Janë plot 5425 ish-ushtarakë, që përfitojnë nga shuarja e debisë në pensionin e tyre. Në total falen 984.5 milionë lekë të rinj. Nuk përfitojnë ata që deri më sot e kanë paguar debinë
Të gjithë ish-ushtarakëve që deri në shkurt të vitit 2016 rezultojnë të jenë debitorë ndaj shtetit për shkak të rillogaritjes së pensioneve të tyre, do t’u falen të gjitha detyrimet. Bëhet fjalë për plot 5425 ish-ushtarakë, të cilët sipas të dhënave që rezultojnë nga sistemi informatik “PCAMS” i pagesës së pensioneve, për periudhën deri në fund të muajit shkurt 2016 rezultojnë debitorë ndaj shtetit, për një shumë totale prej rreth 984.5 milionë lekësh të rinj. Ndërkohë që të gjithë ata ushtarakë që këtë debi janë detyruar ta paguajnë gjatë këtyre 6 viteve, pra që nga koha e daljes së Aktit Normativ të qeverisë “Berisha”, nuk do përfitojnë rimbursim.
Projektligji
Nisur nga mungesa e konsistencës, qëndrueshmërisë dhe stabilitetit të kuadrit ligjor, që rregullon dhe trajton përfitimet për kategorinë e ish-ushtarakëve, qeveria ka paraqitur në Kuvend projektligjin “Për faljen e detyrimeve që kanë ish-ushtarakët në skemën e pensioneve suplementare nga rillogaritja e pensioneve”. Ky projektligj propozohet nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ministri i Mbrojtjes dhe ministri i Punëve të Brendshme dhe vjen si një plotësim i kërkesës së hershme të ish-ushtarakëve për të fshirë borxhin që u lindi atyre si pasojë e Aktit Normativ të qeverisë së mëparshme të vitit 2010, borxh që u krijua si rrjedhojë e formulës së re të përllogaritjes së pensioneve të tyre. Ky projektligj bën përcaktimin e kategorive që do përfitojnë, koston financiare dhe procedurat që do të ndiqen për shuarjen e kësaj debie. Më konkretisht, projektligji në nenin 1 të tij përcakton se “falen detyrimet e papaguara, që kanë rrjedhur nga rillogaritja e pensionit të parakohshëm, sipas gjendjes së tyre në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji”. Gjithashtu, projektligji përcakton se “falen detyrimet që do të krijohen si pasojë e rillogaritjes së pensioneve, sipas dispozitave të ligjit nr. 10142, datë 15.5.2009, për ata ushtarakë, për të cilët rillogaritja nuk është kryer deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji”. Siç sqarohet në relacionin shoqërues të këtij projektligji, si pasojë e këtij Akti Normativ, që më vonë mori fuqinë e ligjit, për shkak të formulës së re të përllogaritjes së pensioneve, 6.738 ish-ushtarakë dolën debitorë (afërsisht 35 % e ish-ushtarakëve), me një shumë prej 1.313.7 milionë lekësh të rinj. Që nga ajo kohë, qeveria me anë të vendimeve që dolën në zbatim të këtij Akti Normativ, pas përllogaritjes së re të pensionit nisi t’u mbajë ish-ushtarakëve në mënyrë periodike një pjesë të pensionit të tyre. Për rrjedhojë, afro 1300 prej tyre gjatë këtyre viteve rezulton se e kanë shlyer totalisht këtë debi, ndërsa pjesa tjetër ka paguar vetëm një pjesë të tij. Aktualisht, siç sqarohet në relacion, gjendja e debitorëve rezulton të jetë e tillë: 934 persona kanë deri 25 mijë lekë debi, 668 persona kanë një borxh nga 25 në 50 mijë lekë, 862 persona kanë një borxh nga 50 deri në 100 mijë lekë, 609 persona kanë nga 100 deri në 150 mijë lekë dhe për të mbërritur te 466 persona që kanë një borxh më të madh se 400 mijë lekë. Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, deri në fund të muajit shkurt 2016, janë gjithsej 5425 ish-ushtarakë debitorë, me një shumë detyrimi që mbetet për t’u shlyer, prej 984.5 milionë lekësh. Gjatë periudhës nga viti 2010 deri në shkurt 2015, janë shlyer 368,5 milionë lekë. Në këtë numër personash dhe vlerë debitore ka edhe raste, të cilat nuk janë debitore nga rillogaritja, por kanë rezultuar të tillë për faktin se janë konstatuar të kenë qenë të punësuar apo vetëpunësuar dhe ndërkohë kanë deklaruar fakte jo të vërteta. Të kësaj natyre janë evidentuar mbi 466 persona që kanë një vlerë debie nga 400 mijë deri në 2028 mijë lekë secili, të cilat janë në proces likuidimi.
