Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Thellohet deficiti nga tatimet, 13.4 mld lekë më pak se parashikimet

$
0
0

edi rama dhe shkelqim caniRënia reale e të ardhurave nga tatimet e doganat është 4.7%, nëse marrrim parasysh që ekonomia është rritur 2.8% dhe inflacioni mesatar për 6 muajt e parë të vitit ishte 1.8%. Buxheti po mbahet në këmbë nga të ardhurat jo tatimore dhe nga fondet speciale…

Totali i të ardhurave buxhetore për periudhën janar-qershor 2015 ishte 182.97 miliardë lekë, me një rritje prej 4.4% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Financave. Megjithatë, në krahasim me planin, të ardhurat në buxhet janë 8.6 miliardë lekë më pak.

Mosrealizimin më të madh e kanë shënuar të ardhurat nga tatimet e doganat. Këto të fundit arritën në 120 miliardë lekë, pothuajse e njëjta vlerë në raport me 6 mujorin 2014, ndërkohë që janë 13.4 miliardë lekë më pak se ajo që kishin planifikuar Financat në fillim të vitit. Për 5 mujorin, mosrealizimi ishte 11 miliardë lekë. Ministria e Financave kishte vendosur një plan të ulët në fillim të vitit, për shkak të vendosjes së një sistemi të ri tatimore online, duke pasur pritshmëri për një përmirësim të rendimentit të mbledhjes së të ardhurave në muajt e mëvonshëm, që në fakt nuk po ndodh. Rënia reale e të ardhurave nga tatimet e doganat është 4.7%, nëse marrrim parasysh që ekonomia është rritur 2.8% dhe inflacioni mesatar për 6 muajt e parë të vitit ishte 1.8%.

TVSH është zëri me performancën më negative. Të hyrat nga zëri që sjell pjesën më të madhe të të ardhurave në buxhet ranë me 5.3% (3.2 miliardë lekë) në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke qenë dhe 2 miliardë lekë më pak se plani. Ndonëse të dhënat e INSTAT tregojnë se konsumi (tregtia me pakicë) është rritur, kjo nuk po reflektohet në të ardhurat e TVSH-së. Sipas Financave, kjo lidhet me ndryshimin e strukturës së konsumit (psh kalimi drejt duhanit të dredhur, apo rritjen e prodhimit bujqësor vendas që shkon drejt supermarketeve). Ndërsa çmimi i ulët i naftës nuk është më justifikim, sepse nafta e importit ka arritur pothuajse në nivelin e një viti më parë për shkak të shtrenjtimit me ritme më të shpejta se në tregjet ndërkombëtare.

Të ardhurat nga akciza ishin 17.4 miliardë lekë, me një rritje prej 7% në raport me 6 mujorin e parë 2014. Por ky zë ka shënuar mosrealizimin më të madh të planit, me minus 5.67 miliardë lekë. Financat janë justifikuar me rënien e importeve të mallrave të akcizës, sidomos cigareve, që janë në nivelin më të ulët të 15 viteve të fundit, si rrjedhojë e uljes së konsumit dhe zhvendosjes drejt duhanit të dredhur. Ndërkohë kompanitë shpërndarëse të cigareve kanë gjetur në studimet e tyre se konsumi i cigareve nuk ka rënë. Sipas studimeve të kompanive, importet në vitin 2014 ishin rreth 2.9 miliard fije, ndërsa këtë vit parashikohen 2.8 miliardë fije. Konsumi total mesatar në Shqipëri vlerësohet rreth 3.5 miliard fije bazuar në importetet mesatere të disa viteve rresht, përqindjes së konsumatoreve duhanpirës dhe numrit të cigareve në ditë, duke lënë në këtë mënyrë “zbuluar rreth 20% të konsumit”.

Të ardhurat nga tatim fitimi u rritën me 21.7% në 13.6 miliardë lekë, duke qenë dhe zëri i vetëm që janë më mirë se plani (me 1.17 miliardë lekë më shumë), të ndihmuara edhe nga norma më e lartë e tatim-fitimit (15% nga 1 janari 2014, nga 10% që ishte më parë).

Tatami mbi të ardhurat personale është një tjetër zë me performancë negative, pavarësisht rritjes së tatimit mbi të gjitha të ardhurat (përveç tatimit mbi pagën) nga 10 në 15% nga 1 janari 2015. Ndonëse ky zë u rrit me 2.7% në 13.5 miliardë lekë, ai është gati 4 miliardë lekë më pak se plani i fillimvitit. Financat janë justifikuar me rënien e interesave të depozitave, ndërkohë që kanë nisur një fushatë për mbledhjen e tatimit mbi qiratë. Nga ana tjetër, sipërmarrjet e mëdha, nxituan të transferonin fitimet vitin e kaluar, me normë 10%, duke lënë me “gisht në gojë” Tatimet për këtë vit.

Të ardhurat nga taksa nacionale dhe të tjera ranë me 3% me bazë vjetore në 15.3 miliardë lekë, por ky është zëri i vetëm ku financat “justifikohen”, për shkak të rënies së çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare, duke bërë që kompanitë eksportuese të arkëtojnë më shumë të ardhura.

Të ardhurat nga fondet special (sigurimet shoqërore dhe shëndetësore) kanë pasur një ecuri të mirë, duke u rritur me 13% në gati 35 miliardë lekë, (1.4 miliardë lekë më shumë se plani).

Të ardhurat jo tatimore janë ato që kanë shpëtuar buxhetin, duke u rritur me 38% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë në 17 miliardë lekë dhe duke qenë 4.15 miliardë lekë më shumë se ajo që prisnin financat në fillim të vitit. Efektin vijojnë ta japin të ardhurat që vijnë vetëm një herë nga shitja e licencave të telekomunikacioneve dhe rritja e tarifave të universiteteve. Pa këtë rritje mbi planin, të ardhurat buxhetore në total do të ishin zgjeruar me vetëm 1.9% dhe jo 4.4%./Monitor

monitor


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Trending Articles