Gazsjellësi po rikonstrukton dhe ndërton infrastrukturë që llogaritet të sjellë 160 milionë euro rritje të GDP-së. Qeveria e PD përplasen për meritat. Kryeministri Rama thotë se do ketë rinegocim të marrëveshjes. PD akuzon se pengon investitorët, Tabaku: I kapur rëndë nga sindroma e vitit zero, flet sikur projekti lindi ditën që ai erdhi në pushtet
Gazsjellësi TAP shkarkoi dje pjesën e parë të tubacionit që do të kalojë përmes Shqipërisë, ndërsa qeveria dhe opozita shkëmbyen replika mbi meritat dhe kontratën e nënshkruar. Në fillim, kryeministri Rama akuzoi qeverinë e kaluar se nuk kishte nënshkruar një kontratë të ndershme (simetrike) ashtu si fqinjët dhe paralajmëroi rinegocim, ndërkohë opozita e akuzoi se mburrej me projekte të të tjerëve dhe se ndërkohë nuk kishte sjellë në vend asnjë investitor strategjik.
Mbërritja e tubacionit
Në pak muaj pas nisjes së punimeve për rrugët e aksesit dhe urat në zonën ku kalon gazsjellësi, TAP-i është shndërruar në një prej motorëve kryesorë të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit. Janë mbyllur në masën 56% punimet e parashikuara për fazën e parë dhe brenda vitit do të përfundojë ndërtimi dhe rehabilitimi i plotë i mbi 100 km rrugë dhe i 43 urave. Investimi për këtë pjesë tejkalon vlerën e 60 milionë eurove dhe ka krijuar mbi 1000 vende të reja pune. Këto rrugë aksesi dhe këto ura në zonat rurale, kanë ndikuar drejtpërdrejt në një rritje të nivelit të jetesës përmes rritjes së aktivitetit ekonomik të këtyre zonave përfituese dhe sidomos për fermerët e qarqeve të Korçës, Beratit, e Fierit, që tashmë kanë një akses shumë të lehtësuar për në tregjet bujqësore. Faza e parë e punimeve ka dëshmuar se impakti i parë i TAP-it në ekonomi është edhe më pozitiv se parashikimet. Ndërkohë, qeveria po negocion marrjen nga TAP të një përfitimi financiar direkt, të cilin të gjitha vendet e tjera përveç Shqipërisë e kanë marrë. Ndërkohë dje, në Spitallë të Durrësit u zhvillua ceremonia e mbërritjes së ngarkesës së parë me tuba dhe makineri që do të përdoren për ndërtimin e segmentit të gazsjellësit TAP në Shqipëri. Në aktivitet ishte i pranishëm kryeministri, Edi Rama, ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, përfaqësues të autoriteteve lokale, kontraktorë të TAP dhe zyrtarë të tjerë të shtetit shqiptar.
“Presim rritje progresive të ekonomisë. Nëse sipas një studimi të Universitetit të Oksfordit të 2013 që i jemi referuar, nga fillimi i punimeve për TAP deri në fund të 2018 parashihen 160 milionë euro rritje në prodhimin e brendshëm kombëtar, faza e parë e punimeve ka dëshmuar se impakti i parë është dhe do të jetë më pozitiv se kaq. Me fillimin e rrjedhjes së gazit në 2019 sipas këtij studimi, të ardhurat do të shumëfishohen dhe në 20 vjet, ekonomia shqiptare do të fitojë direkt mbi 1 miliard euro. Shpresojmë që studimi të jetë konservativ dhe shifra të jetë më e madhe”, u shpreh Rama.
Por kryeministri edhe u ankua. Rama tha se kontrata e nënshkruar në vitet e kaluara me TAP nuk ka pasur përfitime simetrike për Shqipërinë, ashtu sikurse për vendet e tjera nga ku kalon projekti.
