Qeveria, projektligj për kalimin e fushës së ish-Kënetës së Maliqit në zonë energjetike. Përmban 156 milionë m3 torfa për prodhimin e energjisë elektrike, material i ngjashëm me qymyrgurin. Do ngrihet dhe TEC
Ndërsa dikur Këneta e Maliqit ishte burim i së keqes për banorët e zonës, sot ajo duket se është kthyer për ta në një mundësi mirëqenieje.
Nuk bëhet fjalë për mundësitë e prodhimeve bujqësore që tokat e përftuara prej saj afrojnë, pasi në shumicën e rasteve ato nuk sjellin asnjë fitim për shkak se nuk shiten, por prej lëndës djegëse që ajo mban brenda saj.
Kështu, Qeveria ka depozituar në Kuvend një projektligj, i cili parashikon që afro 300 hektar tokë në ish-kënetën e Maliqit në Qarkun e Korçës të ndryshojnë status juridik dhe të kalojnë nga tokë bujqësore në zonë minerare.
Dhe kjo me të vetmen arsye shfrytëzimin e torfave për prodhimin e energjisë elektrike, që gjenden në zonën e ish-Kënetës së Maliqit.
Një lloj materiali ky, i përafërt me qymyrgurin, shumë i përshtatshëm për djegie në impiante të prodhimit të energjisë elektrike.
Siç bëhet e ditur në relacionin që shoqëron këtë projektligj, bazuar në studimet gjeologjike dhe minerare, është përcaktuar se zona e ish-Kënetës së Maliqit, përmban sasi të konsiderueshme torfash dhe se për shfrytëzimin e tyre pranë Ministrisë së Energjetikës janë paraqitur mjaft kërkesa nga subjekte të ndryshme.
Relacioni shpjegon se në vendin tonë, përveç vendburimeve të qymyrgurit, janë gjetur në sasi të konsiderueshme depozitime të torfave, kryesisht në zonën e Korçës (156 milionë m3) dhe atë të Sarandës (1.3 milionë m3).
Torfat mbulojnë fusha, të cilat kanë qenë këneta më parë dhe kanë trashësi nga disa cm deri 3 m. Torfat janë lëndë djegëse të konsiderueshme, me fuqi të ulët kalorifike, rreth 2 680 kcal/kg, hir 29%, lagështi 9%, squfur 1.1%. Analizat tregojnë se torfat janë shumë të përshtatshme si lëndë djegëse për prodhimin e energjisë elektrike.
Vendburimi i torfave në ish-Kënetën e Maliqit ndodhet në fushën e përfituar nga tharja e saj, zonë e cila kufizohet nga fshatrat e zonës, me qendër sektorin Sheqeras, të ish-fermës Maliq.
Procedurat e dhënies së një lejeje minerare, fillojnë me planifikimin e zonës minerare, duke vazhduar më tej me tenderimin, hartimin e projekteve të shfrytëzimit dhe rehabilitimit të mjedisit.
Në këtë zonë, në periudhën 2008-2009, janë dhënë nga MEI dy leje minerare zbulimi, të cilat, pas përfundimit të afatit ligjor, nuk kanë vazhduar procedurat e mëtejshme për transformim në leje shfrytëzimi.
Së fundi, ka patur kërkesa të tjera për pajisjen me leje minerare shfrytëzimi për torfat e ish-Kënetës së Maliqit, për ta përdorur për prodhimin e energjisë elektrike në TEC-in që mund të ndërtohen në ketë zonë.
Sipas studimeve të paraqitura, prodhimi vjetor i torfave mund të arrijë rreth 250 000 m3 /vit, prodhimi vjetor i energjisë elektrike rreth 500 000 MWHel.
Ndërkohë që vlera totale e investimit do të jetë 170 400 000 euro, nga të cilat investimi në minare 400 000 euro dhe investime në TEC dhe ngrohje 170 000 000 euro.
Një pjesë e energjisë së prodhuar do të përdoret për ngrohje serash dhe ngrohje të qytetit të Korçës .