Përjashtimet
Neni 2 i projektligjit përcakton se “detyrimet e ushtarakëve, që janë krijuar si pasojë e zbatimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, për njohje të masës së përfitimit pas datës 1.7.2009, në kundërshtim me formulën e llogaritjes së pensionit të parakohshëm, nuk falen. Ndërkohë që neni 4 përcakton se brenda 3 muajve, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Punëve të Brendshme të paraqesin dokumentacionin e nevojshëm për rillogaritjen e përfitimeve. Me përfundimin e këtij afati, detyrimet që rrjedhin nga rillogaritja nuk falen.
Si u krijua borxhi i ushtarakëve ndaj Buxhetit të Shtetit
Në nëntor 2010, u miratua Akti Normativ nr. 5, datë 10.11.2010, të Këshillit të Ministrave”, i cili mori fuqinë e ligjit, me ligjin nr. 10367, datë 23.12.2010. Ky ligj ndryshonte rrënjësisht formulën e pensioneve, zbatimi i së cilës solli si pasojë rillogaritjen e pensioneve për mbi 20 mijë pensione të parakohshme e suplementare. Si pasojë e kësaj formule të re rezultoi se për vite të tëra ish-ushtarakët kishin marrë pensione më të larta sesa parashikonte Akti Normativ, duke krijuar kështu 6.738 ish-ushtarakë debitorë (afërsisht 35 % e ish-ushtarakëve), me një shumë prej 1.313.7 milionë lekësh. Bazuar në vendimin nr. 793, datë 24.9.2010, të ndryshuar, rillogaritja e përfitimeve është mbi bazën e modelarit 03 “Vërtetim për vjetërsinë në shërbim dhe pagën neto mesatare referuese”, dokument i cili, plotësohej nga strukturat e ministrive të linjës dhe më pas përcillej zyrtarisht pranë strukturave rajonale të sigurimeve shoqërore, që zbatonin procedurën e llogaritjes apo rillogaritjes së përfitimit. Këto dokumente janë dërguar zyrtarisht në strukturat e sigurimeve shoqërore, fillimisht në 2010 dhe më pas në 2011, e akoma vijojnë të dërgohen. Për ish-ushtarakët, të cilëve dokumentacioni i rillogaritjes u dërgua më shpejt, vlera debitore ka qenë më e ulët dhe tashmë debia është shuar, ndërkohë që për një numër të konsiderueshëm të ushtarakëve, të cilët kanë edhe gradë më të ulët, (nënoficer), për të cilët dokumentacioni është dërguar më me vonesë, e për disa të tjerë dokumentacioni, të cilëve ende nga ministritë e linjës nuk u është nxjerrë dhe dërguar, vlera debitore rezulton të jetë mjaft e lartë. Nisur nga kjo mungesë konsistence dhe stabiliteti i kuadrit ligjor, i kontestuar në vazhdimësi, ku edhe vendimi i fundit i gjykatës Kushtetuese është i shkurtit 2013, ndërkohë që ligji i ndryshuar ka efekte financiare nga data 1.7.2009, janë krijuar detyrime dhe për këto shkaqe propozohet edhe falja e debive të ish-ushtarakëve, të cilët rezultojnë të jenë ende debitorë nga rillogaritja.