Për banorët e rajonit të Dibrës, Rruga e Arbrit duket ende një ëndërr. Në Qafën e Buallit, edhe trasheja e hapur gjatë një viti punime po bllokohet nga rrëshqitjet e gurëve. Nga 2009-a deri në 2011-n u punua me ritme të ngadalta.
Ky segment nuk arriti të përfundojë, kurse afatet u shtynë. Disa muaj pas zgjedhjeve të 2013-s, përfundoi hapja e tunelit te Qafës së Buallit por nuk është vënë në funksion.
Pamjet tregojnë një kantier të braktisur, makineri të shkatërruara. E tërë zona sikur është përfshirë në luftë.
Nga i gjithë segmenti, 34 km kanë përfunduar, kurse 26 të tjera janë në pritje. Premtimi ishte që brenda një 3-vjeçari kjo rrugë do të përfundonte.
Por pamjet tregojnë krejt të kundërtën. Dhe nga sa mësohet, për deri në vitin 2020 ky investim nuk futet në prioritet e qeverisë “Rama”.
Rruga e Arbrit prej 25 vitesh mban peng zhvillimin e trevës së Dibrës dhe përtej këtij rajoni. Ajo do të shkurtonte ndjeshëm distancën me Tiranën.
Hera e fundit që u premtua përfundimi i saj ishin zgjedhjet lokale. Në Peshkopi askush nuk di të flasë se çdo të bëhet më tej kurse banorët rëndom përdorin shprehjen “Rruga e Arbrit nuk i bie nga Kina”./Abcnews/