Shoqëritë aksionare paguajnë femrat më shumë se meshkujt, por qeveria vijon të ketë një hendek pagash në 10 për qind, për poste të ngjashme pune. Më pak diskriminim ka në Organizatat Jo Qeveritare
Nga Inva Hasanaliaj
Më shumë të diplomuara dhe ndoshta më të afta në punë, e megjithatë vijojnë të paguhen më pak. Hendeku i pagesës mes burrave dhe grave është i dukshëm në Shqipëri dhe më i dukshëm në sektorin publik. Sipas studimit të INSTAT, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar në Shqipëri, është 45.539 lekë; për të punësuarit meshkuj paga mesatare mujore bruto është 47.664 lekë dhe për femrat 42.852 lekë; pra me një diferencë prej 5 mijë lekësh të rinj.
Në statistika, hendeku gjinor në paga në Shqipëri është 6.9 % për vitin 2015 dhe mund të shihet si përmirësim. Përmirësimet sipas INSTAT janë të dukshme, po ta krahasosh me vitin 2014, që ishte 10%, teksa femrat dominojnë meshkujt në pagesat e përfituara nga kompanitë sh.a. Megjithatë, ky hendek duket i lartë dhe ndryshon sipas llojit të pronësisë së ndërmarrjeve, sugjerojnë shifrat e INSTAT, të bëra publike në publikimin mbi “Tregun e Punës”.
Në kompanitë private të tipit sh.p.k dhe sh.a. hasim “çudinë” lidhur me ndryshimet e pagesave sipas gjinive. Në kompanitë sh.p.k., hendeku gjinor i pagës është 13 %, në favor të meshkujve. E anasjella duket në kompanitë sh.a., ku femrat paguhen 14% më tepër se sa meshkujt, duke qenë një rast i veçantë.
Në sektorin publik, meshkujt mbizotërojnë me 10% paga më të larta, në organizata jofitimprurëse hendeku gjinor është vetëm 1%, ndërsa në kompani të cilësuara si të tjera, hendeku është 37 %.
Për vitin 2015, sipas të dhënave që vijnë prej INSTAT-it, Shqipëria është vlerësuar si vendi me krahun më të lirë të punës në Europë.
Ndërkohë, indeksi botëror për sa i përket pabarazisë gjinore në pagesa tregon se faktikisht nuk ka asnjë vend në botë, në të cilin femrat fitojnë më shumë sesa meshkujt. Edhe në vendet në të cilat hendeku gjinor konsiderohet i vogël, kemi diferenca të dukshme mes tyre.
Në Zelandën e Re, e cila renditet në një ndër vendet me hendekun më të vogël gjinor, femrat vazhdojnë të paguhen 5% më pak sesa meshkujt. Në SHBA, kjo gjë ishte akoma më e theksuar, duke kapur një shifër prej gati 18%. Sipas Forumit Ekonomik Botëror, do të nevojiten edhe 118 vite të tjera për të dalë nga kjo situatë, pra derisa hendeku mes femrave dhe meshkujve të mbyllet përfundimisht. Aktualisht, një e katërta e grave në një bilion kanë një vend pune, një numër i konsiderueshëm ky, krahasuar me atë të një dekade më parë. Nga ana tjetër, shumë gra janë duke frekuentuar universitetet më tepër se meshkujt, pavarësisht se kjo nuk është e përkthyer domosdoshmërish në pozicione udhëheqëse apo pagesa më të larta. Vendet nordike si: Islanda, Norvegjia, Suedia dhe Finlanda janë vende të cilat dallohen për politikat e barazisë gjinore. Ato në renditje ndodhen gjithmonë në katër vendet e para nga 145 vende të tilla, e megjithatë vazhdojnë të punojnë në kuadër të mbylljes së hendekut gjinor. Disa nga arsyet kryesore të kësaj disbalance konsiderohen orët e punës ku sipas Mark Perry, ekonomist dhe studiues në Institutin American Enterprise meshkujt punojnë me orare më të zgjatura sesa femrat. Gjithashtu, lindjet janë një arsye tjetër, e cila çon gratë drejt pagave më të ulëta. Sipas një studimi nga Universiteti i Massachusetts është arritur në përfundim se për çdo fëmijë që ka një grua, të ardhurat e saj ulen me katër për qind. Po ashtu, rrezikshmëria në punë shikohet si një element i rëndësishëm në lidhje me pagesën. Gratë kanë tendenca për të zgjedhur profesione me rrezikshmëri të ulët edhe pse kundrejt një pagese më të ulët. Hendeku gjinor i pagesave është një prej sfidave, por njëkohësisht edhe një prej perspektivave kryesore të vendeve të zhvilluara europiane. Pika ku të gjitha statistikat takohen vazhdimisht, është fakti se femrat paguhen më pak sesa meshkujt. Barazia gjinore e BE-së është një pjesë integrale e Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Europian, e cila ndalon diskriminimin mbi çfarëdo bazë dhe e njeh të drejtën e barazisë gjinore në të gjitha fushat, si dhe domosdoshmërinë për ndërmarrjen e veprimeve pozitive për promovimi e saj (neni 23). Janë të shumtë faktorët, të cilët ndikojnë në krijimin e një hendeku të tillë sikurse janë: arsimi, profesioni, kualifikimet, përvoja në tregun e punës etj.
