Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Scruton: Ja pse Shqipëria ka nevojë për të djathtën

$
0
0

Roger Scruton per op-edRoger Scruton është një nga mbështetësit më të vendosur të konservatorizmit, i cili ka një kontribut të gjerë e të thellë në filozofi, në mendimin politik dhe në përkufizimin e disa prej sfidave më të mëdha, mes tyre, demokracia, kombi, të drejtat, feja, morali, e mira e përbashkët etj. Mediat britanike e kanë cilësuar si filozofin më të arrirë të Britanisë së Madhe, që prej kohës së Edmund Burke-s.

Aktualisht ai është profesor i Filozofisë në disa prej universiteteve më prestigjioze të botës, përfshirë këtu, Oxfordin, Cambridge etj., është autor i më shumë se 30 librave, shkrimtar i dy romaneve dhe shumë punimeve të tjera mbi filozofinë, artin, kulturën, estetikën, fenë, etikën, moralin, si dhe kompozitor i dy operave. Gjatë Luftës së Ftohtë ai ka një kontribut të veçantë në krijimin e të ashtuquajturave universitete klandestine dhe rrjete edukative me disidentët e regjimit sovjetik, në shumë vende të Evropës Qendrore.

Para pak kohësh filozofi Scruton ishte i ftuar në Shqipëri nga UET, ku u nderuar me titullin “Doctor Honoris Causa” nga ky universitet. Gjatë kësaj vizite, ai dha një intervistë ekskluzive për dritare.net, i cili na tregon një dimension të ri të koncepteve të tilla si familja, homoseksualizmi, e djathta, e majta, po ashtu shpjegon kohën e shqiptarëve nën regjimin e Enver Hoxhës dhe nevojën për të kuptuar kush janë sot./dritare.net

Bisedoi: Rudina Xhunga 

Dritare.net- Përshëndetje z. Scruton, faleminderit për këtë intervistë. Mund të na tregoni diçka më shumë rreth vizitës tuaj në Tiranë dhe takimeve që keni pasur?

Roger Scruton- Kam ardhur këtu me ftesë të Universitetit Evropian të Tiranës, të cilët më kanë kërkuar që të adresoj fjalën time në një ceremoni, ku do të më japin edhe një titull nderi. Nuk kam qenë më parë në Shqipëri dhe më duhet të them se ngrohtësia dhe mikpritja e njerëzve më ka bërë përshtypje të forta. Njerëzit që kam takuar si Sali Berisha, të cilin e njihja që prej  vitesh më parë, Edi Rama, shumë njerëz nga universiteti dhe e gjithë kjo, ka qenë mjaft interesante.

Dritare.net- Mund të ndajmë diçka rreth librit tuaj, për lexuesin shqiptar?

Libri im është një prej arsyeve për të cilat më kanë ftuar në Shqipëri. Titullohet: Si të jesh i djathtë , dhe i adresohet të rinjve për t’ju thënë se pse, unë, si një konservator i vjetër mendoj se filozofia ime është ende e vlefshme,  në botën në të cilën ata jetojnë. Libri tregon sesi të gjitha ideologjitë si socializmi, liberalizmi etj, e kanë ezauruar veten e tashmë jemi në një situatë të re. Unë si konservator i djathtë tregoj se çfarë mund të aplikojmë në këtë situatë të re që t’i ndihmojmë njerëzit të bëhen bashkë përreth një identiteti.

Dritare.net- Një grup mendimtarësh, duke nisur nga Niçe, më herët dhe Fuko, Derrida apo Rorty, në kohët e vona e deri sot mbrojnë idenë se nuk ka të vërteta dhe se gjithçka është një interpretim. Si ndodhi që u bë kaq i fuqishëm ky mendim?

Kjo është një pyetje me shumë rëndësi, pasi shkon drejt e në zemër të asaj që po ndodh me arsimimin në ditët e sotme. Niçe thotë se nuk ka të vërteta, por vetëm interpretime. Kjo më bën ta pyes: E vërtetë është kjo? E nëse kjo që ai thotë është e vërtetë, atëherë nuk është. Sepse sipas tij nuk ka të vërteta. Kjo është pra një kontradiktë në të cilën nuk mund të mendosh më tej, mirëpo janë njerëz si Derrida, i cili i do fort kontradiktat, gjë që e bën atë një klloun të vërtetë, sikurse ishte, apo Rorti qe i donte kontradiktat,  pasi ai nuk kishte argumente për pozicionin e tij. Argumentimi është i vështirë ndaj duke eliminuar të vërtetën ai mendon se mund të shpëtojë pa argumentuar asgjë. Sigurisht pastaj Fukoja i cili është brenda traditës së vjetër marksiste teksa thotë se nuk ka të vërtetë, por vetëm pushtet. Kjo është një doktrinë e frikshme të cilën e besonte edhe Enver Hoxha.

