Gjigandi shqiptar i naftës njoftoi se ka vendosur të shesë veten te një kompani kineze me emrim “Geo-Jade Petroleum”. Çmimi i shitjes është sa dyfishi i vlerës së “Bankers” në bursën e Torontos.
Nga Gjergj Erebara
Kompania “Charter Power”, degë e kompanisë kineze “Geo-Jade Petroleum”, ra dakord me “Bankers Petroleum” për të blerë të gjitha aksionet e saj me vlerë 2.2 dollarë për aksion dhe me një shumë totale prej 575 milionë dollarësh pa përfshirë detyrimet, bëri të ditur “Bankers” në një njoftim për shtyp të publikuar sot.
Çmimi i transaksionit përfaqëson një premium prej 98% mbi vlerën e aksioneve të “Bankers” në mbylljen e Bursës së Torontos prej $1.11 në 18 Mars 2016 dhe një premium prej 109% mbi vlerën e aksioneve përgjatë tregtimit 30 ditor të fundit (deri në 18 Mars 2016) ku aksionet janë tregtuar mesatarisht me $1.05.
David French, President dhe Shef Ekzekutiv i Bankers tha: “Transaksioni i propozuar i jep Bankers mundësinë për t’i rikthyer investimin aksionerëve tanë me një prim të konsiderueshëm kundrejt vlerësimit aktual të tregut ndërkohë që i ofron kompanisë burime shtesë financiare për të përshpejtuar aktivitetin tonë në Shqipëri dhe për të kapitalizuar potencialin e krijuar nga mjedisi aktual i çmimeve. Ky transaksion do të gjenerojë një përfitim të rëndësishëm ekonomik për Shqipërinë dhe për komunitetet lokale ku operon Bankers. Ne presim me padurim për të punuar me investitorët e rinj për të përfituar prej mundësive të ofruara nga asetet”.
“Bankers” ka qenë deri në vitin 2014 korporata më e madhe në Shqipëri sa i përket të ardhurave, por të ardhurat e saj u përgjysmuan në vitin 2015 si pasojë e rënies së çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar.
Çmimi i aksioneve të “Bankers” në bursë u godit gjatë vitit të fundit, fillimisht si pasojë e rënies së çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar dhe më pas, si pasojë e goditjeve që mori nga qeveria shqiptare shtatorin e kaluar kur Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kërkoi 75 milionë dollarë taksa pas një rivlerësimi tatimor mbi shpenzimet e kompanisë në vitin 2011.
“Bankers” prej vitesh akuzohet se përdor fatura për të mbuluar shpenzime të paqena dhe rrjedhimisht, për të transferuar para nga Shqipëria për në vende të tjera. Në bazë të kësaj skeme, paratë që do të duhej të shpalleshin si fitime të taksueshme në Shqipëri, deklaroheshin si investime dhe më pas, fitime në vende të tjera./BIRN/
(Kliko këtu për të parë njoftimin e plotë të Bankers Petroleum)