Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Ekonomia e refugjatëve, BE zotohet 3 miliardë euro ekstra për Ankaranë

$
0
0

Refugjatet-siriane-ne-Maqedoni-foto-nga-arkivi-1-620x358 (1)Samiti mes BE-së dhe Turqisë ka pasur kthesa interesante dhe një marrëveshje mund të arrihet mbrëmjen e së hënës. Ankaraja ka kërkuar mbështetje financiare, një projekt rivendosjeje për çdo refugjat që merret pas, liberalizim vizash dhe rihapje të negociatave për anëtarësimin. Gjermania dhe Italia kërkojnë garanci për liritë në Turqi. Mbyllet korridori ballkanik?! 

Turqia mund të marrë 3 miliardë euro shtesë, mbi tre miliardëshin e premtuar në nëntor, por që ende nuk i ishte alokuar vendit, nëse ripranon një pjesë të emigrantëve që nuk kualifikohen si refugjatë dhe lufton trafikun ilegal. The Guardian shkruan se Ankaraja mund t’i japë një zgjidhje krizës së refugjatëve nga Lindja e Mesme por ajo duket se do të kërkojë jo pak në këmbim të kësaj. Sipas The Guardian negociatat do të vijojnë mbi një marrëveshje rivendosjeje sipas të cilës BE pranon të marrë një refugjat, për çdo person që nuk kualifikohet për këtë status, që kthehet pas në Turqi. Po ashtu, Turqia do të kërkojë më shumë para. Presidenti Taip Erdogan citohet të ketë thënë dje se shpreson që BE të lëvrojë 3 miliardë eurot e premtuara në nëntor, ndërsa shpresohet në dyfishimin e kësaj mbështetje. Nga ana tjetër, për të ndaluar trafikun në Egje është angazhuar NATO dhe anije të aleancës do të ndalojnë gomonet me refugjatë për t’i kthyer pas në Turqi. Kjo duhet t’i japë një drejtim situatës që ka sjellë bllokimin e mijëra personave në Greqi, Maqedoni e Serbi, por nuk është e sigurt se sa do të funksionojë, për shkak se problemet janë më të mëdha. Në Greqi mbërrijnë çdo ditë 2 mijë refugjatë dhe ndërkohë shumë në BE janë të shqetësuar nëse kjo marrëveshje është e pranueshme për Konventën e Gjenevës.

Ndërkohë që lehtësirat e kërkuar nga Ankaraja janë edhe politike. Liberalizim vizash për 70 milionë banorët e Turqisë deri në 1 qershor dhe nga ana tjetër rihapje të negociatave për anëtarësim të mbyllura prej kohësh. Kjo sjell një mori implikimesh. Deri dje në mbrëmje, vetëm kancelarja Angela Merkel dhe kryeministri italian Matteo Renzi kanë folur sa u përket standardeve të demokracisë në Turqi. Renzi madje sipas Guardian është angazhuar për të mos miratuar asnjë marrëveshje nëse nuk reflekton lirinë e shtypit në Turqi. Kjo e fundit është vënë në diskutim me arrestimin e dhjetëra gazetarëve dhe tashmë marrjen nën kontroll të së përditshmes më të madhe në vend “Zaman”.

Përplasja tjetër ka të bëjë me kërkesën e shumicës së vendeve të BE-së dhe të burokracisë së Brukselit për të mbyllur korridorin Ballkanik. Vetëm Gjermania duket se është kundër kësaj. Merkel në prag të samitit të BE-së lidhur me krizën e refugjatëve është shprehur kundër kërkesave për mbylljen e itinerarit ballkanik. “Nuk është e mundur që të mbyllet diçka”, -tha ajo me të mbërritur në Bruksel. Kancelarja tërhoqi vëmendjen me këtë deklarim kundër formulimit në deklaratën përfundimtare të samitit, sipas së cilës itinerari ballkanik është “i mbyllur”.

Kjo mësohet nga deklarata e përgatitur për samitin, që e disponon agjencia gjermane e lajmeve DPA. Ministri i Jashtëm austriak Sebastian Kurz tha në televizionin gjerman, se shtete si: Austria, Gjermania apo Suedia nuk janë në gjendje t’i pranojnë të gjithë njerëzit, që duan të vijnë në to. Gjithashtu në samitin e BE-së  sërish do të insistohet, që t’i jepet fund politikës së “lejimit” të kalimit nga një vend në tjetrin, shpjegoi politikani i partisë Popullore Austriake ÖVP në emisionin e ARD-së “Anne Will”.

