por edhe për banesa për një familje, në përputhje me kërkesat.
Disa portale të djathta spekuluan se deklarata e kryebashkiakut Erion Veliaj për bllokimin e lejeve në Tiranë ishte një farsë, pasi vendimin për të gjithë Shqipërinë e paska marrë vetë kryeministri.
Por e përditshmja Shqip shkruan se në fakt do lejohen ndërtimet në 14 bashki të vendit, në zona të përcaktuara dhe me kushte të veçanta.
Vetëm se në këtë rast, për pallatet mbi 6 kate, lejet e ndërtimit nuk do i japin bashkitë, por vetë kryeministri Edi Rama në emër të Këshillit Kombëtar të Territorit.
Njësitë vendore ku mund të jepen leje ndërtimi janë Tirana, Fieri, Durrësi, Himara, Berati, Lushnja, Kamza, Mamurrasi, Shkodra, Rrogozhina, Vora, Fushë-Kruja, Bulqiza dhe Korça.