Dritare.net- Dhe çfarë problemesh ka shkaktuar kjo në jetën shoqërore?

Solli koston e  mosbesimit më tek e Vërteta. Njerëzit nuk i dallojnë dot më të vërtetat nga gënjeshtrat. Në politikë mund të thuhet gjithçka vjen për mbarë, ajo që ka rëndësi është pushteti dhe kjo është një ide e vjetër komuniste. Elimino të vërtetën, elimino drejtësinë, e merru vetëm me pushtetin. Eliminon armiqtë, shtyp të tjerët.

Dritare.net- A po ndodh e njëjta gjë edhe me politikanët e sotëm?

Nëse i dëgjon ata, ata protestojnë me të madhe se kjo gjë nuk po ndodh sot me ta. Mirëpo siç thotë edhe Hamleti “Këta, si shumë po protestojnë!”. Unë besoj se kjo vazhdon të ndodhë.

Dritare.net- Profesor Scruton, a është materializmi sëmundja që prodhoi këtë mendim, apo është ideja dekartiane e vënies së arsyes në qendër që çoi këtu?

Kjo është një pyetje shumë intelektuale dhe më duhet të them se materializmi zë një vend të rëndësishëm në këtë çështje pas i kthen sytë e njerëzve nga ideja e së vërtetës, tek ideja e lezetit dhe kënaqjes, te fakti se jemi në këtë botë që të marrim ç’të mundemi dhe le t’i harrojmë vlerat e përjetshme. Prandaj mendoj se është më shumë kjo, sesa racionalizmi i Dekartit.

Dritare.net- Cilat mendoni ju se janë disa nga sfidat më të mëdha me të cilat është duke u përballur njeriu sot?

Sfida kryesore që mendoj se po përjetojnë njerëzit sot sidomos këtu në Shqipëri, është çështja e identitetit. Kush jemi ne ? Çfarë na mban ne bashkë si një shoqëri? Ne jetojmë bashkë me njerëz me të cilët nuk biem dakord; jetojmë me të huaj, por ne bashkëpunojmë, dhe duam që të vazhdojmë të bashkëpunojmë duam paqe dhe bashkim. Mirëpo mënyrat e vjetra të të qenit të bashkuar nuk duken më po aq të forta. Traditat dhe zakonet e vjetra, gjithçka është në lëvizje, të gjithë janë duke emigruar ku të munden dhe ideologjitë e vjetra sikur nuk kanë më besueshmëri, prandaj mbetet pyetja: Çfarë na mban neve bashkë? Mendoj se kjo është pyetja që i shqetëson njerëzit këtu, por edhe në vendin tim po ashtu.

Dritare.net- Në gjykimin tuaj pse ka dështuar liberalizmi? A janë sot më të lirë njerëzit apo ata janë futur në një skllavëri të re, në atë të konsumit dhe të dëshirave për materialen?

Kjo është një tjetër pyetje e vështirë. Unë nuk mendoj se liberalizmi ka dështuar . Duhet të  kujtojmë sesi ishin vitet ’80, kur këtu ishte Enver Hoxha. Nuk kishte liri, dhe sigurisht që gjërat ishin me rrezik, mund të zhdukeshe. Prandaj duhet të jeni mirënjohës për gjërat që kemi. Por është e vërtetë se kur njerëzit janë të lirë, ata gjithashtu abuzojnë me lirinë e tyre dhe krijojnë pranga të reja për veten, dhe dëshirat e tyre janë zinxhirët e tyre dhe këta njerëz e humbasin lirinë e tyre në rrugë të gabuar. Ky është një paradoks i çuditshëm i gjendjes njerëzore. Si mund ta ruajmë ne lirinë? Në bindjen time, vetëm nëse ne bëhemi të përgjegjshëm për jetët tona dhe të jemi llogaridhënës ndaj të tjerëve.

Dritare.net- Çfarë ka ndodhur me të shenjtën? A ka sot shoqëria, njeriu evropian të shenjta? Me çfarë është zëvendësuar e shenjta që vinte nga krishterimi?