Ndërkohë, situata në Greqi mbetet e rëndë. Për muaj me radhë përgjatë itinerarit ballkanik migrantët janë lejuar të kalojnë nga njëri vend në tjetrin, derisa u ngritën gardhet e para kufitare me tela me gjemba dhe u vendosën në pozicione mbrojtësit e kufirit. Maqedonia ndërkohë nuk lejon më refugjatë të kalojnë, kështu dhjetëra mijëra njerëz janë bllokuar në kampet e strehimit në anën greke, me shpresë se dikur do të mund të vazhdojnë udhëtimin. Ministri gjerman i Drejtësisë, Heiko Maas tha, se shtete të veçanta nuk mund t’i zgjidhin vetë problemet e migracionit mbarëbotëror, kjo vetëm sa mund të shkaktojë një “efekt domino”. Refugjatët duhet të shpërndahen në mbarë Europën. Gjithashtu, duhet të luftohen shkaqet e migracionit. Armëpushimi në Siri është mjaft i rëndësishëm në këtë sfond.

BE synon, që Turqia, t‘i ripranojë migrantët, që nuk fitojnë të drejtën e azilit. Qeveria në Ankara synon që bashkëpunimi i saj të paguhet shtrenjtë. Qysh tani janë fokusuar tre miliardë euro nga Brukseli, nëse Turqia i mbron më mirë dhe më me efikasitet kufijtë e po ashtu edhe kufirin detar me Greqinë nga kontrabandistët. Për këtë, Turqia duhet të pranojë edhe angazhimin e anijeve të NATO-s.

Për t’i ndalur njerëzit nga një fluks drejt Europës, qeveria në Ankara do t’i përmirësojë kushtet e jetesës për refugjatët në Turqi – p.sh., duke siguruar kujdesin shëndetësor dhe shanset për arsimim për fëmijët e refugjatëve. Por, për ta plotësuar këtë, nuk mjaftojnë tre miliardë euro, është shprehur së fundi presidenti Rexhep Taip Erdogan. Kursi i rreptë për mbylljen e itinerarit ballkanik mbështetet në marrëveshjen me Gjermaninë. Për ta mbështetur Greqinë në përballimin e gjendjes me migrantët e bllokuar atje, aktualisht rreth 30.000 syresh, kryetarët e qeverive dhe të shteteve të BE-së kanë propozuar një ndihmë prej 700 milionë eurosh. Para samitit të ardhshëm në mes të muajit duhet të ketë një vendim për këtë. Greqia e goditur financiarisht duhet të marrë ndihmë edhe për mbrojtjen e kufirit.

 

Refugjatë edhe në Shqipëri? Masat në Kapshticë

 

Fshati Kapshticë gjendet vetëm pak minuta larg kufirit shqiptaro-grek. Në vitet 90’ mijëra shqiptarë kanë ndaluar këtu për të blerë ushqime dhe më pas kanë vazhduar rrugën e tyre drejt Greqisë në kërkim të një jete më të mirë. Ata e kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme. Të njëjtën gjë mund të bëjnë tani edhe refugjatët nga Siria, Afganistani dhe nga vendet e tjera, që janë bllokuar në territorin grek, për shkak se Maqedonia ka mbyllur kufirin. Banorët e mbledhur në qendër të fshatit na thonë se deri tani nuk kanë parë refugjatë nga vendet fqinje që të kalojnë kufirin. “Nuk vijnë që këtej, se këtu ka më shumë kontrolle tani. Ata mund të vijnë nga Braçaj ose Tërsëniku”, thotë një i moshuar. Varfëria e banorëve të fshatit duket qartë nga shtëpitë pothuajse të rrënuara. Por sidoqoftë, ata thonë se nëse refugjatët do të vijnë, do t’i mirëpresin sepse edhe ata kanë qenë refugjatë dikur.

Dy hapa larg kufirit…

Rreth tre kilometra larg nga Kapshtica gjendet Braçaj, një tjetër fshat shumë afër kufirit shqiptaro-grek. Edhe banorët e këtij fshati kanë parë mijëra fytyra shqiptarësh të lodhur dhe të rraskapitur, të cilët kalonin kufirin e gjelbër në kërkim të një jete më të mirë në Greqi.