Duke nisur nga viti 1997, pjesëmarrja e gruas në tregun e punës është rritur, nga 55% që ishte, aktualisht ka shkuar në 63%. Edhe pse kjo paraqet një përparim të dukshëm, pjesëmarrja e grave në tregun e punës në BE është ende dukshëm më e ulët se ajo e burrave, të cilët aktualisht përbëjnë 75% të këtij tregu. Problemi e ka fillesën që prej statusit të punësimit mes grave dhe burrave, ku edhe këtu kemi një mungesë të theksuar ekuilibri. Kjo gjë sjell rrjedhimisht edhe problem në pagesën mes dy gjinive.
Myzeqari: Kontributi i grave nuk është marrë në konsideratë
Për vitin 2015, sipas të dhënave që vijnë prej INSTAT-it, Shqipëria është vlerësuar si vendi me krahun më të lirë të punës në Europë, por meshkujt shqiptarë paguhen 10% më shumë se femrat, edhe pse kishin të njëjtin pozicion pune. Sipas dr. Irena Myzeqarit, lektore në Departamentin e Shkencave Sociale në UET, pavarësisht se feminizmi ka fituar disa beteja, shifrat nuk janë ato të cilat e tregojnë këtë gjë. Madje sipas saj, ato jo vetëm që nuk e kanë ndihmuar kauzën feministe, por e kanë dëmtuar atë.
Bisedoi: Inva Hasanaliaj
Sipas të dhënave më të fundit nga INSTAT, hendeku gjinor në paga duket se ka pasur një ndryshim, duke favorizuar femrat, të cilat dominojnë ndaj meshkujve në disa lloje ndërmarrjesh? Si mund të shpjegohet një kapërcim i tillë në terma konkretë?
Pa dyshim feminizmi ka fituar disa beteja. Vite të tëra studim dhe angazhim i gruas për të kontribuar në tregun e punës, marrin shpërblimin e tyre. Studimet tregojnë se ato përbëjnë numrin më të lartë të të diplomuarve, më mirë të shkolluarve dhe pengesat e ashtuquajtura “muri mëmësor”, “tavani i qelqtë” duket sikur po krijojnë thyerjet e para, çka po iu jep mundësi grave të ofrojnë më shumë prej kapacitetit profesional. Gjithsesi, nuk duhet të këndojmë fitore, shifrat kanë provuar që më shumë se sa e kanë ndihmuar kauzën feministe, e kanë dëmtuar atë.
Përgjithësisht, situata që është paraqitur vazhdimisht në aspektin e pagesave i bën gratë më pak të favorizuara, që do të thotë se edhe pse mund të jenë më shumë të kualifikuara, paguhen më pak se burrat. Çfarë shpjegimi do t’i jepnit ju si eksperte?
Gratë, historikisht kanë qenë të lidhura me privaten dhe kontributi i tyre pritej të ishte konkret, veçse në menaxhimin e punëve shtëpiake. Edhe pse kjo përbënte të ardhura, për shumë vite me radhë ky kontribut nuk është marrë në konsideratë. Kjo “mendësi kulturore”, dashur apo pa dashur, u soll edhe brenda kompanive ose organizatave të mëdha, të cilat kontributin e grave e vlerësonin më pak dhe ndoshta jo aq të rëndësishëm.
Çfarë mund të bëhet për të balancuar këtë hendek gjinor?
Ajo që duhet të kuptojmë është se çështjet e feminizmit nuk gjejnë gjenezë apo zgjidhje vetëm tek ekonomia, edhe pse ajo mbetet një arsye e fuqishme e pozicionit që gratë zënë në shoqëri. Kultura është ajo që mund të ndryshojnë elementet e ekuacionit dhe me kulturë i referohem çdo vlere, norme, tradite, mënyre jetese dhe skeme antropologjike ku ne besojmë.
A mund t’ia atribuojmë mentalitetit patriarkal këtë situatë?
Pa diskutim. Edhe pse nuk duhet të abuzojmë me fjalinë “të gjitha fajet i kanë burrat”. Sot duket sikur kartat e lojës në fushë kanë ndryshuar dhe përherë e më shumë kemi gra që janë “sigurueset e bukës” në një familje. Ajo që duhet kuptuar se kjo nuk është aspak e “ububu-shme” dhe për të venë duart në kokë; burri dhe gruaja janë dy aktorë socialë të barabartë, të aftë për punë, fizikisht dhe konjitivisht, të cilët vetëm duke bashkëpunuar mund ta çojnë ekonominë e një familjeje apo një vend përpara.
Si paraqiten politikat e tregut të punës për femrat, krahasuar me meshkujt?
Mjafton të kujtojmë incidentin e “takave të larta” disa ditë më parë në Britaninë e Madhe. Vetëm për shkakun se ajo nuk pranoi të vishte taka, u detyrua të largohet nga puna. Ky veprim shkaktoi një reagim të fuqishëm në rrjetet sociale dhe tanimë ajo kompani u dha të drejtën grave të vijnë në punë si të ndihen më rehat. Një burri kurrë nuk do t’i vihej në dukje apo t’i bëhej problem çështja e dukjes. Nga ky shembull, mund të përgjithësojmë shumë se si pozicionohen gratë dhe burrat në tregun e punës.
Cilat janë profesionet kryesore, në të cilat femrat janë të disavantazhuara?
Përgjithësisht në pozicionet drejtuese dhe në ato fusha, të cilat konsiderohen si të forta dhe burrërore. Politika, ekonomia, ndërtimi, të gjitha janë fusha ku njerëzit priren të mendojnë se janë punë burrash dhe ta lidhin gruan dhe femëroren ngushtë me punë, ku prevalon etika e përkujdesjes dhe marrëdhëniet njerëzore. Këto janë vetëm klishe, stereotipa, të cilët kultura duhet t’i hedhë poshtë dhe të promovojë më shumë modele suksesi, sepse ka plot të tilla.