Mendoj se edhe kjo është një çështje e vështirë. Ne kemi vlera, nuk ka dyshim për këtë, ne besojmë se ca gjëra janë të mira e ca të këqija, ca gjëra janë të drejta e ca të gabuara. Por kur vjen puna për hyjnoren, të shenjtën, nuk jemi shumë të bindur, sepse na mungon sensi fetar i cili ta jep idenë e së shenjtës dhe të jep forcë. Në disa fusha nuk jetojmë dot pa konceptin e asaj që është e shenjtë, asaj që është hyjnore, veçanërisht në fusha si seksi. Në marrëdhëniet seksuale, ka gjëra të cilat ne nuk mund t’i bëjmë, nuk mund t’ia bëjmë tjetrit. Ka mënyra sesi mund ta ç’shenjtërojmë dikë, si fëmijët për shembull apo si përdhunuesi për shembull i cili e ç’shenjtëron personin tjetër. Pa konceptin e diçkaje të shenjtë, nuk mund ta kuptosh këtë. Prandaj njerëzit janë duke e humbur sensin e asaj çfarë marrëdhëniet seksuale janë në të vërtetë.

Dritare.net- Që prej viteve ’50-’60 Evropa Perëndimore ka hyrë në një kulturë të re ku marrëdhëniet seksuale nuk iu nënshtrohen më normave të vjetra dhe ku liria seksuale është një normë. Çfarë ka prodhuar kjo, a e ka bërë kjo më të lirë njeriun apo e ka çuar shumë poshtë statusin e tij?

Në një kuptim, sigurisht që kjo na ka bërë më të lirë sepse na ka dhënë më shumë opsione që nuk i kishim. Por na ka bërë edhe më të pasigurt. Veçanërisht femrat janë bërë më të pasigurta, sepse ato nuk mund të shijojnë këtë lloj lirie pa kosto. Ato humbin mbrojtjen e burrave, humbin mundësinë të pasur jetë familjare e me fjalë të tjera i humbin gjërat që në fakt i përmbushin gratë, nuk e marrin lumturinë që kërkojnë. Kështu që ka një fitim të vogël në liri por ka një humbje në kënaqjen dhe gëzimin që të jep jeta. Mendoj se jemi duke e dëshmuar këtë liri, dhe kjo është një prej arsyeve se pse ka kaq shumë pakënaqësira dhe luftë midis gjinive. Gratë nuk iu besojnë më burrave dhe kjo është e arsyeshme, dhe burrat i shfrytëzojnë gratë, gjë që nuk është e arsyeshme. Nuk mund ta mohojmë pra se normat e vjetra ishin një formë mbrojtjeje që ju mundësonte njerëzve që ta donin njëri – tjetrin dhe të ndiheshin të sigurt teksa e donin njëri – tjetrin. Tani kjo mbrojtje nuk është më dhe na duhet të gjejmë diçka tjetër. Dhe  kjo është e vështirë.

Dritare.net- Familja është në një proces të gjerë ripërkufizmi si pasojë e lirisë dhe revolucionit seksual, por edhe si pasojë e zhvillimeve të tjera. A mendoni se homoseksualiteti duhet të jetë një element që duhet marrë në konsideratë në këtë ripërkufizim të familjes?

Nuk mendoj kështu. Unë mendoj se ne e kemi ndryshuar qasjen ndaj homoseksualitetit, të gjithë e dinë këtë, dhe nuk po konsiderohet më si një lloj dhunimi i normave të shenjta. Sidoqoftë familja nuk ka qenë ndonjëherë vetëm çështje e marrëdhënieve seksuale midis prindërve, ka qenë për hir të fëmijëve. Sikurse na thonë të gjithë psikologët, fëmijët kanë nevojë për të dy prindërit, dhe kanë nevojë që të dy këta prindër të jenë të gjinive të ndryshme. Kjo është mënyra sesi fëmijët e orientojnë veten e tyre drejt botës. Mendoj që nëse e humbasim këtë ide, të femrës dhe mashkullit dhe të fëmijëve që lindin prej saj, ne e humbasim familjen e vërtetë. Nuk mund ta ripërkufizojmë këtë ide. Jemi në një pozicion të vështirë, pasi na duhet të modifikojmë kuptimin tonë të familjes që kjo të mos jetë ofenduese ndaj homoseksualëve, mirëpo kjo do të thotë që të bëhemi liberal ndaj homoseksualëve të cilët po dëmtojnë familjen.

