Selami Xhepa është kundër politikës monetare të Bankës së Shqipërisë dhe mendon se ajo nuk po jep rezultate. “Një reduktim i menjëhershëm dhe thelbësor i normës së interesit – domethënë, në vend të një serie reduktimesh me 0.25 pikë, një reduktim i vetëm me 1 apo 2 pikë të plota – dhe angazhimi institucional i Bankës së Shqipërisë, për një politikë të normave të ulëta të interesave në afat të gjatë. Literatura sugjeron se reduktime të tilla dhe angazhime institucionale më afatgjata, kanë një ndikim shumë më të fortë dhe përcjellin sinjale të forta tek agjentët ekonomikë”.
Intervistoi: Inva Hasanaliaj
Ulja e normës së interesit nga Banka e Shqipërisë nuk shihet si një lëvizje e duhur nga Selami Xhepa, ish-Shefi Ekonomik i Departamentit Kërkimor në Bankën e Shqipërisë. Sipas pedagogut të Ekonomisë, një ulje sistematike e normave të interesit do të rrisë dhe më shumë presionin në tregun e brendshëm monetar mbi bankat, duke ndikuar në uljen e fitimprurjes së këtij sektori, gjë që do të ishte shumë e padëshirueshme. Në datën 6 prill, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindje, nga niveli 1.75% në nivelin 1.50%. Që nga viti 2009 kur norma e interesit u ul nga 6.26% në 5.75%, kjo është ndërhyrja e 18 nga Banka e Shqipërisë. Guvernatori Genti Sejko gjatë një konference për shtyp deklaroi se rritja e inflacionit dhe ajo ekonomike përgjatë këtij viti do të jetë më e ulët nga ajo çfarë është parashikuar. Kjo ulje e normës erdhi si një synim për të nxitur shpenzimet nga ana e qytetarëve dhe për të zvogëluar kursimet si dhe kredimarrjen. Megjithatë, mesa duket, kjo politikë monetare nuk ka rezultuar të jetë tillë. Shifrat tregojnë se “treguesi i besimit të konsumatorit” ka pësuar një rënie prej 3.5% si dhe gradualisht pritet që të fillojë tërheqja e parave nga depozituesit, duke i zhvendosur ato drejt alternativave të tjera. Aktualisht, ekonomia vazhdon të shkojë drejt rënies me një normë inflacioni të ulët. Një rënie e mëtejshme e ekonomisë pritet që të sjellë problematika të tjera sikurse janë komplikacione në të ardhurat dhe shpenzimet e qeverisë për vitin 2016. Pavarësisht rezultateve që parashikohet të vijnë prej uljes së normës së interesit, Banka e Shqipërisë pohon se ka një plan konkret për sa i përket rimëkëmbjes, e cila sipas tyre po ecën ashtu sikurse parashikohej. Në një prej njoftimeve të Këshillit Mbikëqyrës, theksohet se politika monetare është një parakusht i nevojshëm për një rritje të shpejtë dhe të qëndrueshme ekonomike.
Deri ku mund të shkojë Banka e Shqipërisë me këtë politikë monetare?
Mendoj se pafuqia e politikës monetare për të krijuar stimul ekonomik është vërtetuar prej kohësh. Reduktimi në mënyrë konstante që i është bërë normës bazë të interesit në ekonomi, një orientim politik që vazhdon prej më shumë se tri vitesh, është provuar se nuk ka pasur rezultate konkrete në stimulimin e kredisë në ekonomi, në uljen e kostos së parasë për sipërmarrjen private, gjë që mund të përkthehej në më shumë investime. Edhe pse këto lëvizje bëhen në argumentin e mbështetjes së rritjes ekonomike, ajo që mendoj se mund të ishte bërë më mirë do të kishte qenë: Një reduktim i menjëhershëm dhe thelbësor i normës së interesit – domethënë, në vend të një serie reduktimesh me 0.25 pikë, një reduktim i vetëm me 1 apo 2 pikë të plota – dhe angazhimi institucional i Bankës së Shqipërisë, për një politikë të normave të ulëta të interesave në afat të gjatë. Literatura sugjeron se reduktime të tilla dhe angazhime institucionale më afatgjata, kanë një ndikim shumë më të fortë dhe përcjellin sinjale të forta tek agjentët ekonomikë.
Çfarë rruge tjetër mund të ndiqet për të rritur kreditimin?