Rrjedhimisht, ai lajmëroi se nga pala e TAP, qeveria shqiptare ka gjetur gatishmërinë për të dëgjuar dhe negociuar një përfitim simetrik që është i domosdoshëm për ta vënë Shqipërinë në të njëjtin nivel si të gjithë vendet e tjera. “Jam besimplotë se ky negocim do të mbyllet me sukses. Dua të falënderoj përfaqësuesit e palës tjetër për gatishmërinë dhe ndjeshmërinë në raport me kërkesën tonë shumë legjitime”, u shpreh Kryeministri.
Kurse ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, deklaroi se ka pasur shumë skeptikë për këtë projekt dhe dikur thuhej se nuk do mund të bëhej fare. “Jemi realist që gjërat po zhvillohen në terren dhe po ecin sipas një projeksioni të duhur. Kjo na bën krenarë edhe ne si shqiptarë, për shkak se një pjesë e mirë e aktivitetit po zhvillohet këtu. Ky është një lajm i mirë mbi të gjitha, për vetë Bashkimin Europian, sepse po ndërtohet për herë të parë, ai që unë do ta quaja një projekt shekulli, një rrugë alternative e furnizimit me gaz për familjen evropiane”, u shpreh Gjiknuri.
Investimi i fundit serioz i PD-së
Por Partia Demokratike deklaroi se qeveria e Ramës po krenohet me punën e qeverisë së mëparshme. “Partia Demokratike, përshëndet nisjen e punimeve për ndërtimin e gazsjellësit TAP.
I fundmi i investimeve serioze në vendin tonë, i firmosur në fillim të vitit 2013 është një kujtesë për seriozitetin dhe angazhimin e qeverisë së Partisë Demokratike në shërbim të ekonomisë dhe punësimit. Por sot edhe një herë, u pa se sa qesharak bëhet Kryeministri, i cili jo vetëm nuk përmend asgjë për punën e mëparshme, por i kapur rëndë nga sindroma e vitit zero, flet sikur projekti lindi ditën që ai erdhi në pushtet”, tha PD.
Sipas deputetes Jorida Tabaku, ekonomia shqiptare ende vazhdon të mbahet në patericat e investimeve të qeverisë së shkuar “sepse vetë Edi Rama ka të tjera prioritete: Pasurimin e tij dhe oligarkëve të tij përmes tenderëve dhe koncesioneve korruptive, me paratë e taksave të rritura të shqiptarëve”. PD thotë se ekonomia reflekton plotësisht dështimin e zotimeve të kryeministrit të bëra 3 vjet më parë. “Edi Rama ka mbi supe damkën e rënies së investimeve të huaja me 57 mln euro më pak (5.7%) në raport me vitin zgjedhor 2013”, tha Tabaku. Sipas saj, Shqipëria fatkeqësisht nuk është më një vend atraktiv për investimet e huaja. “Asnjë investitor strategjik nuk ka ardhur e nuk do të vijë në qeverisjen e Edi Ramës. Shumë prej tyre janë larguar dhe të tjerë janë bërë gati të ikin”, tha deputetja demokrate, Jorida Tabaku.
Ndërkohë, drejtuesi i projektit TAP për Shqipërinë, Shkëlqim Bozgo, tha se “pas fillimit të punës për rrugët e aksesit dhe urat, në korrikun e vitit të kaluar, mbërritja e tubacioneve dhe makinerive shënon fillimin e një tjetër faze edhe më dinamike të ndërtimit të gazsjellësit. Planifikojmë që në fillimin e gjysmës së dytë të këtij viti të fillojë ndërtimi i gazsjellësit përmes vendosjes së tubacioneve. TAP është një projekt madhor dhe zbatimi i tij me sukses do të kërkojë bashkëpunim eficient të të gjithë aktorëve. TAP falënderoi autoritetet shqiptare në nivel lokal dhe qendror, për mbështetjen që kanë dhënë”. Drejtori menaxhues i projektit, Karl Roberts, në fjalën e tij deklaroi se “zbatimi i një projekti të tillë kërkon angazhim, dedikim dhe mbështetje nga kontraktorët dhe kolegët e TAP. Jam i kënaqur t’ju pohoj se kontraktorët shqiptarë kanë demonstruar aftësinë e tyre të qëndrueshme për të përmbushur në kohë punën dhe me një rekord sa u takon standardeve të sigurisë”.