Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Berisha: Libri i Palmer, booklet në pamje, gjigant në ide

$
0
0

Berisha te PalmerTom G. Palmer vjen për lexuesin shqiptar me “Pse Liberalizmi”, botim i mbështetur nga Fondacioni për Liri Ekonomike

 

Liberalizmi ekonomik dhe politik është rruga e vetme drejt mirëqenies dhe prosperitetit. Nën këtë frymë të vazhdueshme të punës dhe veprimtarisë së 10 viteve të tij, Universiteti Europian i Tiranës promovoi paraditen e 20 majit, në Hotel Rogner, librin “Pse Liberalizmi” të Tom G. Palmer. Tom Palmer, analist në Institutin Kato dhe zv/president për programet ndërkombëtare në Rrjetin Atlas, vjen për herë të parë në gjuhën shqipe nga shtëpia botuese UET-Press me mbështetjen e Fondacionit për Liri Ekonomike. Titulli i librit shoqërohet me tre çështje – jeta juaj, zgjedhjet tuaja, e ardhmja juaj – pikërisht për të theksuar idenë e liberalizmit si frymë e çdo individi në shoqërinë e gjerë.  Duke shërbyer edhe si një “manual reflektimi” për historinë qeverisjes dhe politikave të djathta në periudhën e tranzicionit shqiptar,  të ftuar në ceremoninë e promovimit ishin figura të larta të Partisë Demokratike duke përmendur në veçanti ish -Kryeministrin e kryetarin historik të kësaj partie, Sali Berisha.  Autori shprehu falenderimin për sjelljen e librit të tij në shqip dhe rikujtoi vizitën e tij të parë në Shqipëri në fillim të viteve ’90 duke bërë krahasimin e ndryshimeve të mëdha që janë bërë. Por ai theksoi se vetëm liberalizmi e çon përpara një ekonomi dhe shoqërinë.

Berisha: Besoj tek taksat e ulëta

Duke vlerësuar librin e Palmer, Berisha tha se ai është “booklet në pamje, gjigant në ide”. Ish kryeministri Berisha shprehu vlerësimet më të larta për idenë e lirisë, të cilën shqiptarët, sipas tij, e kanë kultivuar vazhdimisht gjatë 25 viteve të  tranzicionit si shtysën e tyre më të madhe drejt zhvillimit.  “Një libër që i kushtohet lirisë. Le ta themi lirisë si instinkt, lirisë si ndjenjë, por edhe lirisë si vetëdisiplinë. Ky është koncepti më i drejtë në vlerësimin dhe mendimin tim për lirinë. Po pse fola unë për lirinë si instinkt? Më mirë se kushdo tjetër, e dinë gjenerata ime, e dinë shqiptarët, të cilët një ditë dhjetori të vitit 1990 u gjendën pranë një grupi studentësh 700-800 vetë, që protestonin kundër diktaturës më të egër të kohës. Ata kishin vetëm dy fjalë: “liri- demokraci!”. Asnjë prej tyre, as edhe unë që isha përballë tyre, nuk kishim jetuar qoftë edhe një orë të vetme në liri. Po ajo buronte, ajo thirrje buronte nga shpirti i njeriut, nga shpirti i studentëve. Ata të cilët edhe sot i kanë lejuar vetes të shkruajnë se ajo lëvizje ishte pa platformë, kanë dëshmuar naivitetin e tyre politik. Platforma e studentëve ishte liria, platformë e të gjitha platformave që ka bërë të mundur njeriun të mbrothtësojë jetën , veten, shoqërinë dhe vendin e tij. Shqipëria, për një kompleks rrethanash, në një farë mënyre, për vite, u shndërrua në një laborator të kësaj platforme”, tha ndër të tjera ai.

Më tej Berisha foli për konceptet e liberalizmit duke u shprehur se shumë prej tyre i kishte mësuar nga Ronald Regan. “Idhulli ishte vetëm një- ishte Ronald Regan. Aso kohe, një mik i imi amerikan, më dhuroi një libër më të vogël se ky, me pjesë nga fjalimet e Reganit. Nga tezat kryesore të tij ishte se qeveria është problem dhe unë çdo ditë duke i besuar verbërisht atij, shikoja se ç’problem po krijon qeveria. Lexoja se paraja në kontot dhe xhepat e individit është më e çmuar sesa në buxhetin e shtetit dhe në një betejë të paepur me FMN vendosa TVSH e dytë më të ulët në botë 12.5%. Besova dhe vazhdoj të besoj shumë te taksat e ulta”, tha ai.