Kreditimi i ekonomisë kërkon më së pari, zgjidhjen e problemeve që janë akumuluar në raportet midis sipërmarrjes ekzistuese dhe bankave. Procesi i ristrukturimit të kredive duhet të ishte një proces më i shpejtë dhe banka qendrore duhet të kishte qenë më e shpejtë dhe më transparente në mënyrën e adresimit të këtij problemi. Është e kuptueshme se një shkallë diskrecioni është e nevojshme, por transparenca ndaj publikut është dhe një detyrim ligjor pasi në analizë të fundit paratë e bankave janë depozita të qytetarëve, të cilat administrohen nga institucionet bankare.
Një mënyrë e dytë e stimulimit të kredisë mendoj se lidhet me ndryshimin e filozofisë së punës së vetë bankave. Ruajtja e normave të larta për kredinë, ndërkohë që normat e interesave të depozitave vazhdojnë prej kohësh që të jenë negative në terma realë, më duket se është shumë e pamotivuar. Sinjali që përcjellin politika të tilla bankare është ai i riskut të lartë në ekonomi, gjë që natyrshëm e frenon dhe më shumë huamarrjen.
Së treti, oportunitetet për investime në ekonomi duket se janë shumë të kufizuara. Pas një bumi kreditimi për sektorin e energjisë, nuk duket se ka një sektor lokomotivë të rritjes së kredisë, ndërkohë që sektori i ndërtimit po i shteron hapësirat për kreditimin dhe rritjen ekonomike të vendit. Po kështu, edhe bujqësia mbetet shumë e kufizuar në oportunitete, ndërkohë që disa degë të manifakturës janë me probleme të diktuara nga kriza e lëndëve të para që ka goditur ekonominë botërore (nafta, mineralet etj.).
Mendoj se qeveria duhet të ndërmarrë me seriozitet hapat e duhur për të aktivizuar krijimin e parqeve industriale si instrumente të tërheqjes së investimeve private, vendëse dhe të huaja. Kjo do të shërbente edhe si një mënyrë e stimulimit të kredisë në ekonomi.
Si ndikon te interesat e ulët, rritja e tatimit mbi të ardhurat?
Tatimi me 15% i të ardhurave nga dividentët dhe interesat mendoj se është politikisht dhe ekonomikisht jo i dobishëm. Ndërkohë që vetë normat e interesave kanë rënë në nivele negative në terma realë, duke zbritur edhe tatimin prej 15% mbi interesat e akumuluara apo fitimet kapitale të krijuara (në rastin e fondeve të investimeve), mendoj se kjo e dekurajon edhe më shumë kursimin dhe gërryen vlerën e kursimeve të realizuara nga individët. Për situatën ku është ekonomia e vendit, më duket e pamotivuar ndjekja e një politike të tillë.
Nisur nga kjo politikë që ndërmori Banka e Shqipërisë, ju si ekspert çfarë parashikoni të ndodhë në të ardhmen?
Nuk mendoj se vazhdimi i politikës së reduktimit të normës bazë të interesit në ekonomi do të ketë ndonjë efekt pozitiv të prekshëm në sektorin real të ekonomisë. Përkundrazi, efekti i vetëm pozitiv mund të ndihet në shërbimin e borxhit publik të brendshëm dhe uljen e kostos së huamarrjes së qeverisë. Nga ana tjetër, uljet sistematike të normave të interesit mendoj se do të rrisin dhe më shumë presionin më tregun e brendshëm monetar mbi bankat, duke ndikuar në uljen e fitimprurjes së këtij sektori, gjë që do të ishte shumë e padëshirueshme. Edhe një herë mendoj se kufijtë e politikës monetare sipas përshkrimeve politike tradicionale janë ezauruar. Bankat qendrore europiane dhe në botë po kërkojnë shtigje të reja, që kanë humbur dallimin e kufijve të politikës monetare dhe asaj fiskale. Ndoshta edhe banka jonë qendrore duhet të eksplorojë metoda të reja inovative, edhe pse personalisht jam mbështetës i neutralitetit të politikës monetare, pasi paraja në thelb duhet të jetë neutrale dhe qëllimi kryesor i institucioneve duhet të jetë që të ruajë vlerën e parasë për kursimtarët dhe agjentët ekonomikë. Shoqëria është më mirë në afat të gjatë nëse sillet sipas këtij principi se sa gjetja e rrugëve të shkurtra drejt suksesit. Eksperienca botërore ka dhënë shembuj të shumtë, se një rrugë e tillë është e pamundur.