Banka e Shqipërisë shpjegoi dje se statistikat e INSTAT për inflacionin qëndronin, por ajo thotë se ato nuk tregojnë një situatë deflacioniste dhe se vendi nuk përballet me një rrezik të tillë
Shqipëria nuk është në një situatë deflacioniste sipas Bankës së Shqipërisë (BSH). Përtej të dhënave prej INSTAT, Banka e Shqipërisë gjykon se statistikat e dhëna për çmimet nuk janë tregues i mjaftueshëm dhe se “të dhënat zyrtare mbi aktivitetin e brendshëm ekonomik nuk përmbajnë sinjale të tilla në këtë drejtim”. Sipas BSH rënia e çmimeve për periudhën janar-shkurt vjen kryesisht prej rënies në tregjet ndërkombëtare të çmimit të kësaj lënde “goditje e ofertës”, ndërsa shpjegon se nuk ka të dhëna për rënie të kërkesës. “Pavarësisht se analizat e deritanishme tregojnë se rënia e inflacionit nuk duket të ketë ardhur nga rënie te papritura te kërkesës dhe konsumit në këtë periudhë, gjithsesi është e qartë që niveli i rritjes ekonomike dhe kërkesës agregate mbeten poshtë niveleve të tyre potenciale dhe vazhdojnë të frenojnë kthimin e inflacionit në objektiv”, thuhet në një material shpjegues që BSH ka dhënë për Ora News. Duke folur për deflacionin, BSH thotë se “dëshiron të precizojë se zhvillimet aktuale në inflacion nuk përbëjnë një situatë deflacioniste, dhe as sinjalizojnë për rrezikun e një situate të tillë në të ardhmen”.
Banka e Shqipërisë pranon se rënia e inflacionit është një nga normat më të ulëta gjatë viteve të fundit, por sipas saj ka ardhur nga goditjet e ofertës, rënia e çmimit te naftës. Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se inflacioni ka pasur tendencë rënëse gjatë dy muajve të parë të vitit 2016. Niveli prej 0.2 për qind i shënuar në muajin shkurt përfaqëson një nga normat më të ulëta të tij gjatë viteve të fundit. “Natyrisht që ky fenomen është analizuar me seriozitet nga Banka e Shqipërisë. Konkluzionet paraprake të këtyre analizave sugjerojnë se rënia e inflacionit ka ardhur nga goditje të ofertës, të cilat në një pjesë të madhe origjinojnë në zhvillimet e tregjeve ndërkombëtare”, thuhet në sqarimin e BSH. Sipas bankës edhe inflacioni i ushqimeve është ndikuar nga partnerët tanë tregtarë ku luhatet në nivele të ulëta. “Inflacioni i ushqimeve në muajin janar në katër vendet kryesore partnere tregtare ishte vetëm në nivelin 0.25 për qind, kundrejt një norme mesatare të inflacionit të ushqimeve prej 3.1 për qind për periudhën janar-shkurt në Shqipëri”, thotë BSH. Ajo pranon se për shkak të aktivitetit tregtar me këto vende, ky inflacion i ulët tenton të përhapet edhe në ekonominë shqiptare.
Por BSH mohon mundësinë që vendi të kalojë në deflacion. “Situatat deflacioniste lidhen me periudha recesioni ekonomik, apo me goditje të forta dhe të zgjatura nga ana e ofertës. Të dhënat zyrtare mbi aktivitetin e brendshëm ekonomik nuk përmbajnë sinjale të tilla në këtë drejtim. Po ashtu, parashikimet për tregun ndërkombëtar sugjerojnë se ndoshta cikli rënës i çmimeve të naftës dhe të produkteve të tjera e ka arritur tashmë pikun e vet. Gjithsesi, Banka e Shqipërisë do të mbetet në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe do të komunikojë me transparencë konkluzionet dhe masat e saj”, thuhet në analizën e BSH. Kjo e fundit bën me dije se inflacioni pritet të rritet në vijim edhe pse mund të mos jetë në objektivat e parashikuar prej bankës. “Përpos sa më sipër, Banka e Shqipërisë gjykon se tendenca e inflacionit në horizontin afatmesëm mbetet në kahun rritës. Përmirësimi i pritur i aktivitetit ekonomik dhe qetësimi i presioneve dizinflacioniste nga tregjet e jashtme do të ndihmojnë në kthimin e inflacionit në objektiv”, thotë BSH.