Dritare.net- Ju mbroni idenë se qytetërimi evropian ka rrënjë judeo-kristiane. Por sot tradita e përgjegjësisë njerëzore, e përgjegjësive që duhet të marrë individi është zëvendësuar me shtetin dhe ky i fundit është rritur sikurse e thamë, shumë. Gjithashtu kishat janë bosh, morali që vjen nga krishterimi nuk po gjen më vend, popullsia është plakur, lindjet jashtë martese janë në numër shumë të lartë, deri në 40% të numrit total, kriza ekonomike është më së pari sociale. Ku po shkojmë?

Do doja shumë që të kisha një përgjigje për këtë, pasi kjo është ndryshe edhe një pyetje nëse po vdes qytetërimi ynë apo jo. Sigurisht që ka probleme të vërteta por nëse eliminojmë bazën shpirtërore të këtij qytetërimi, ai nuk do të mbetet më këmbë edhe për shumë gjatë. Do të kthehet në një guaskë, dhe kjo guaskë do të shpërbëhet. Por ka edhe gjëra të tjera që kanë ardhur prej trashëgimisë Judeo-Kristiane, si për shembull sensi ynë i identitetit kombëtar, respekti ynë për shoqërinë civile, respekti ynë për ligjin, që mund të na ndihmojnë të vazhdojmë edhe pse në një mënyrë të re, të respektojmë njëri – tjetrin dhe të jetojmë në paqe së bashku. Nuk mund të them se do të jetë njësoj por këtu në Shqipëri ne jemi duke dëshmuar një situatë tjetër. Besimi më i përhapur ndër ju është Islami, por ky Islam është shumë i evropianizuar. Është privatizuar prej jush në jetesën e përditshme. Duke e pranuar prezencën e Zotit dhe obligimet që keni ndaj tij, por jo duke ia imponuar këtë fqinjit tuaj. Ju keni pranuar se është e rëndësishme të jesh së pari një shqiptar i mirë e pastaj një mysliman, një ortodoks apo një katolik. E unë mendoj se ky është një model për tu ndjekur, pasi nënkupton përvetësimin e besimit dhe jo eliminimin e tij. Sikurse thoni edhe ju me të drejtë, kur e eliminojmë plotësisht religjionin, bashkë me të zhduket edhe diçka jetike prej qytetërimit tonë. Ky është edhe sensi ynë i së shenjtës. Sensi se ka disa gjëra që nuk mund të injorohen dhe disa gjëra të cilat nuk mund t’i ofendojmë.

Dritare.net- Ju jeni një kritik i ashpër i termit që njihet si “politikisht korrekt”. Cila kulturë e ka prodhuar këtë?

Mendoj se të qenurit politikisht korrekt ka ardhur për shkak se të rinjtë sot nuk dinë më se ç’të besojnë. Janë të frikësuar se mos i ofendojnë të tjerët, dhe veçanërisht se mos i përjashtojnë të tjerët nëse thonë se “unë besoj këtë gjë” “Unë kam të drejtë, ti e ke gabim e kështu po të përjashtoj”. Të rinjtë nuk e pëlqejnë këtë, ata duan që t’i përfshijnë të gjithë. Por sigurisht që nëse i përfshin që të gjithë, si do t’ia bëjmë me ata që nuk duan t’i përfshijnë të gjithë? Duhet t’i përjashtosh këta, dhe bie në këtë kontradiktë. Do që të jesh i sjellshëm, por njëkohësisht bëhesh një censurues i të gjithë atyre që nuk duan të jenë të sjellshëm deri sa kjo përfundon në një lloj të ri tiranie. Një lloj tiranie që kontradikton veten, ndaj unë mendoj se shumë të rinj vuajnë sot prej kësaj. Përgjigja ndaj të qenurit politikisht korrekt, është të besuarit e diçkaje dhe të jesh tolerant ndaj atyre që nuk besojnë të njëjtën gjë.

Dritare.net- Z. Scruton, le të flasim pak për filozofi politike. A ka sot dallime ideologjike mes të majtës dhe të djathtës, sepse shumëkush thotë se konsumerizmi dhe neoliberalizmi po dominojnë kudo?

