Kreditë e këqija po kërcënojnë sistemin bankar.
Rënia e kompanive si “ARMO” dhe së fundi “KURUM”, të cilat kanë marrë të dyja bashkë afro 350 milionë dollarë hua në tregun tonë, ka vënë në lëvizje Bankën e Shqipërisë.
Në deklaratën e stabilitetit financiar, Banka Qendrore udhëzon ato të nivelit të dytë që të mos japin shuma të konsiderueshme parash në sektorë të njëjtë.
“Banka e Shqipërisë vlerëson se mbështetja e produkteve të kreditimit në lekë për sektorin privat, duhet të realizohet në mënyrë të përshtatshme për të ekuilibruar strukturën e portofolit të kredisë dhe kontrolluar rreziqet e tregut”.
Sikur të mos mjaftonte rritja e herëpashershme e kreditorëve që nuk paguajnë, bankat po përballen me një fenomen të ri: shitjen e pasurive të patundshme, fushë për të cilën nuk janë të specializuara.
“Banka e Shqipërisë vlerëson se është e nevojshme që autoritetet të vijojnë përpjekjet për të përmirësuar procesin e ekzekutimit të detyrimit, duke u përqendruar kryesisht në identifikimin dhe zbatimin e mekanizmave që nxisin pjesëmarrjen në ankand të një numri sa më të madh blerësish potencialë”.
Rënia e interesave në tregjet europiane, por edhe në Shqipëri, për herë të parë po ve në diskutim fitimin e bankave.
Në raportin e saj të fundit, Banka e Shqipërisë shprehet se aksionerët duhet të rritin vlerën e kapitalit që investojnë.
Lidhur me këtë, shprehet shqetësimi se një pjesë e bankave të cilat janë degë të atyre europiane, mund të ulin aktivitetin e tyre këtu.
Ndërkohë besimi i biznesit dhe konsumatorit pësoi një rënie drastike gjatë tremujorit të parë të këtij viti, duke rënë poshtë mesatares afatgjatë, bën të ditur Banka e Shqipërisë.
“Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) ra me 5.7 pikë, në tremujorin e parë të vitit 2016, duke zbritur poshtë mesatares historike për herë të parë pas tre tremujorëve. Ecuria e këtij treguesi u përcaktua nga rënia e besimit në të gjithë sektorët e ekonomisë, ku rënie më të fortë regjistroi besimi në sektorin e ndërtimit,” njoftoi BSH.
Sipas raportit, janë vlerësuar me rënie të gjitha aspektet e biznesit në sektorin e ndërtimit, ndërsa besimi te sektori i shërbimit ka pësuar rënie të vazhdueshme që nga fillimi i vitit 2015.
Besimi në sektorin e tregtisë ra me 4.1 për qind.
Por elementi më negativ është që në sektorin e tregtisë, rënia e besimit ka qenë edhe më e madhe për pyetjen mbi pritshmërinë për të ardhmen.
Treguesi i besimit të konsumatorit ra me 2.5 për qind me përkeqësim në të tre komponentët kryesorë – blerjet e mëdha, situata financiare aktuale dhe ajo e pritshme e familjes si dhe situata e të ardhurave/shpenzimeve.
Gjithsesi, mes konsumatorëve, pritshmëritë për muajt e ardhshëm vijojnë të jenë pozitive.
“Konsumatorët e vlerësojnë të përkeqësuar situatën financiare të familjeve gjatë tremujorit të parë të vitit krahasuar me një tremujor më parë. Ndërkohë, ata e perceptojnë lehtësisht më të përmirësuar situatën e përgjithshme ekonomike në vend për tremujorin në analizë, të reflektuar në rritjen e balancës me 0.9 pikë përqindje. Gjithashtu, konsumatorët shprehen se niveli i papunësisë pritet të bjerë në gjashtëmujorin e ardhshëm,” thuhet në raportin e BSH.