Komisioni i Ekonomisë ka miratuar dje projektligjin që bën të mundur faljen e debisë për 5425 ish-ushtarakë. Nuk përfitojnë ata që e kanë shlyer këtë debi në vite. Ja shumat që i falen çdo kategorie
Komisioni i Ekonomisë ka miratuar dje në parim edhe me pëlqimin e opozitës, projektligjin për faljen e detyrimeve që kanë ish-ushtarakët në skemën e pensioneve suplementare, si pasojë e rillogaritjes që u bë gjatë qeverisjes së demokratëve.
Bëhet fjalë për plot 5425 ish-ushtarakë, të cilët sipas të dhënave nga sistemi informatik “PCAMS” i pagesës së pensioneve, për periudhën deri në fund të muajit shkurt 2016 rezultojnë debitorë ndaj shtetit, për një shumë totale prej rreth 984.5 milionë lekësh të rinj.
Ndërkohë që të gjithë ata ushtarakë që këtë debi janë detyruar ta paguajnë gjatë këtyre 6 viteve, pra që nga koha e daljes së Aktit Normativ të qeverisë “Berisha”, nuk do përfitojnë rimbursim.
Prezantimi
Në rolin edhe të iniciuesit të kësaj nisme, projektligji u prezantua nga vetë ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, i cili vuri në dukje se qëllimi i këtij projektligji është t’i japë zgjidhje problematikës shumëvjeçare të kategorisë së ish-ushtarakëve, e shkaktuar si pasojë e një kuadri ligjor jo të qëndrueshëm, i kundërshtuar që në fillimet e hartimit të tij dhe në vazhdimësi nga kjo kategori, si dhe i gjykuar dhe rrëzuar disa herë nga Gjykata Kushtetuese.
Ministri i Mirëqenies Sociale tha se synimi është falja e detyrimeve të ish-ushtarakëve që kanë rezultuar debitorë si pasojë e efekteve prapavepruese të rillogaritjes së pensioneve në zbatim të ligjit të vitit 2010, si dhe të periudhës së gjatë të nxjerrjes dhe përpunimit të dokumentacionit mbi pagën mesatare referuese dhe periudhën e shërbimit.
“U krijuan këto debi, të cilat kanë vijuar të shtyjnë detyrimet, duke i ndalur 20% të pensioneve mujore të gjithë këtij grupimi ish-ushtarakësh. Duke njohur detyrimet si shtet pavarësisht nga koha që janë krijuar këto veprime të parregullta dhe këto borxhe që janë krijuar në shtresa kaq të mëdha, ne si qeverisje e përgjegjshme, me propozim të katër ministrive të linjës sjellim sot para parlamentit kërkesën për faljen e debisë për 5 mijë e 425 ish-ushtarakë debitorë, me një detyrim të mbetur në vlerën 984.5 milionë lekë”, –tha Klosi në fjalën e tij.
Opozita nga ana e saj, edhe pse dha votën pro në parim, shprehu një sërë dilemash mbi projektligjin, duke i kërkuar MMSR-së sqarime shtesë.
“I kërkojmë qeverisë që këtë sforco që bëri për rreth 1 mld lekë për të falur detyrimet për ish-ushtarakët, të mund ta bëjë edhe për kategori të tjera të pensionistëve, në mënyrë që të paktën rritja e pensioneve të mbulojë normën e inflacionit që kanë kategoritë e ushqimeve”, -tha Bode.
Ndërsa kryetari i Komisionit, Erion Braçe, i kërkoi ministrit të Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, hartimin e një ligji kuadër, në mënyrë që të mbrohet kjo kategori.
“Janë 6 ligje dhe 5 vendime të Gjykatës Kushtetuese për këtë kategori. Të hartohet një ligj i qëndrueshëm, që mbron këtë kategori nga sulmet politike”, -tha Braçe.
Përfituesit
Aktualisht, siç sqarohet në relacion, gjendja e ushtarakëve debitorë rezulton të jetë e tillë: 934 persona kanë deri 25 mijë lekë debi, 668 persona kanë një borxh nga 25 në 50 mijë lekë, 862 persona kanë një borxh nga 50 deri në 100 mijë lekë, 609 persona kanë nga 100 deri në 150 mijë lekë dhe për të mbërritur te 466 persona që kanë një borxh më të madh se 400 mijë lekë.
Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, deri në fund të muajit shkurt 2016, janë gjithsej 5425 ish-ushtarakë debitorë, me një shumë detyrimi që mbetet për t’u shlyer, prej 984.5 milionë lekësh.
Gjatë periudhës nga viti 2010 deri në shkurt 2015, janë shlyer 368,5 milionë lekë.
Në këtë numër personash dhe vlerë debitorë, ka edhe raste, të cilat nuk janë debitore nga rillogaritja, por kanë rezultuar të tilla për faktin se janë konstatuar të kenë qenë të punësuar apo vetëpunësuar dhe ndërkohë kanë deklaruar fakte jo të vërteta.
Të kësaj natyre janë evidentuar mbi 466 persona që kanë një vlerë debie nga 400 mijë deri në 2028 mijë lekë secili, të cilat janë në proces likuidimi.