Teksa qeveria është në negociata me “Tirana International Airport” për heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve ndërkombëtare nga Rinasi, duket se në Shqipëri po mbërrin një aeroport i ri. Në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit është regjistruar një kompani e re e quajtur Saranda International Airport.
Kompania zotërohet në masën 34% nga një shtetas me emrin Donald Shena, ndërsa 66% e aksioneve të saj i përkasin një shoqërie me emrin American Capital Group.
Në dokumentin e regjistrimit të kompanisë saktësohet se objekti i saj do të jenë shërbimet aeroportuale “Objekti i kompanisë është kryerja e shërbimeve aeroportuale, përpunimi i avionëve, shërbimi i pasagjerëve, bagazheve dhe mallrave, bar-restorante të tjera në funksion të objektit”, thuhet në dokument.
Prej vitit 2001 që kur qeveria e Fatos Nanos nënshkroi marrëveshjen e konçesionit të Rinasit, në Shqipëri fluturimet ndërkombëtare kanë qenë monopol i këtij aeroporti.
Pas 15 vitesh operimi, duket se më në fund kompania gjermane, që administron aeroportin e Rinasit ka ka pranuar të lëshojë monopolin e fluturimeve ndërkombëtare duke i hapur kështu rrugën ndërtimit të aeroporteve të tjera në vend.