Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Biznesi, 166 milionë euro rivlerësime e gjoba në 2015-n

$
0
0

Kupon TatimorArrin në 16.2 miliardë lekë (116) milionë euro shuma që biznesi ka ankimuar te Drejtoria e Apelimit Tatimor përgjatë vitit 2015, sipas të dhënave të brendshme të Tatimeve. Këto janë ankesa që kryesisht bizneset i kanë bërë sepse nuk kanë qenë dakord me vlerësimet tatimore pas kontrolleve, apo për gjoba të ndryshme.

Pjesa më e madhe e ankimimeve kanë qenë për taksat kombëtare, me rreth 6.8 miliardë lekë, të ndjekura nga TVSH, me 4.9 miliardë lekë, tatim fitimi me 1.6 miliardë lekë (shiko tabelën në fund për të dhënat e detajuara).

Vetëm 537 milionë lekë, apo rreth 3.3% e shumës së ankimuar është shfuqizuar, 5.3 miliardë lekë është në fuqi, 10 miliardë lekë është refuzuar dhe dhe 357 milionë lekë është kthyer për saktësim.

Sipas ligjit për procedurat tatimore, kur tatimpaguesi nuk është dakord me një akt administrativ dhe beson se administrata tatimore nuk e ka zbatuar në mënyrë korrekte ligjin, ai ka të drejtën e ankimit në Drejtorinë e Apelimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, duke kërkuar rishqyrtimin e pavarur të cështjeve që lidhen me këtë akt. Biznesi mund të ankimohet për çdo njoftim vlerësimi (për shembull një vlerësim tatimor i nxjerrë pas një kontrolli tatimor), çdo akt tjetër administrativ që ndikon detyrimin tatimor të tatimpaguesit përfshirë kërkesën për kompensim (kur, për një tatim ose disa lloje tatimesh, tatimpaguesi ka një detyrim por gjithashtu gëzon edhe të drejtën e kreditimit ose rimbursimit), çdo akt që ndikon kërkesën e tij për rimbursim, çdo akt që ndikon kërkesën e tij për lehtësim tatimor, gabimet në llogaritjen e përqindjes së kamatëvonesës dhe vendosjen ose gabimet në llogaritjen e shumave dhe llojeve të gjobave.

 

Këshilli Investimeve: Biznesi mendon se rivlerësimi detyrimeve është arbitrar

Në një anketim që Këshilli i Investimeve publikoi së fundmi lidhur me mekanizmat e zgjidhjes së marrëveshjes mes biznesit dhe administratës publike ka konstatuar “ekziston një perceptim i përgjithshëm mbi faktin se shpeshherë rivlerësimi i detyrimeve tatimore ose doganore kryhet në mënyrë arbitrare nga administratat përkatëse pikërisht për të krijuar të ardhura dhe për të arritur objektivat dhe planet e tyre buxhetore, duke shfrytëzuar këto “mundësi” ligjore. Në këtë aspekt, parashikimet e legjislacionit material të zbatueshëm veçanërisht në fushën tatimore dhe doganore, konsiderohen nga biznesi se favorizojnë administratën në marrjen e vendimeve arbitrare. Institucionet fiskale kanë “de facto” epërsi ligjore ndaj biznesit në përballjen me to, pasi ky i fundit duhet të parapaguajë detyrimet pa u shqyrtuar ende në thelb mosmarrëveshja. Parapagimi i detyrimit në rastin e tatimeve dhe i një pjese të gjobës në rastin e Doganave ka krijuar një klimë mosbesimi të ndërsjelltë. Sipas biznesit do të duhet që këto struktura dhe e gjithë administrata të mos ketë si kritere vlerësimi të punës së tyre apo të realizimit të objektivave buxhetore, shumat e mbledhura si rezultat i parapagimit të detyrimeve apo gjobave”.

Po sipas këtij raporti, Drejtoria e Apelimit Tatimor (DAT) ndonëse është e njohur gjerësisht nga biznesi, nuk perceptohet si një strukturë e pavarur nga pjesa tjetër e administratës tatimore dhe as e paanshme në vendimet e saj. Vendimet e kësaj të fundit janë në masën dërrmuese jo në favor të bizneseve, por të administratës tatimore. DAT ju jep të drejtë bizneseve në mënyrë të qartë vetëm në 4 % të rasteve. Roli i DAT dhe i vendimeve të tij shikohen me dyshim nga bizneset dhe vihen në diskutim nga vetë Ligji Nr. 9920 datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore” (i ndryshuar), në të cilin parashikohet se vetë vendimet e DAT janë sërish të ankimueshme në gjykatë nga administrata tatimore (drejtoritë rajonale) kur kjo e fundit nuk është dakord me to. Referuar të dhënave të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, kjo e fundit ka vendosur në favor të administratës tatimore (drejtorive rajonale) kur këto të fundit kanë ankimuar vendimet e DAT në vetëm 1.4% (2014) dhe 2.4% (2015) të rasteve. Në thelb, kjo mundësi e ankimit që ju është lënë nga Ligji Nr.9920 drejtorive rajonale, shfrytëzohet në masën 100% të rasteve prej këtyre të fundit dhe vlerësohet se bëhet me qëllim, për t’i bërë të pamundur tatimpaguesit kthimin e shumës së parapaguar për shqyrtimit e ankimit, duke rritur kësisoj në mënyrë artificiale kostot për bizneset dhe për administratën për ndjekjen gjyqësore të çështjeve.

gjoba


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663