
Presidenti Nishani dhe Partia Demokratike kërkuan pezullimin e më pas shfuqizimin e disa neneve të ligjit, pasi sipas tyre, binte ndesh me Kushtetutën dhe Konventën Europiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut
Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese shmang atë që qeveria e quajti më herët si “katastrofë”. Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani e quan situatën e pronave si një çështje të papërgjegjshmërisë së politikës, Manjani këmbëngul se nëse gjykata vendos për pezullimin e ligjit do të ketë pasoja.
“Do të thotë që do të përzëmë këta njerëz dhe do t’i themi që nuk na lënë të zbatohet ligji, do mendojmë si do të djegim paratë që janë vënë për kompensim. Do të bllokohet e gjithë veprimtaria e verfikimit. Janë 26 mijë vendime ndër vite që kërkojnë një përllogaritje në vlerë dhe nuk do të bëhen”, thotë ai.
Kaosin që mund të shkaktohej nga pezullimi i këtij ligji e paralajmëroi edhe drejtorja e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sonila Qato. Ajo shpjegon se një vendim i tillë do të ndalonte të gjithë punën e agjencisë duke bllokuar si shpërndarjen e fondit financiar dhe të atij fizik, ashtu edhe procesin e shqyrtimit të afro 11 mijë dosjeve të ish-pronarëve.
“Do të sillte ngrirjen e aktivitetit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronës, që ka në dorë veprimtarinë për shqyrtimin prej 11 mijë dosjesh. Do të bllokonte fondin e miratuar në dhjetor të 2015 nga qeveria, 24 milionë dollarë që mbi bazën e ligjit të ri do të nisin procedurat për shpërndarjen e këtij fondi. Do të pezullohet gjithashtu edhe shpërndarja e fondit fizik. Ne kemi rreth 23 mijë ha tokë gati për këtë”, thotë Qato.
/ Top Channel