Prej të moshuarave që shesin majdanozin e mbledhur në vazo, te ata që shesin prodhime të blera në tregun e shumicës dhe e shtyjnë ditën me iPhone. Historia e tregtarëve që paguajnë për një vend në tregjet e bashkisë dhe përfundojnë sërish të shesin në rrugica
Policët e Bashkisë së Tiranës janë gjithë kohës me fletë gjobash në duar. Shitësit e çamçakëzëve dhe ata të perimeve janë viktimat e tyre të para dhe më të lehta. Por nga ana tjetër, tregtarë si Xhevdeti, 52-vjeçari nga Elbasani, banues në Sauk, thotë se nuk i ka mbetur asnjë zgjidhje tjetër. “Kam paguar 400 mijë lekë në Njësinë Bashkiake dhe tani më thonë se nuk ka vend të lirë për mua në treg. Ku të shes unë? Policia bashkiake me vendos gjoba, me sekuestron mallin sepse shes në trotuar. Këta s’të lënë të punosh. S’ka vend për mua as në rruge, as në treg”, thotë Xhevdeti. Pjesa më e madhe e tregtarëve që punojnë ngjitur me të, më parë shisnin po ashtu nëpër trotuare pranë Rrugës së Elbasanit dhe shpeshherë binin pre e gjobave të vendosura nga Bashkia, ku u sekuestrohej malli dhe u shpërdorohej. Ata bien dakord me faktin se tregjet e Bashkisë janë një zgjidhje e mirë për situatën aktuale, por ende janë të paqartë nëse do mund ta kenë një vend në tregun legal, pavarësisht nëse ka paguar apo jo për këtë vend.
Fushata kundër shitësve ilegalë vijon e ashpër që prej 1 shtatorit të vitit që lamë pas, me nisjen e aksionit kundër informalitetit nga qeveria. Shitësit ambulante janë ata të cilët kanë qenë në shënjestër të vazhdueshme nga policia bashkiake.
Masat e marra nga Bashkia, si paralajmërimet apo gjobitjet nuk duket se kanë bërë ndonjë ndryshim. Janë me qindra tregtar të tillë, një pjesë përshkojnë çdo ditë kilometra për të shitur produktet e veta bujqësore nëpër trotuaret e Tiranës, të tjerë i blejnë ato në tregun më të afërt të shumicës dhe të gjithë nën shënjestrën e policisë bashkiake. Por ndërsa njëra palë shet vërtet atë që sjell prej fshatit, pala tjetër është thjeshtë në përpjekje për të shmangur taksat duke shitur 20 lekë më lirë në rrugicat e qytetit.
Konsumatorët nuk do të jenë kurrë në dijeni se kush është kush. Një prej shitësve, rreth të 60-tave diku pranë Rrugës së Kavajës, pa dashur të identifikohet me emrin e vetë thotë se produktet që ai shet nuk janë prodhimet e veta. Nuk ka asnjë lloj informacioni nëse produktet që shet janë prodhim shqiptar apo jo, aq më pak nëse janë bio. Ato i siguron nga tregjet e shumicës dhe jo pak herë ndodh t’i blejë edhe nëpër dyqane. Ai vet është banues në Tiranë dhe kjo është e vetmja mënyrë më të cilën ai siguron të ardhurat për familjen e tij. Fitimi është gati i papërfillshëm duke marrë parasysh këtu edhe gjobat që ka marrë jo pak herë nga policia bashkiake.
Ndërkohë një tjetër shitëse vjen prej Baldushkut për të shitur lakrat dhe produktet e tjera të cilat janë prodhime të saj. Në total janë gati 14 tregje, të cilat janë ofruar nga Bashkia e Tiranës për këta tregtar edhe pse ndoshta praktika duhet të orientohet drejt zonave rurale.
Në një deklaratë të dhënë prej Gilber Velcanit, këshilltar për tregjet dhe konsumatorët është konfirmuar për ndërtimin e tregjeve të reja edhe në zonat rurale. Gjithsesi mbetet ende të presim se çfarë do të ndryshojë prej kësaj. Gruaja na thotë se ky nuk është vendqëndrimi i saj i përditshëm pasi frika nga policia bashkiake e ka bërë më vigjilente duke lëvizur vazhdimisht.
Pamundësia për të paguar taksat e detyrojnë të veprojë në këtë mënyrë megjithëse fitimi nuk duket . “Nuk më del fitimi as për rrugën që bëj nga fshati çdo ditë. Ndonjëherë detyrohem t’i shes me çmim që është qesharak vetëm për të mos më ngelur. Më ulët se 10 lek tufa s’ka, ndonjëherë i shes dhe 6 ose 7 tufa me 50 lek – thotë ajo duke na treguar tufat e bëra gati nëpër qeska. Mënyra sesi janë përgatitur tufat nuk janë vetëm për t’u krijuar lehtësi blerësve, por është një mënyrë praktike për t’i mbledhur shpejt sapo policia bashkiake vjen për kontroll.
Nga ana e saj, Bashkia thotë se ka krijuar 14 hapësira të posaçme për tregje publike, në zona e lagje të ndryshme të Tiranës, për të qenë sa më pranë banorëve. Nga një studim i bërë në tregun e përkohshëm të krijuar nga Bashkia në zonën e Ali Demit, tregtarët shprehen jo të kënaqur dhe skeptik për të ardhmen. Ata pretendojnë se kanë paguar një shumë prej 400 mijë lekësh të vjetra, pranë njësisë bashkiake në mënyrë që të kenë një vend në tregun e zonës, pasi të zhvendosen nga ai i përkohshmi, por ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje dhe janë në pritje. Disa prej tyre thonë se kanë mbetur në mes të katër rrugëve, pasi vendet për të shitur në tregjet publike të zonës janë zënë tashmë dhe nuk dihet si do të jetë situata në vazhdim dhe se çfarë vendimi do të marrë Bashkia për ta. Tregtarët e fruta perimeve, kryesisht banues në fshatrat përreth Tiranës e Elbasanit, si Baldushk, Petrelë, Sauk dhe Kërrabë, thonë se produktet e tyre janë krejtësisht bio, përveç ndonjë fruti.
Rastet ndërkohë janë nga më ekstremet. Në rrugë gjen të moshuara që shesin majdanoz e erëza për të “rimbursuar” barnat, për të cilat nuk u del pensioni e të rinj që shesin produkte të tregut dhe shtyjnë mërzinë në iPhone apo telefona të tjerë të zgjuar. “E shikon këtë kthesën e pallatit (tregon duke drejtuar për nga një hyrje që ndodhet jo shumë larg vendit ku po shet)? Epo sa herë që më thonë se po vijnë ata të taksave, unë e ngre arkën time dhe ‘fshihem’ atje”, thotë një pensioniste për Mapo. Ajo thotë se as mund ta përballojë një vend në tregjet e bashkisë pasi shet “vetëm erëza të mbledhura gjatë verës në fshatin tim dhe majdanozin që mbjell nëpër vazot e oborrit tim të vogël”. Lekët (maksimumi nga 2-10 lekë për tufë) nuk mjaftojnë për të paguar qiranë e një tregtari normal. Në anën tjetër, një prej të rinjve që takuam, edhe pse ankohet se nuk ka para, luan me iPhone. “Shqiptarët e gjejnë gjithmonë mundësinë (për një telefon të ri)” thotë ai.
Materialet për këtë shkrim u punuan nga K. Tushi, I. Hasanaliaj, A. Kuka