Është qartësisht e vërtetë që ndarja e vjetër mes të majtës dhe të djathtës nuk vlen më. Ato janë si një lloj hije që na e hedh historia por sidoqoftë ka një diferencë se ku vendoset theksi. Dukshëm, konsumerizmi është kudo vërdallë në botën tonë për shkak të bollëkut të të mirave. Gjithkush do që të ketë dhe të konsumojë gjëra. Mirëpo ende ka një diferencë të madhe midis atyre që vlerësojnë lirinë mbi gjithçka ndaj atyre që vlerësojnë barazinë mbi gjithçka. Liri do të thotë mundësia për të ndjekur interesat e tua që sigurisht mund të sjellë pabarazi sociale. Nga ana tjetër nëse mendon se barazia është më e rëndësishme sesa liria, do të të duhet që t’iu heqësh njerëzve lirinë, në mënyrë që të mos lindin këto pabarazi. Kjo është sot diferenca e vërtetë mes të majtës dhe të djathtës. Nëse mendoni për atë që besojnë njerëzit të cilët ju i quani “të djathë”, thelbi i besimit të tyre është që të ndjekin jetën e tyre në mënyrën e tyre. Ndërkohë të majtët janë dyshues për këtë liri dhe duan që ky produkt të shpërndahet mes të gjithë njerëzve në mënyrë që ata të mbeten të barabartë, e në fakt nuk mund t’i kesh të dyja.

Dritare.net- Cila mund të jetë një përgjigje e djathtë për sfidat e sotme? Po në vendet ish komuniste? Ju jeni njohës i mirë i Evropës Lindore, ç’mund të ofrojë e djathta?

Mendoj se e djathta siç e dua unë me konservatorizëm tradicional, mund të ofrojë idenë e institucioneve të përhershme. Ky vend ka nevojë që të ndërtojë institucione që do të jetojnë shumë më gjatë, sesa njerëzit që punësohen aty. Ligji për shembull, duhet zbatuar dhe duhet të ketë objektivitet, duhet të zgjasë nga njëri brez në tjetrin dhe duhet të mos jetë i korruptuar. Ndërtimi i një sistemi ligjor të ndershëm është prioriteti numër një i shqiptarëve veçanërisht kur keni një gjyqësor të korruptuar dhe kur keni një konfuzion të plotë se kush është pronari i cilës gjë dhe kush ka të drejtë mbi çfarë. Kjo është një prej gjërave kyç. Por pasi nis të mendosh kështu, kupton se nuk është ligji i vetmi institucion prej të cilit varet jeta jonë. Edhe institucionet e arsimit për shembull. A nuk duhet të kemi më shumë shkolla private dhe t’iu japim njerëzve mundësinë që t’i çojnë fëmijët e tyre aty? A nuk duhet të kemi më shumë universitete dhe kolegje private që përpiqen ama të mbajnë një standard të nivelit të rajonit? A nuk duhet që të ndërtojmë pra institucione të reja në vend të atyre që u trashëguan prej komunistëve? Kur nis dhe i mendon këto, besoj se do të shihni shumë mundësi për të ndërtuar institucione në të cilat pushtetin e kanë njerëzit, dhe jo qeveria.

Dritare.net- Cili është mesazhi juaj për ata që kanë braktisur tradicionalen dhe kanë përqafuar modernen?

Mesazhi im është se të përqafosh diçka të re për të lënë mënjanë të vjetrën nuk është diçka e keqe, duke kuptuar ama se gjithsesi do kthehesh tek ajo që ke braktisur. Duhet t’i falni edhe ata që nuk u bënë braktisës si ju. Të gjithë fëmijët e dikujt, të gjithë të rinjtë e kalojnë këtë fazë kur i refuzojnë prindërit e tyre, dalin në botë, dhe pastaj janë të vetmuar. Ngrenë një jetë të tyren, dhe pastaj në moshën e mesme, kur ata bëhen vetë me fëmijë, i falin prindërit e tyre dhe kthehen tek ata.  Ky është cikli i jetës. Gjithkush duhet të mbajë mend se ky është edhe cikli i jetës tënde.

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Trending Articles


Te dergoj urime


Femij i vogel ne enderr


PIJA ÇUDIBËRËSE ME KURKUMË (turmenik)


Urime Ditelindjen Shoqe


Salloni i ondulimit LADY A&L ne Prishtine


Jo vetëm për Tiranën…


Cifti kapet duke bërë seks në çatinë e konviktit, por…


Zanfina Ismajli feston ditëlindjen, e pabesueshme mosha e saj


Intriga e Hidhur - Alsat M pj.25


Dhoma e qera 60 euro studenta