Zoti Berisha më tej kritikoi qeverinë aktuale për politikat që sipas tij dhunojnë të drejtat dhe liritë e njeriut. “Po jetojmë në një situatë në të cilën, qeveria aktuale përdor të gjitha ligjet për të dhunuar liritë e të drejtat e qytetarit. Për të ngushtuar hapësirën e tyre, për të rikthyer si reminishencë centralizimin dhe etatizmin e dështuar të dikurshëm. Por kjo është vetëm gjysma e të keqes. E keqja më e madhe është se kur kjo qeveri nuk arrin të realizojë ambiciet e saj me ligjet, ky kryeministër përdor bandat. Ajo çfarë mund të duket çudi, por shqiptarët e përjetojnë çdo ditë – sot banditë të lidhur direkt me kryeministrin, përcaktojnë se kush fiton tenderin, se kush do të ndërtojë rrugën, se kush do të emërojë rektorin e universitetit dhe në dhjetëra e dhjetëra vendime të tjera”, theksoi ai.

Tom G. Plamer: Socializmi nuk funksionoi në 1990,  nuk do të funksionojë as në 2016 

Tom G. Palmer, analist në Institutin Kato dhe zv/president për programet ndërkombëtare në Rrjetin Atlas, autor i librit “Pse Liberalizmi – jeta juaj, zgjedhjet tuaja, e ardhmja juaj”, ndodhet në Shqipëri për promovimin e tij. Por ai ka qenë dy javë në vendin tonë në fillim të viteve ’90 kur këtu sapo kishte rënë regjimi komunist. Ai foli sot mbi eksperiencën e tij të atëhershme, si e kishte parë Shqipërinë dhe pse liberalizmi i ka shërbyer dhe mund t’i shërbente më shumë zhvillimit të saj.

“Është nder i madh për mua sot të shoh punën time të përkthyer në shqip, një nga gjuhët më të bukura e më të vështira në botë. Është gjithashtu nder dhe kënaqësi të jem këtu 25 vjet pas vizitës sime të parë, kur qëndrova për dy javë dhe kur vendi ishte në situatën e kolapsit të plotë në atë kohë. Pa elektricitet, pa ushqim të mjaftueshëm dhe vuajtje e pabesueshme e krijuar nga dekadat e tiranisë së socializmit. Transformimi i bërë përgjatë këtyre 25 viteve për të krijuar një vend stabël, është i jashtëzakonshëm. Shqipëria sigurisht që ka probleme krejt normale, por dallimi mes Shqipërisë së asaj kohe dhe Shqipërisë sot është i pamundur për t’u përshkruar. Ajo çfarë pamë ishte kolapsi i socializmit. Por kjo nuk ndodhi vetëm atëhere – edhe sot ne jemi dëshmitarë të kësaj ngjarjeje, në një vend tjetër, Venezuela. Vendi me ndoshta rezervat më të mëdha të naftës në botë, një vend prej të cilit do të pritej të ishte i pasur, po vuan tashmë shkurtimet e ushqimit – bukës, vajti, orizit – kolapsit të shërbimeve sociale, një brutaliteti të madhe politik dhe kriminaliteti të lartë”, tha ai.

Në sytë e liberalit Palmer socializmi është dështim. “Socializmi nuk funksionoi më në vitin 1990 dhe sigurisht nuk do të funksionojë as në vitin 2016. Liberalizmi, në kontrast me këtë, funksionon”, theksoi ai.

“Edhe në kohë të vështira parimet e liberalizmit funksionojnë. Arsyeja pse ky libër ishte shumë i thjeshtë. Ka shumë libra voluminozë për liberalizmin – që nga Pasuria e Kombeve e Adam Smith e deri te Hajeku me Kushtetutën e Lirisë e shumë të tjerë. Ajo çfarë ne kemi është diçka e vogël, e zgjuar dhe e kuptueshme për njeriun normal. Ideja e liberalizmit është e thjeshtë  – të tregosh respekt për njerëzit e tjerë. Të jetuarit në paqe, mospërdorimi i dhunës nga çdokush që do që diçka të ndodhë. Përkundrazi përdorimi i bindjes dhe i forcës së mendimit në vend të dhunës. Liberalizmi është respekti për të drejtat e individit dhe lejimin e burimit të rregullave nga shoqëria. Liberalizmi është filozofi e përulur. Liberalët nuk pretendojnë që i njohin të gjitha përgjigjet, por lejojnë që përgjigjet të vijnë natyrshëm nga shoqëria. Pa u përpjekur që të imponohet rregulli nga lart. Por në mënyrë që të ketë rregull në shoqërinë e lirë, ne kemi nevojë për një institucion shumë të rëndësishëm – qeveri e kufizuar”, tha ai ndër të tjera.

Ndërkohë, drejtori i Fondacionit për Liri Ekonomike, Besart Kadia, theksoi se nëpërmjet aktiviteteve të shumta të mbështetura nga ky fondacion dhe me bashkëpunimin e UET, po punohet që shoqëria shqiptare të prezantohet me alternativën e shëndetshme të liberalizmit, si rrugën më të mirë të zhvillimit.

Palmer1 Palmer2 Palmer3 Palmer4


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663