“Kemi dëgjuar që janë kapur disa refugjatë, por ne nuk kemi parë gjë. Kemi dëgjuar gjithashtu se do të vijnë. Ne do t’i mirëpresim vetëm për hir të rrugës së gjatë dhe të vështirë që kanë bërë”, na thotë një nga të rinjtë e fshatit.

Ndërsa një tjetër na thotë se nuk ka arsye për t‘u trembur nëse ata vijnë, “sepse nuk po vrasin njeri apo po bëjnë diçka të keqe”. Një nga rojet e ish-repartit ushtarak pranë fshatit Kapshticë, na thotë se gjatë ditëve të fundit atje kanë shkuar përfaqësues të autoriteteve lokale dhe qendrore, po ashtu si edhe përfaqësues të UNHCR. Qëllimi i tyre ka qenë të kontrollojë nëse ndërtesat mund të përshtaten si vendstrehim për refugjatët, në rast se ata vendosin të kalojnë kufirin shqiptaro-grek.

Ndërtesat pothuajse të amortizuara shërbejnë si magazina të një kompanie private. Roja na thotë se strehimi i tyre aty do të jetë i vështirë sepse energjia elektrike është shkëputur prej më shumë se një viti, po ashtu edhe uji i pijshëm. Në rast të hyrjes së refugjatëve në territorin shqiptar, më pas do të jetë përgjegjësi e prefekturës së Korçës për të marrë masat e duhura për strehimin e tyre. Rreth dy kilometra larg ish-repartit ushtarak ndodhet Kapshtica, pika doganore mes Shqipërisë dhe Greqisë. Qarkullimi i automjeteve dhe i pasagjerëve është normal, ashtu si edhe çdo ditë. Autobusë të linjave që lidhin qytetet shqiptare me ato të Greqisë, kamionët me mallra që hyjnë e dalin nga kufiri dhe makina private.

Por nuk është e njëjta gjendje në “kufirin e gjelbër”, vija kufitare natyrore mes dy vendeve. Autoritetet shqiptare kanë shtuar numrin e forcave policore që patrullojnë në këtë zonë. Jo shumë larg nga pika doganore, në një pjesë të kufirit të gjelbër u takojmë Dashamir Spahon, Drejtor i Drejtorisë Vendore të Emigracionit të Qarkut Korçë. Spaho thotë për Deutsche Welle-n, se autoritetet shqiptare kanë marrë masat e nevojshme për t’u përballur me një situatë të mundshme të hyrjes së refugjatëve në Shqipëri. Deri tani, sipas tij nuk ka pasur asnjë rast të kapjes së refugjatëve, të cilët kanë ikur nga kampet greke.

Në raportimet e disa mediave italiane u njoftua, se në afërsi të kufirit me Shqipërinë ishin grumbulluar grupe me refugjatë që mund të kalojnë në çdo moment në territorin shqiptar. Por sipas tij, ai nuk ka një informacion të tillë. “Sipas komunikimeve zyrtare na është vënë në dijeni që janë krijuar disa kampe në Kozanë, Grevena dhe në disa vende të tjera. Por nuk kemi asnjë informacion për një lëvizje të tyre në drejtim të territorit tonë”, shprehet Spaho.

I pyetur se cilat janë zonat më potenciale për të kaluar refugjatët, Spaho thotë se “e gjithë vija kufitare po kontrollohet dhe çdo zonë për ne është me rrezik”.

Prandaj përveç forcave normale të kontrollit të kufirit ne pamë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Për një kontroll më të mirë të kufirit të gjelbër, në disa pjesë të veçanta janë montuar edhe kamera termike, të cilat mund të kapin çdo lëvizje, si gjatë natës ashtu edhe gjatë ditës. Imazhet e këtyre kamerave dërgohen menjëherë në stacionin e policisë kufitare dhe më pas oficerët që janë aty informojnë me anë të radios efektivët në terren për të reaguar në rastet e shkeljes së kufirit.

Qëndrimi në kufirin shqiptaro-grek në zonën e Kapshticës të bën të qartë atë që kryeministri i Republikës së Shqipërisë Edi Rama, tha në një konferencë për shtyp me Përfaqësuesen e Lartë të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë në BE, Federica Mongherini, në fillim të muajit: ‘Shqipëria nuk do të ngrejë mure për të bllokuar refugjatët, por as nuk do të hapë portat’.

Marrë nga Deutche Welle


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663